Polonia rifilloi të hënën kontrollet në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë, duke ndjekur shembullin e masave të ngjashme të ndërmarra nga Gjermania më herët, me qëllim pengimin e azilkërkuesve.
Kryeministri polak, Donald Tusk, qeveria e të cilit i mbijetoi një votëbesimi në parlament së voni, i paralajmëroi këto kufizime qysh nga java e kaluar.
Presioni u rrit pasi grupet e ekstremit të djathtë në Poloni e akuzuan Gjermaninë për transportimin e migrantëve në territorin polak, pas mbërritjes së tyre në Evropën perëndimore.
Kontrollet që nisën natën e së dielës, do të zgjasin fillimisht 30 ditë, por autoritetet mund t’i zgjasin edhe më tej nëse është e nevojshme, tha Ministria e Brendshme e Polonisë.
“Migrimi i paligjshëm është thjesht një krim”, tha ministri i Brendshëm polak, Tomasz Siemoniak, gjatë një konference për media.
Kufiri i Polonisë me Lituaninë, që shtrihet në 104 kilometra, do të ketë kontrolle në 13 pika kalimi. Ndërsa, kufiri me Gjermaninë, i gjatë 467 kilometra, do të ketë kontrolle në 52 pika.
Autoritetet lituaneze thanë të hënën se janë të gatshme të përballen me bllokime të mundshme të trafikut në kufirin polak.
“Nëse krijohet trafik i shtuar, ne do të fillojmë ta menaxhojmë lëvizjen… për t’i minimizuar ndërprerjet dhe për t’i bërë kontrollet sa më të shpejta”, tha Antanas Montvydas, zëvendësshef i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Lituanisë, për radion lituaneze.
Pas marrjes së detyrës në maj, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili e bëri politikën më të ashpër të migracionit shtyllë të fushatës së tij elektorale, urdhëroi rritjen e pranisë policore në kufi dhe tha se disa azilkërkues do të ndalohen të hyjnë në Gjermani.
Javën e kaluar, Merz tha se Polonia dhe Gjermania po bashkëpunojnë ngushtë për t’u siguruar që kontrollet kufitare të Gjermanisë të shkaktojnë sa më pak probleme dhe vonesa.
“Mbrojtja e kufijve kundër migracionit të parregullt është një interes që Gjermania e ka, Polonia e ka dhe fqinjët tanë evropianë e ndajnë me ne”, tha të hënën Stefan Kornelius, zëdhënës i Merzit.
“Ne nuk duam kontrolle të përhershme kufitare”, shtoi ai.
Bashkimi Evropian ka një zonë udhëtimi pa viza, të quajtur Schengen, e cila u mundëson qytetarëve të shumicës së vendeve anëtare të udhëtojnë lirshëm përtej kufijve.
Zvicra është gjithashtu pjesë e zonës Schengen, edhe pse nuk është anëtare e BE-së.
Sipas BE-së, shteteve anëtare u lejohet të rivendosin përkohësisht kontrolle kufitare, në rast të ndonjë kërcënimi serioz, si siguria e brendshme.
Me rregulla, kontrollet kufitare duhet të zbatohen si mjet i fundit në situata të jashtëzakonshme dhe duhet të jenë të kufizuara në kohë. /REL