Lajm emocionues nga Skenderaj: Pas 70 vitesh nipat kthehen në Skenderaj nga Turqia, gjyshi ju kishte lërë amanet

Nga një familje e shpërngulur me dhunë në Turqi, te nipërit që rikthehen në Kosovë për të ndërtuar shtëpitë e tyre
Në vitin 1956, një familje e madhe nga Prekazi u detyrua të shpërngulej drejt Turqisë. Ishte familja e Zenë Zeqirit, një histori e dhimbshme e ndarjes nga vendlindja, por edhe e një dashurie për Kosovën që do të mbijetonte për breza.
Zena ishte më i madhi nga katër vëllezërit.
I dyti, Ajeti, u vra në fshatin Ticë gjatë kryengritjes së Shaban Polluzhës. Varri i tij ende dallohet në cepin e një are. Sipas rrëfimit, atë e kishte varrosur axha i familjes, me duart e veta.
Vëllai i tretë, Lahu, ishte pjesëtar i Divizionit “Skanderbeg”. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai u largua nga Kosova dhe rrugët e emigrimit e çuan deri në Australi.
Ndërsa vëllai i katërt, Hamza, humbi jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak, në vitin 1949.
Pas gjithë këtyre tragjedive, Zena mbeti të kujdesej për fëmijët e tij dhe jetimët e vëllezërve. Në vitin 1956, familja mori rrugën drejt Turqisë.
Thuhet se u larguan natën dhe se, kur kushërinjtë hynë në shtëpinë e tyre, gjetën sofrën ende të shtruar në mes të shtëpisë.
Një tjetër rrëfim i dhimbshëm tregon se qeni i familjes i ndoqi deri në stacionin e trenit në Vushtrri. Më pas u kthye dhe, për një kohë të gjatë, u end rreth shtëpisë dhe varreve të familjes në Bucinë.
Familja u vendos në Izmir. Por Zena mori një vendim të prerë: familja e tij nuk duhej të asimilohej.
Ai u la porosi fëmijëve të martoheshin me shqiptarë, të ruanin gjuhën shqipe dhe të mos e harronin kurrë prejardhjen e tyre.
Zena vdiq në vitin 1964.
Shtatëdhjetë vjet më vonë, amaneti i tij duket se është përmbushur.
Sipas rrëfimit të Blerim Latifit, këto ditë është mësuar se tre nipa të Zenë Zeqirit janë kthyer në Kosovë. Ata kanë aplikuar për nënshtetësinë e Kosovës dhe në Skenderaj kanë vendosur të blejnë tokë për të ndërtuar shtëpi dhe për t’i sjellë familjet e tyre në vendlindjen e të parëve.
Një histori që nisi me shpërngulje, dhimbje dhe ndarje, pas shtatë dekadash po përfundon me rikthim.
Sepse kujtesa dhe dashuria për vendlindjen mund t’i mbijetojnë mërgimit, shpërnguljes dhe brezave.
Amaneti i Zenë Zeqirit nuk u harrua. Ai u kthye në Kosovë.

Lexo edheGanimete Musliu publikon video, ne po e presim në parlament e Albin Kurti po noton në pishinë të Bajës së Malishevës ( VIDEO)













