Granit Xhaka është sot njëri prej futbollistëve më të përfolur shqiptarë në afatin kalimtar të verës.
Ylli kosovar po kërkohet nga disa skuadra evropiane, por edhe më gjerë, ndërsa po e përgatit terrenin për t’u larguar nga Bayer Leverkuseni pas eksperiencës së suksesshme dyvjeçare.
Drejtori sportiv i klubit, Simon Rolfes e ka konfirmuar interesimin e klubeve për përfaqësuesin zviceran, i cili e fitoi titullin e parë dhe historik me “Farmaceutikët” në Bundesligë vitin e kaluar, shkruan “Gazeta Express”.
Mediat e huaja shkruanin së fundmi se 32 vjeçari kishte bërë marrëveshje personale me klubin nga Arabia Saudite, Neom SC, i cili ia ka ofruar një rrogë vjetore prej 10 milionë eurosh.
Ndërkohë, për të së fundmi në garë është futur edhe klubi i rikthyer në Premierligë, Sunderland, i cili i ka ofruar kontratë trevjeçare dhe do t’ia jepte mundësinë për të luajtur përsëri në kampionatin anglez, ku kishte luajtur me sukses për shtatë vjet tek Arsenali.
Gjithashtu, ish-futbollistin e Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit e duan edhe në Itali, gjigantët Milan, Inter dhe Juventus.
E për situatën aktuale të djaloshit nga Kosova ka folur drejtori sportiv i Kuqezinjve.
“Ka interes, por ende nuk ka asgjë konkrete. Aktualisht po e finalizojmë skuadrën, e cila duhet të jetë rreth 95% e plotë në këtë fazë të përgatitjeve”, deklaroi fillimisht Rolfes për mediat gjermane.
“Graniti është një pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Kjo është arsyeja pse vendimi do të merret shumë shpejt”, ka shtuar Rolfes, duke paralajmëruar se një vendim final për kapitenin Xhaka do të merret në ditët në vazhdim.
Pas largimit të yjeve kryesore të ekipit dhe të trajnerit Xabi Alonso, duket se futbollisti me prejardhje llapjane nuk ka më motiv të luajë në Leverkusen dhe po e kërkon po asht ulargimin.
Në sezonin 2024/25, Xhaka i ka zhvilluar 49 ndeshje me Leverkusenin në të gjitha kompeticionet, ndërsa i ka realizuar 2 gola dhe i ka bërë 7 asistime. /Gazeta Express