Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të mbajë Kuvendin e Punës sot me fillim nga ora 10:00 në një hotel të Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i LDK-së, ka thënë dje për mediat se në Kuvendin e Punës së LDK-së do të diskutohet për sfidat lidhur me përgjegjësinë që ka marrë LDK-ja për të qeverisur dhe rrugën që duhet ndjekur për realizimin e premtimeve të dhëna, raporton Koha.net.
Pjesëmarrjen, edhe pse i është vënë ndalesë hyrjeje, e ka paralajmëruar edhe kryetarja e kontestuar e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla Shwarz.
Dy ditë më parë, Kryesia e LDK-së mbajti mbledhjen me anë të së cilës vlerësoi se debati i deritanishëm nëpër degë, diskutimet dhe propozimet tejet përmbajtjesore e konstruktive në Këshillin e Përgjithshëm do të përmbyllen me sukses dhe rezultate konkrete në Kuvendin Punues.
Ata kanë thënë se ndryshimet dhe propozimet do të konfirmohen në Kuvendin e Punës.