back to top
Friday, December 12, 2025
BallinaLajmeLajm i hidhur nga Skenderaj: Ndërron jetë mësuesi i shumë brezave Osman...

Lajm i hidhur nga Skenderaj: Ndërron jetë mësuesi i shumë brezave Osman Jakupi (FOTO)

Të ngjajshme

Ka ndërruar jetë sot, më 12 dhjetor 2025, në moshën 77-vjeçare, mësuesi i njohur dhe i nderuar i fshatit Baks, Osman Jakupi, i lindur më 10 dhjetor 1948. Ai u shua pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një jetëplotë kontributesh në arsim dhe një histori të rëndë të përjetuar gjatë kohës së luftës.

Mësuesi Osman Jakupi ia kushtoi mbi katër dekada arsimit dhe edukimit të gjeneratave të tëra, duke u cilësuar si një nga figurat më të respektuara të komunitetit. Përkushtimi, disiplina dhe dashuria që kishte për nxënësit lanë gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njohën.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, mësuesi Osman u arrestua dhe u burgos politikisht nga forcat okupatore serbe. Tragjedia e goditi familjen e tij rëndë: serbët vranë vëllain e tij, Haxhiun, si dhe dy djemt e vëllait, Fazliun e Muhametin, ky i fundit ende fëmijë. Pas këtyre krimeve, Osmanin e arrestuan dhe torturuan barbarisht, duke i lënë plagë të rënda fizike e shpirtërore.

Në burg, ai jetonte me ankthin për fatin e dy djemve të tij, Meni dhe Gazi, si dhe të djemve të vëllait, Avnit dhe Bajramit. Pa asnjë informacion nëse kishin mbijetuar nga sulmi, ai ua shprehte dhimbjen e mallin nëpër letra që i dërgonte përmes Kryqit të Kuq.

Edhe pas luftës, mësuesi Osman vazhdoi misionin e tij fisnik në arsim, deri në pensionim. Vuajtjet dhe torturat e përjetuara gjatë kohës së luftës lanë pasoja të rënda shëndetësore, të cilat e shoqëruan deri në fund të jetës.

Familja, kolegët, ish-nxënësit dhe mbarë komuniteti e kujtojnë si njeri të urtë, të drejtë dhe të përkushtuar, i cili gjithë jetën ia kushtoi dijes dhe atdheut.

I qoftë i lehtë dheu!

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz