Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në qytetin e Prizrenit, ku një burrë ka sulmuar me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.
Rasti ka ndodhur rreth orës 02:15 në rrugën “Rexhep Kabashi”, ku janë raportuar plagosje të rënda të dy viktimave.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije ekskluzivisht se i dyshuari është Bashkim (Ramiz) Gashi, rreth 51-vjeçar.
Sipas informacioneve zyrtare, ai është arrestuar në vendin e ngjarjes menjëherë pas incidentit dhe është shoqëruar në stacionin policor për procedurat e mëtejme hetimore.
Viktimat janë bashkëshortja e tij, dhe vajza e mitur. Të dyja janë goditur me mjet të mprehtë – thikë dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Vajza e mitur, ndërkohë, është gjetur në katin e fundit të ndërtesës me plagë të shumta dhe gjendje të rëndë.
Të dyja janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konfirmuar se gjendja e tyre vazhdon të jetë kritike.
I dyshuari, Bashkim Gashi, po përballet me dy akuza të rënda penale:
Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë
Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
Prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër për ndalimin e tij për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivet e sulmit të rëndë.