Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se pasi presidentja Vjosa Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të martën “është një situatë tjetër”.
Ai tha se Kushtetuesja duhet “të ndihmojë në qartësimin e çështjes rreth Kuvendit”, dhe më pas, sipas tij, do të krijohen institucionet.
“Dhe unë besoj atëherë do të krijohet edhe shumica për Parlament, edhe për Qeveri dhe Kosova do t’i ketë institucionet”, tha ai pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive.
Kërkesa e dorëzuar nga Osmani në Kushteuese, Limaj tha se “e ndihmon procesin edhe aktualisht edhe në të ardhmen”.
“Edhe në interesin e partive politike është që të pritet vendimi i gjykatës”, tha ai.
Limaj tha se Nisma “nuk beson në zgjedhje parciale”/
“Ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendit, dhe e krijon qeverinë”.
Ai tha se partia e tij “nuk do të kontribuojë në zgjidhjet gjyskame që do të shkaktonin zgjedhje”.
Limaj tha se në tavolinën e bisedimeve me Kurtin kanë opsionet e të dyja palëve.
“Për mua, e rëndësishme është që vullneti i qytetarëve të Kosovës në zgjedhje”, tha ai.
“Kryetari i cili i ka fituar votat duhet ta drejtojë qeverinë. Deputetët përreth duhet ta ndihmojnë kryetarin e tyre për ta implementuar vullnetin qytetar në qeverisje”, tha Limaj.
Kryetari i Nismës tha se do të kenë “kohë të mjaftueshme” dhe se “një vendim i Gjykatës do ta qartësojë përfundimisht këtë”.
“Jo shumicë me episode. Jo shumicë gjysmake. Jo shumicë që e zgjedhë kryetarin e Kuvendit e pastaj shkon drejt zgjedhjeve. Ne nuk jemi të interesuar”, tha Limaj, ndërsa foli për takimet me Kurtin.
“Ka përpjekje, ka angazhime. Besoj që do të ketë edhe takime të tjera”, tha ai.
Për detajet e bisedimeve me Kurtin, Limaj nuk deshi të fliste.
“E rëndësishme që në tavolinë ka opsione. Për korrektësinë, e kërkoj mirkuptimin tuaj. Nuk mund të shkojmë atje derisa s’ka diçka konkrete”, tha ai.