Liverpool dhe Manchester United janë futur në një garë të drejtpërdrejtë për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Benficës, Orkun Kökçü, i cili tre vite më parë u përfshi në një debat të fortë për shkak të vendimit të tij për të mos mbajtur shiritin me ngjyrat e ylberit në mbështetje të komunitetit LGBTQ+.
Sipas “Caught Offside”, gjigantët e Premier League nuk janë të vetmit të interesuar për 24-vjeçarin turk, pasi në garë ndodhen edhe Tottenham, Inter, si dhe klubet më të mëdha në Turqi: Galatasaray, Fenerbahçe dhe Besiktas.
Benfica kërkon rreth 40 milionë euro për ta lënë të lirë Kökçün, i cili iu bashkua klubit portugez nga Feyenoordi për afro 25 milionë euro në vitin 2023, duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.
Liverpool shihet si favoriti kryesor për transferimin e tij, pasi Kökçü ka punuar më parë me trajnerin Arne Slot te Feyenoord dhe thuhet se dëshiron një ribashkim në Premier League – edhe pse rivaliteti me Manchester United pritet të jetë i ashpër.
Përtej cilësive teknike, mesfushori është rikujtuar edhe për një moment të diskutueshëm në vitin 2022, kur vendosi të mos mbajë shiritin e kapitenit “OneLove” gjatë një fushate në mbështetje të përfshirjes së komunitetit LGBTQ+. Ai lëshoi një deklaratë përmes klubit duke sqaruar se nuk ndihej rehat për shkak të bindjeve fetare.
“Mendoj se është e rëndësishme të theksoj se respektoj të gjithë, pa dallim feje, prejardhjeje apo preferencash. Besoj se secili është i lirë të bëjë atë që dëshiron. E kuptoj rëndësinë e kësaj nisme, por për shkak të bindjeve të mia fetare, nuk ndihem personi i duhur për ta përfaqësuar këtë kauzë,” tha Kökçü në deklaratën e tij.
Në atë ndeshje ndaj AZ Alkmaar, Kökçü shënoi një gol dhe dha një asist, ndërsa shiritin e mbajti mbrojtësi austriak Gernot Trauner.
Prej largimit nga Feyenoordi, Kökçü ka bërë 98 paraqitje me Benficën, duke shënuar 19 gola – një rekord mbresëlënës për një mesfushor.
Ndërkohë, iniciativa me shirita ylber është ende aktive në Premier League, dhe raste të ngjashme kanë ndodhur edhe atje. Ish-kapiteni i Sheffield United, Anel Ahmedhodžić, gjithashtu kishte refuzuar shiritin, ndërsa mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, kishte shkruar mbi të mesazhe si “I love Jesus” dhe “Jesus loves you”.
Nëse Kökçü transferohet në Angli, kjo temë mund të rikthehet sërish në vëmendje, ndërkohë që vlerat e tij në fushë e bëjnë një nga objektivat më të kërkuar të merkatos verore./GazetaExpress/