Muhamet Osmani nga Prekazi i Skenderajt, por me banim në Mitrovicë ka mbetur i vrarë dje në orët e hershme të mëngjesit në një restorant që ndodhet në udhëkryqin Lipjan-Janjevë. 36-vjeçari nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra nga revolja e tipit TT, shkruan Insajderi.
Ndërkaq varrimi i të ndjerit u bë rreth orës 16:00 në fshatin e tij të lindjes në Prekaz të Skenderajt, transmeton Drenica Press.
Por lidhur me të dyshuarin e dorasit Insajderi nga burimet e tij ka mësuar se Osmani është vrarë nga miku i tij, Ylber Zekolli i cili vazhdon të gjendet në arrati.
Rasti ka ndodhur për shkak të një konfliktit që Zekolli besohet ta ketë pasur me disa persona të tjerë. Zekolli kishte shtënë me armë zjarri, ku besohet se gabimisht ka qëlluar mikun e tij, Muhamet Osmani.
Muhamet Osmani ka qenë i shoqëruar në restorant me Ylber Zekollin, i cili gjatë ndejës ka pasur problem me disa persona aty. Ai ka shtënë në drejtim të tyre, ku nga të shtënat i plagosur ka mbetur miku i tij, Muhameti”, ka thënë ky burim.



