Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka sqaruar arsyet pse nuk u arrit një koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, dy faktorë kryesorë e bënë të pamundur bashkëpunimin: elektoratet e ndryshme të dy partive dhe koha e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit, transmeton lajmi.net.
Në një intervistë në Debat Plus, Limaj tha se kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar qasjen dhe mënyrën e tij të të menduarit.
Megjithatë, ai theksoi se barrierat e së kaluarës dhe lëvizjet e elektoratit nuk do t’i mundësonin të jepte kontribut të plotë brenda një koalicioni të përbashkët.
“NISMA dhe LDK kanë dy elektorate të ndryshme… tani për tani është e pamjaftueshme. Kam pasur dyshime se nuk do të mund të jap kontribut për shkak të lëvizjes së elektoratit. Do të gjejmë forma të bashkëpunimit paszgjedhor”, u shpreh Limaj.
Ai konfirmoi se NISMA do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa e vlerësoi bashkëpunimin dhe takimet me Abdixhikun si të rëndësishme./lajmi.net/