Profesori universitar dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Latifi, ka thënë se arsyeja e vizitës së ambasadorit amerikan në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje është deklarimi që zyrtarë të partisë së Albin Kurtit kanë bërë sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit.
“Kosnet i paska shku në zyrë Kurtit.Nuk është e vështirë të kuptohen arsyet: deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve të tij se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit, të cilës, siç tanimë dihet, i qëndron prapa edhe administrata e re amerikane”, ka shkruar Latifi. Ai tutje thotë se shpreson që Kurti të ketë marrë mësim dhe të sillet si kryeministër i Kosovës dhe jo si militant.
“Uroj që Kurti të ketë marrë mësim e të jetë imunizuar nga kjo budallaki e ushqyer vazhdimisht nga broçkullat e internacionalës socialiste dhe të filloj të sillet si kryeministër shqiptar i Kosovës e jo si militant i devotshëm i kësaj internacionaleje”, ka përfunduar Latifi.
Dje Albulena Haxhiu në një intervistë për KTV ka thënë se përveç njohjes së Izraelit, Qeveria Kurti nuk do të shtyjë përpara asnjë pikë të marrëveshjes se Uashingtonit.
Ndërkohë edhe vet Kurti ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet për qytetarët./Express/