Kryetari aktual i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të listës së Partisë Demokratike të Kosovës për asamble komunale, e ka cilësuar këtë të fundit si fitues të sigurt të zgjedhjeve komunale në këtë komunë.
Në një postim në Facebook, Lladrovci tha se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret dhe se qytetarët e din se kush ka fjalë e kush punon.
“Kjo listë e degës së PDK-së në Drenas, siguron fitoren e PDK-së në të gjitha aspektet, andaj, edhe konsideroj se është listë që i plotëson kriteret e dëshiruara nga qytetarët, fitoren e asamblistëve të propozuar, me shumicën dërmuese”.
“Qytetari ka mbamendje, ka kujtesë dhe e di, kush punon e kush flet, kush e ka ndershmërinë e kush pabesinë, kush punon mirë e kush gënjen në çdo fjalë, kush vjedh e kush e ruan pronën dhe të mirat publike, andaj, na pret një betejë e re e cila do ta rikonfirmojë fitoren e vullnetit qytetar për punë të mira, të ligjshme dhe të dobishme për të gjithë”.
Dhe se i parë i Drenasit thotë se të gjithë kandidatët për asamble njihen nga qytetarët.
“Qytetari i njeh të gjithë ata që kanë aplikuar për asamble. Politika nuk fillon me tash, me çfarëdo liste, sepse biografia politike e secilit që përpiqet për pushtet, nuk fillon nga fjalët e tij, dëshirat apo pozat politike. Veprat janë ato që i besojnë qytetarë”.