Çmimi Nobel për Letërsi i këtij viti i është dhënë poetes amerikane Louise Glück.
Glück u njoh për “zërin e saj të pagabueshëm poetik, që me një bukuri të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”, tha Akademia Suedeze, e cila mbikëqyr çmimin, njofton Klan Kosova.
Akademia shtoi se ajo ishte “befasuar” kur mori telefonatën e tyre.
Glück, e lindur në 1943 në New York, jeton në Massachusetts dhe është gjithashtu profesoreshë e anglishtes në Universitetin Yale.
Në këtë garë edhe sivjet shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ishte kandidat.
Vitin e kaluar Çmimi Nobel në Letërsi iu nda shkrimtarit austriak, Peter Handke, por ky vendim kishte ngjallur kritika të shumta.
Handke ishte një mbështetës i njohur i serbëve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, gjatë viteve 1990 dhe kishte mbajtur fjalim në funeralin e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera të luftës.