Lideri i opozitës në Gjeorgji tenton t’i vëjë flakën gjykatës

Autoritetet gjeorgjiane ndaluan këtë të shtunë liderin e një partie opozitare nën dyshimin se kishte tentuar t’i vinte zjarrin ndërtesës së Gjykatës së Qytetit të Tbilisit.
Aleksandre Elisashvili hyri me forcë në ndërtesën e kancelarisë së gjykatës në kryeqytetin gjeorgjian në agim, duke thyer një dritare me çekiç dhe më pas derdhi benzinë në perimetrin e zyrës, shkruan Associated Press.
Të paktën kështu tha Ministria e Brendshme në një deklaratë në Facebook.
47-vjeçari, i cili themeloi partinë Qytetarët dhe ka qenë më parë deputet opozitar, mbante një armë zjarri dhe plagosi një zyrtar gjykate gjatë arrestimit.

Lexo edheSituata në Ukrainë, Moldavia detyrohet të mbyllë hapësirën ajrore
Pamjet e publikuara nga autoritetet dukeshin se tregonin një pistoletë në tokë, një shishe benzine, një çakmak dhe xham të thyer.
Partia Qytetarët, e cila bën pjesë në koalicionin Lelo-Strong Georgia, është një nga tre grupet kryesore opozitare në vend. Autoritetet gjeorgjiane e kanë intensifikuar presionin ndaj partive opozitare. Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ndalimin e tre grupeve kryesore opozitare: Lëvizja Kombëtare e Bashkuar, Akhali/Koalicioni për Ndryshim dhe Lelo.
Disa liderë opozitarë janë në burg, në mërgim ose përballen me akuza penale, të cilat kundërshtarët i cilësojnë si të motivuara politikisht.














