Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për “manipulim politik” për shkak të përbërjes “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve për numërimin e votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjatë një konference për media më 8 shtator, kjo parti pati edhe kritika me listat zgjedhore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Prandaj, nga Lista Serbe thanë se kanë parashtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media tha se, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti, është vërejtur një numër më i vogël i votuesve në disa komuna, veçanërisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.
Sipas pretendimeve të Simiqit, në Leposaviq në listën e votuesve janë rreth 1.500 më pak votues, ndërsa në Mitrovicën e Veriut rreth 1.200.
“Arritëm të konstatojmë se votuesit në Mitrovicën e Veriut janë fshirë nga qendra e votimit në shkollën fillore ‘Sveti Sava’, ku votojnë qytetarët serbë. Ky është një numër i madh votuesish që mund të ndikojë në mënyrë drastike në rezultatet e zgjedhjeve si për asamblistë, ashtu edhe për kryetar komune”, deklaroi Simiq.
Ai shtoi se në komunën e Graçanicës, afër Prishtinës, është “rritur në mënyrë drastike” numri i votuesve, përkatësisht se ka mbi 2.000 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Simiq tha se Lista Serbe nuk ka arritur të marrë shpjegim nga KQZ-ja lidhur me këto çështje dhe i bëri thirrje PZAP-it, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të reagojnë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar KQZ-së për akuzat e Listës Serbe, por nga ky institucion ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Lista Serbe pretendoi se KQZ-ja i ka shkaktuar dëm kësaj partie edhe sa i përket përbërjes të këshillave të vendvotimeve.
“Në komunën e Novobërdës ka 23 vendvotime. Lista Serbe në zgjedhjet parlamentare fitoi 60 për qind të votave, por ne nuk kemi asnjë kryesues në vendvotim [në këtë komunë]. Dhe jo vetëm kaq, na mungojnë nëntë anëtarë të këshillave të vendovotimeve, që do të thotë se në nëntë klasa Lista Serbe nuk do të mund të kontrollojë këtë proces zgjedhor”, tha Simiq.
Si shembull të “shkeljes së ligjit” dhe të ashtuquajturit “manipulim politik”, Lista Serbe përmendi edhe komunën e Parteshit, ku kjo parti tha se ka vetëm një kryesues në një nga shtatë vendvotimet, edhe pse, siç tha Simiq, në zgjedhjet parlamentare kishte fituar afërsisht 90 për qind të votave.
Lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve, Lista Serbe kishte pasur pakënaqësi edhe para zgjedhjeve të shkurtit, duke e akuzuar KQZ-në se i kishte shkaktuar dëm, pasi në shumë komuna nuk kishte anëtarë “për të kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator konfirmoi listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.
“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, u tha në njoftim.
KQZ gjithashtu bëri të ditur se për zgjedhjet lokale do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021. /REL