Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur që dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik, duke e bërë atë të pavlefshëm.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga Kryeministri Albin Kurti, në emër të Qeverisë, si dhe nga deputetja Arbërie Nagavci së bashku me 30 deputetë të tjerë.
Gjykata Kushtetuese, me vendim unanim, e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është i pavlefshëm dhe pa efekt ligjor.
Po ashtu, deputetëve të Kuvendit u është dhënë një afat prej 34 ditësh për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
“TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin brenda këtij afati, atëherë ai shpërndahet automatikisht, dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh, në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata gjithashtu ka bërë të ditur se masa e përkohshme e vendosur më 9 mars shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi.
Ky vendim hap një fazë të re politike në vend, me fokus të menjëhershëm në zgjedhjen e Presidentit, ndërsa dështimi për ta bërë këtë do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. /Lajmi.net/