Mbi 100 karroca elektrike, karroca manuale dhe skuterë elektrikë, janë shpërndarë sot në Drenas për invalidët e luftës dhe personave me aftësi të kufizuara falë donacionit të organizatës gjermane “Selaam” dhe e organizuar nga shoqata humanitare “Ti ndihmojmë Drenicës”.
Me rastin e shpërndarjes së këtyre karrocave, ka marrë pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci dhe përfaqësuesi i organizatës “Ti ndihmojmë Drenicës”, Enver Shabani. Lladrovci tha se Komuna është angazhuar që të përkrahin këtë projekt humanitar për personat me nevoja të veçanta, me qëllim që të lehtësojnë lëvizjen e kësaj kategorie shumë të ndjeshme dhe ka falënderuar organizatën “Ti ndihmojmë Drenicës”, shoqatën “Selaam” nga Gjermania dhe shoqatat e veteranëve të luftës nga Drenasi dhe Skenderaj që kanë përzgjedhur përfituesit e këtyre karrocave, veçanërisht ka falënderuar donatorin që kanë sjellur këtë ndihmë shumë të dobishme për njerëzit në nevojë.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës “Ti ndihmojmë Drenicës”, Enver Shabani, tha se ne këtë aksion humanitar, janë përfshirë personat me aftësi të kufizuara edhe nga komunat e tjera. Shpërndarja e 105 karrocave është bërë nga përfaqësuesit e Shoqatës Humanitare “Ti ndihmojmë Drenicës” ne bashkëpunim me Shoqatat e Veteranëve të Luftës nga Drenasi dhe Skenderaj, ndërsa donacioni ishte nga shoqata humanitare “Selaam” nga Gjermania.