Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që Presidenti i Kosovës, është i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë.
Sipas LDK-së, ende pa nisur mirë ky dialog, Presidenti hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në një komunikatë për media të LDK-së.
Duke ju referuar deklaratave të Presidentit, LDK konsideron që proces i pakushtëzuar ndaj rendit kushtetues tone dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Prandaj, sipas LDK-së është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.