Në garën për Asamblenë Komunale të Zveçanit, Lëvizja Vetëvendosje hyri me një listë prej 15 kandidatësh, prej të cilëve 14 ishin nga familja Peci dhe vetëm një me mbiemrin Kelmendi.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve e renditi VV-në në vendin e katërt në këtë komunë, ndërsa më i votuari nga lista ishte bartësi Fetah Peci, i cili mori gjithsej 92 vota, transmeton lajmi.net.
Përveç tij, vetëm dy kandidatë të tjerë nga familja Peci arritën të kalojnë pragun prej 10 votash – Bastri Peci me 15 vota dhe Xhevdet Peci me 12. Ndërkohë, dy nga kandidatët e tjerë të listës nuk morën asnjë votë, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Formimi i një liste kaq të ngushtë familjare ka ngjallur diskutime në opinionin publik për qasjen e Vetëvendosjes në këtë komunë me shumicë serbe, ku pjesëmarrja në zgjedhje dhe përfaqësimi politik vazhdojnë të jenë sfida të mëdha./lajmi.net/