Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka demantuar shkrimet se në degën e PDK-së në Drenas ka përçarje.
Lladrovci në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nuk ka dhe nuk mund të ketë përçarje në PDK e Drenasit.
“Jo, nuk ka vend përçarja në degën e PDK-së në Drenas, as nuk mund të ketë përçarje. Nuk e meriton këtë as anëtari i PDK-së, as Dega e PDK-së, as qytetari i Drenasit, të këtij qyteti bastion të PDK-së. Ne kemi dëshmuar unitet në të kaluarën dhe jemi unik se Drenasi duhet të zhvillohet më shumë dhe më shpejtë por edhe të ketë cilësi më të mirë të jetës për qytetarët e Drenasit. Jemi unik se duhet të sundoj ligji dhe realizohen me prioritet nevojat e qytetarëve të Drenasit. Dega e PDK-së në Drenas, më përkrah që t’i arrij këto synime”, ka thënë Lladrovci.
Ndërsa, lidhur me mundësinë që kryesuesi i KK nw Drenas, Naim Bazaj, të jetë kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet që pritet tw mbahen nw pjesën e dytw tw vitit, ai i ka quajtur spekulime dhe se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i ka dhënë sigurinë se do të jetë sërish kryetar.
“Nuk jam në dijeni nëse ka kandidat tjetër për kreun e komunës, por nga atmosfera në fshatrat ku po realizohen projektet tona, takimi me familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, qytetarët, me intelektualët, me anëtarët e kryesisë në degë, por edhe në nivel qendror, posaçërisht me Kryetarin Veseli, më japin siguri se do të jem kryetar sërish, me mandat të plotë, në shërbim të qytetarëve të Drenasit, për të realizuar plotësisht premtimet e mia, që qysh tash, mbi 30 projekte janë në proces të realizimit” ka thënë Lladrovci për Indeksonline.
Lidhur me raportet e tij me Naim Bazaj, ai ka thënë se dashakëqinjet vazhdimisht spekulojnë për marrëdhëniet e tyre, mirëpo, sipas tij, këto spekulime nuk qëndrojnë.
“Dashakëqijtë vazhdimisht spekulojnë për raportet tona, ato spekulime nuk qëndrojnë. Raportet tona, mes meje dhe Z. Bazaj, kanë qenë, janë dhe do të mbesin të mira, pa dilemë. Sigurisht se fuqizimi i Degës, angazhimit të vazhdueshëm në punët ekzekutive të komunës dhe raportet e mira ndërnjerëzore ka mundësi që i pengon ndonjërit dhe flasin për gjëra të paqena” ka deklaruar Lladrovci./Indeksonline L.TH