Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti në një takim pune drejtorin e GIZ-it gjerman, Kai Hoffman, me të cilin Komuna është partnere që katër vite. Në këtë takim u diskutua rreth suksesit të menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Drenasit dhe mundësinë e bashkëpunimit edhe ne të ardhmen.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar z. Hoffman dhe gjithë popullin gjerman për mbështetjen që i kanë dhënë në projekte të cilat kanë qenë dhe janë në interes për qytetarët e Komunës, ndërsa ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, të cilat kanë treguar formë demokratike. Njëherit Kryetari Lladrovci ka kërkuar nga organizata gjermane GIZ të ndihmojnë në anën profesionale për organogramin e Komunës dhe dhënien e këshillave profesionale në sektorët e Komunës. Kai Hoffman ka uruar kryetarin Lladrovci për marrjen e pozitës dhe ka thënë se Drenasi do të vazhdojë të mbetet komuna më e mirë përformuese në projektin e menaxhimit të mbeturinave. Kryetari Lladrovci dhe z. Hoffman u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, me qëllim të përfitimit të grantit në garën për Komuna të pastërta, ku në këtë garë pjesëmarrëse është edhe Komuna e Drenasit, ndërsa për të përmbushur kriterin për të qenë fitues i garës për mjedis Komuna e Drenasit ka zbatuar plotësisht nenin 69 të shërbyesve civil, por edhe atij politik.