Llaban kishte marrë vendim pro VV-së në 2023, deputetëve nuk iu dëgjua zëri – A e dinin që rrezikonte sigurinë kombëtare edhe atëherë?

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban u bë temë kryesore diskutimi e ditëve të fundit, e krejt kjo erdhi pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e tërhoqi kërkesën e saj në Kushtetuese për sqarimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.
Ajo të martën tha se Llaban rrezikon sigurinë kombëtare dhe se për të njëjtin kanë pranuar informacione zyrtare.
E në lidhje me këtë gjyqtar, e ashpër ishte sot edhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu e cila tha se dyshohet që i njëjti bashkëpunon me BIA-në dhe Radojiçiqin.
“Radomir Llaban kishte kaluar provimin e noterisë, por informacionet që kisha pranuar nga AKI-ja ishin serioze, shqetësuese dhe të mjaftueshme për të refuzuar emërimin e tij. Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e ka komprometuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë. Serbia historikisht ka përdorur dhe përdor edhe sot agjenturën për ta shtrirë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Llaban ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq,” tha ajo, duke e konsideruar këtë si dëshmi të mëtejshme të rrezikshmërisë së përfshirjes së tij në një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Por, i njëjti gjyqtar ishte pjesë e Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2023 ku vendosën pro VV-së, në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese nga 12 deputetë të PDK-së.
Atëherë Abelard Tahiri dhe 12 deputetë të tjerë, kishin dërguar në Kushtetuese një kërkesë, ku e kontestonin seancën e 13 korrikut 2023, të cilën Glauk Konjufca e kishte thirrur pa u konsultuar me kryesinë e Kuvendit dhe e kishte caktuar për në orën 10:00.

Lexo edheEdhe Xhelal Sveçla në “albumin” e fotografive të Mefail Shkodres, të dyshuarit për vrasjet në Gjilan
Por, Gjykata Kushtetuese, ku gjyqtar raportues ishte Radomir Llaban kishte vendosur se “nuk ka çështje kushtetuese”.
Në lidhje me këtë, ka dhënë detaje gazetari Lirim Mehmetaj i cili sot përmes një postimi në Facebook tha se Vetëvendosja në këtë rast nuk bën zë fare dhe e feston vendimin.
“Por, duke parë se këta paskan pasur informacione për këtë gjyqtar, atëherë këtu mund të ngritët aludimi se këta kanë qenë duke e shtantazhuar gjatë gjithë kohës, meqë informatat publike i bënë për të vetëm pasi doli vendimi që nuk iu konvenoi. Këtu duhet hetim i menjëhershëm, për të kuptuar se si Vetëvendosja i ka përdorur informacionet e marra nga organet e shtetit për shërbime partiake”, ka shkruar Mehmetaj. /Lajmi.net/


















