Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku e ka quajtur këtë zhvillim “një fitore të injorancës” dhe një “gabim të pafalshëm” nga ata që e mbështetën.
“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës,” ka shkruar Abdixhiku, transmeton lajmi.net
Ai shtoi se LDK aspiron më lartë dhe se Kosova duhet të ketë synime më të mëdha, përtej “aksidenteve politike” dhe “triumfeve të injorancës historike”.
“Dritë një ditë do të ketë,” përfundon ai mesazhin e tij.
Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit vjen pas një periudhe tensionesh politike dhe ndryshimesh në skenën parlamentare, ndërsa reagimi i LDK-së sinjalizon përçarje të thella në qëndrimet politike mes partive kryesore në vend./lajmi.net/