Prodhuesi amerikan i energjisë elektrike, ContourGlobal, ka zgjedhur katër investitorë të mundshëm për ndërtimin e “Kosovës së Re”, një termocentral me qymyr prej 500 megavatësh në Kosovë, i cili pritet të kushtojë rreth 1.3 miliard euro.
Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal bashkërisht i kanë komunikuar rezultatet e procesit të përzgjedhjes fillestare për të siguruar Kontraktimin për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Pas shpalljes së procesit të Përzgjedhjes Fillestare në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga ContourGlobal, rezultatet e të cilave pastaj i ka njohur Qeveria e Kosovës. Pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre gjashtë aplikantëve janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.
Ofertuesit e parakualifikua janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai. Këta ofertues gjithashtu kanë ofruar furnizime me pajisje nga Doosan, General Electric, IHI, Mitsubishi Hitachi Power Systems, Rafako, Siemens dhe Toshiba, si dhe shërbime afatgjata të mirëmbajtjes nga Alstom Power Service; General Electric; KEPCO; konsorciumi i KEPS, HPS, dhe OES; dhe një konsorcium i Mitsubishi Hitachi Power Systems, ENKA dhe Técnicas Reunidas.
“Ne jemi të kënaqur që kemi tërhequr ndërtuesit më të mëdhenj të elektranave në botë për termocentralin “Kosova e Re”. Termocentrali do të përmirësojë në masë të madhe furnizimin me energji elektrike, do të sigurojë energji më të pastër dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke u bërë kështu instrument i një perspektive të zhvillimit të fuqishëm për ekonominë e vendit tonë. Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal janë të angazhuara që fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2019”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kurse, Joseph Brandt, themelues dhe drejtor i ContourGlobal, ka thënë se: “Kosova e Re është vendimtare për të ardhmen e furnizimit me energji të Kosovës dhe ne jemi të kënaqur që kemi pranuar ofertat para-kualifikuese dhe financim të propozuar nga kontraktuesit më të mëdhenj dhe më të respektuar në nivel global”.