Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të premten mbrëma ka takuar të studentët dhe të rinjtë e Drenasit, para të cilëve ka paraqitur prioritetet si kryetar Komunë ne mandatin e tij katër vjeçar.
Fjalimin e tij të plotë gjatë takimit rininë e Drenasit:
Rini Demokratike e Kosovës në Drenas,
Sot, kam nderin para jush të theksoj disa të vërteta për rininë tonë të shkëlqyeshme, pak për të kaluarën time dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Jo një herë, Drenasi si qytet e dhe qytetarët e komunës tonë janë vënë në medie qoftë për ngecje apo të arritura. Jo një herë është thënë se çfarë komune është Drenasi…kishte përgjigje të përziera.
Drenasin në fillim e kanë përqeshë bijtë e saj. Ju i njihni ata. Ne në politikë, mund të kemi mospajtime, por, të bëhesh flamurtar i denoncimeve të paqena, për komunën tënde, as nuk është e ndershme as nuk është e drejtë.
Ju shumë mirë e dini se ne, secili sipas mundësive, në rini, kemi vepruar me të gjitha mjetet kundër një armiku shekullor.
Këtu në Drenas e Drenicë, ishte djepi i qëndresës tonë nacionale.
Të gjithë e kujtoni Hasan Prishtinën, Hasan Palacin. Të gjithë e dini se në Parlamentin turk ka deklaruar se “ma e madhe asht krisma e një pushke në malet e Drenicës se 100 votat e parlamentit turk”.
Ju e kujtoni rezistencën e Azem Bejtës.
Ju e kujtoni rezistencën e Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës.
Ju e njihni fuqinë titanike të Adem Jasharit.
Na jemi pasardhës të tyre.
Ju e dini se ne jemi Parti e ndërtuar nga këto vlera patriotike e demokratike, vlera të besës e sakrificës, vlera të altruizmit dhe përkushtimit për atdhe. Sot, ne krenohemi me vlerat edhe profesionale e institucionale të rinisë tonë në Drenas, ne jemi Forcë në këtë vend. Ne jemi Forcë e Ndryshimit.
Ne e fituam luftën, çmimi i saj ishte jashtëzakonisht i lartë për Drenicën dhe Drenasin. Por, mos harroni, këtë sakrificë tonën, askush s’mund as ta zvogëloj, as ta bëj të parëndësishme. Sepse ne nuk do të lejojmë që e kaluara jonë krenare të përbaltet nga askush.
Sot, ne kemi me çka krenohemi për 8 muaj që kam bërë në komunën tonë.
Disiplina në administratë e arsim, rregull në shëndetësi, cilësi në zbatimin e projekteve, zero suficit, procedurat njëvjeçare, kanë përfunduar për disa muaj.
Kemi bërë kursime 72% të buxhetit për karburante, servisime te automjeteve, telefoni, dreka e darka.
Kemi realizuar të gjitha premtimet për investimet kapitale, tenderët kanë përfunduar më 7 shtator, Kemi tejkaluar punët e infrastrukturës, ma shumë rrugë, ma shumë kanalizime e ujë të pijes. Gjysma e ekzekutivit janë gra, gjë për të cilën të gjithë jemi krenar.
Kemi shumë suksese rini e Drenasit…
Ne do të kemi së paku gjashtë herë më shumë sukses në mandatin e ardhshëm.
Ju ftoj ta njihni historinë tonë. Ajo është histori e dhimbshme por krenare, histori që nga komuna më e pazhvilluar në komunën me më së shumti projekte të realizuara,
nga 40 bursa, sivjet po i japim 100, në mot 200. Vitin e ardhshem do ta ndertojmë edhe qendrën rinore.
Parku i biznesit është shpresa jonë për zhvillim ekonomik. Këtë, vjet, ma ka konfirmue edhe Kadri Veseli, sivjet po punojmë që të aftësohet për bizneset vendore e ndërkombëtare.
Stadiumi olimpik do të jetë në komunën tonë, edhe këtë na ka premtuar Kadri Veseli.
Besomëni se në rininë time, shumëfish kam qenë më aktiv se sa jam sot, por, unë nuk ndalem.
Askush nuk mund ta ndaloj zbatimin e ligjit,
Askush nuk është mbi ligjin,
Tatimet janë obligative për të gjithë, aty askënd nuk e fali kur i detyrohet komunës,
Unë zbatoj ligj. Disa kanë menduar se nëse e përkrahin PDK-në, nuk do ta zbatoj ligjin ndaj tyre, ata e kanë pasur gabim, unë zbatoj ligj për të gjithë njëjtë.
Ju më njihni, ju e dini se asgjë nuk mund të më ndalë që ta përmirësoj jetën e qytetarit, ta përmirësoj çdo aspekt të cilësisë së jetës së qytetarit.
Ju e dini se nuk e koriti as veten, as varret e Familjes time. Sepse, unë kam një zotim, që nga rinia ime e hershme, të jem në shërbim të qytetarëve të mi. Unë po i shërbej qytetarëve të mi.
Ju duhet të më ndihmoni që Drenasi të bëhet qytet i rinisë, i perspektivës dhe zhvillimit.
Dilni derë më derë, edhe një javë kemi kohë, në mënyrën më demokratike, shpjegoni se Ramiz Lladrovci me përkrahjen e PDK-së dhe Kadri Veselit, në mandatin e ardhshëm, për tri vjet do ta mbyll çështjen e infrastrukturës, se do ta zbatoj ligjin për të gjithë njëjtë, përparimin në arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, rini e sport do t’i avansoj. Se nuk do ta kursej askënd që ka bërë keqpërdorime, sepse unë kam obligim të jem në shërbimin Tuaj, për të mirën tuaj.
Ka të tillë që nuk i pëlqen Partia Demokratike e Kosovës. Ata tashmë kanë shkuar në partitë tjera. Atë shkuarje e shoh si strehim apo azil politik të tyre.
Ne jemi ndryshimi, ne jemi Forca e Ndryshimit. Votoni asamblistët e Listës ë PDK-së, Listës më të mirë të komunës tonë.
Ne e mbajmë fjalën.
Ne jemi zotuar se premtimet i bëjmë vepra. Ju e keni parë. Ju kini besim te optimizmi ynë i përbashkët, te vizioni për një Drenas të përparuar dhe qytet të dëshirueshëm për të jetuar. Ju jeni hisedar të këtij suksesi. Ju jeni vet suksesi.
Rini Demokratike e Kosovës në Drenas, ju ftoj ta fitoni betejën politike dhe me 22 Tetor, të bëheni aksionar i të ardhmes tonë të përbashkët. Ne nuk ndalemi.
Ne jemi Forca e Ndryshimit.
Urime fitorja më 22 Tetor, në bastionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës.