back to top
Monday, September 15, 2025
BallinaLajmeKush ishin 52 dëshmitarët e Prokurorisë që dëshmuan hapur në gjykimin ndaj...

Kush ishin 52 dëshmitarët e Prokurorisë që dëshmuan hapur në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Të ngjajshme

Ymeri: Presidentja ka keqpërdorur pozitën e saj në rastin me kameramanin

Analisti politik Visar Ymeri, në emisionin “VV Show” të...

Ekspozita Vjetore e Fakultetit të Arkitekturës, hapet sot në UP

Edicioni i 13 i Ekspozitës Vjetore të Fakultetit të...

Stojkoviq publikon pamje: Vuçiq po përdor Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij terrorist për sigurinë politike

Avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq, ka akuzuar publikisht presidentin...

“Rruga e pulës”, skema e re e mashtrimit në internet që po zhvat shqiptarët

Por teksa Policia zbuloi autorët pas skemave piramidale që...

Në mesin e 256 dëshmive të pranuara në provat gjyqësore gjatë paraqitjes së çështjes së Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, 125 prej tyre u dëgjuan në sallën e gjyqit.

Nga ky numër i dëshmitarëve që dëshmuan në këtë gjykim, vetëm identiteti i 52 prej tyre u bë i ditur për publikun. Ndërsa, 73 të tjerë dëshmuan me masa mbrojtëse që përfshinin dhënien e dëshmisë pa figurë dhe me zë të ndryshuar.

Ndonëse numri dëshmitarëve të hapur ishte dukshëm më i vogël se dëshmitarëve me masa mbrojtëse, në këtë proces dëshmuan ndërkombëtarë, figura nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shqiptarë e serbë.

  1. Komandant Remi

Dëshmitari i parë i paraqitur pa masa mbrojtëse në këtë proces ishte ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa apo ndryshe i njohur si komandant Remi.

Përpara tij kishin dëshmuar 12 dëshmitarë me masa mbrojtëse deri sa i erdhi radha Remit.

Dëshmitari Mustafa ka folur për katër të akuzuarit, duke iu referuar një vizite të Shtabit të Përgjithshëm në Zonën Operative të Llapit. Ai fillimisht kishte thënë se nuk e ka ditur atë kohë pozitën e Hashim Thaçit, por e ka njohur si ushtar të UÇK-së, i rëndësishëm për luftën.

Kurse për Jakup Krasniqin, kishte thënë se ishte zëdhënës i UÇK-së e që ai e kishte njohur gjithmonë si të tillë edhe pse kishe parë dokumente që diku kishte shkruar titullin zëvendës për të. Ndërkaq, për Rexhep Selimin kishte thënë se ka qenë inspektor i përgjithshëm në UÇK dhe anëtar Shtabi. Për të, ai ka thënë se e ka respektuar si luftëtar të zotin dhe njeri të rëndësishëm në organizimin e luftës, duke qenë këmbëngulës që UÇK-ja të organizohet sa më mirë. Kurse për Kadri Veselin kishte thënë nuk e ka ditur pozicionin e tij gjatë luftës e as që e ka folur këtë ndonjëherë, por tha se e ka ditur që ka qenë në shtab.

Veç kësaj, Remi kishte thënë se Komandantët e zonave e konsideronin veten të pavarur nga Shtabi i Përgjithshëm duke e përfshirë edhe vetën.

Pasi kishte përfunduar dëshminë e tij, Remi kishte shkruar në Facebook se ishte e rëndë ndjesia të kesh përballë bashkëluftëtarët me akuza aq të padrejta.

  1. Francis Ledwidge

Francis Ledwidge ishte dëshmitari i dytë i cili dëshmoi në publik në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ndërsa në proces ishte i 14-ti me radhë.

Ledwidge dëshmoi si oficer i shërbimeve inteligjente të Britanisë e që kishte shërbyer në Kosovë në kuadër të misionit të OSBE-së. Ai kishte thënë se roli i tij në Kosovë ishte hetimi për të drejtat e njeriut lidhur me personat e zhdukur dhe persona që janë ndaluar nga UÇK-ja rreth korrikut të 1998-ës.

Paraprakisht, ai kishte pohuar se nuk ka qenë në njohuri të strukturës së UÇK-së në përgjithësi e as në strukturën e Rahovecit e Malishevës.

Tutje ai kishte thënë se emrin e Jakup Krasniqit e kishte njohur se ishte zëdhënës dhe se kishte dëgjuar për praninë e tij në Malishevë dhe se, sipas tij, i kishin thënë se është i njohur gjerësisht, por kishte shtuar se personalisht nuk e kishte parë në lajme apo televizion.

Ladwidge kishte thënë se i kujtohet se ishin përpjekur të takoheshin me Krasniqin por nuk e di nëse është refuzuar takimi me të apo se nuk ia kishin dalë të takoheshin me të.

  1. Dragica Bozhaniq

Dragica Bozhaniq, gjatë dëshmisë së saj tha se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) rrëmbyen burrin dhe djalin e saj dhe se prej atëherë nuk i ka parë asnjëherë.

ZPS-ja, në përmbledhjen e deklaratave të saj, e cila kishte treguar se në fshatin e saj Opterush në Rahovec, gjatë natës së 18 korrikut, ajo dhe anëtarë të familjes janë sulmuar nga UÇK-ja, e që të njëjtin ishin dorëzuar dhe i kishin dërguar me veturë në një fshat afër.

Sipas saj, i kishin ndarë burrat dhe gratë dhe ishin dëgjuar zërat kur burrat ishin rrahur nga anëtarë të UÇK-së. Më tej thuhet se atë e kishin dërguar te bashkëshorti i saj dhe i kishin dhënë një letër që t’iu dërgohej fshatarëve të fshatit Zoqishtë, që t’i dorëzohen UÇK-së.

Dëshmitarja gjatë dëshmisë së saj tha se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe nuk ka qenë asnjëherë në ushtrinë serbe pasi që ka pasur probleme shëndetësore, por tha se burrat tjerë kishin detyrim për ta kryer shërbimin ushtarak e që deri vonë ky ka qenë obligim edhe për shqiptarët.

  1. Agim Idrizi: Ndalimi im u bë për arsye private dhe nuk ishte çështje e UÇK-së

Agim Idrizi ishte dëshmitari i radhës i cili dëshmoi pa masa mbrojtëse në këtë rast. Megjithatë, në proces ky dëshmitar ishte i 14-ti.

Lidhur me këtë dëshmitar, prokurori James Pace kishte thënë se Idrizi është shqiptar i Kosovës dhe që është marrë nga disa anëtarë të UÇK-së në mars të vitit 1999.

Para ndalimit, thuhet se dëshmitari ka shitur drunjë për disa policë serbë dhe se ai ka mbështetur UÇK-në por se nuk është kyçur asnjëherë në UÇK.

Agim Idrizi, gjatë dëshmisë së tij, ka mohuar të ketë qenë polic i institucioneve serbe apo roje pylli.

Tutje, tha se me kryetarin e këshillit të komunës atëkohë, Radislav Organjoviq nuk ka folur asnjëherë për t’u kyçur në forcat e sigurisë serbe.

“Nëse dikush mundet me gjet emrin tem që kam punu polic qysh shkrun në dokument, ai është hasmi jem ma i madhi që ka thanë se Agim Idrizi o polic e roje pylli, këto nuk janë të vërteta, mundeni me pyt n’Kaçanik atje, e din shumë mirë”, tha i njëjti.

Idrizi ka thënë se ndalimi dhe arrestimi i tij është bërë për arsye private dhe se nuk është çështje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por një problemi që kishte pasur me disa persona për një tokë.

Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitari shpesh herë ka folur i emocionuar dhe duke paraqitur shqetësimin e tij se i është shkatërruar familja dhe jeta e tij dhe se pa argumente kanë dashur të i bëjnë keq.

  1. Frederick Abrahams

Frederick Abrahams, nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, në cilësi të dëshmitarit të 22-të, ka thënë se ka pasur frikë të flitet për krimet e pretenduara të bëra nga UÇK-ja.

‘‘Në rastin e hetimit shkeljeve të pretenduara të bëra nga UÇK-ja, intervistat ishin të vështira se kishte hezitim dhe frikë me fol haptazi për këtë çështje’’, kishte thënë ai.

Ky dëshmitar ishte pjese e një raporti ku ishte shkruar për një masakër që ishte pretenduar që është kryer nga UÇK-ja pas gjetjes së trupave të pajetë në Liqenin e Radoniqit. Ai gjatë dëshmisë kishte thënë se do përpilonte ndryshe fjalitë në raportin ku është folur për rastin e trupave të pajetë në Liqenin e Radoniqit.

Ndërsa ai gjithashtu ishte përballur edhe me një pjesë të raportit në të cilën disa vrasje afër Gllogjanit ia kishte atribuuar komandantit të zonës.

“Komandantët e zonave kryenin krime, është e qartë si në vrasjen e shtatorit pranë Gllogjanit, komandantët e zonave duhet të kishin dikur në mos të kishin urdhëruar drejtpërdrejtë vrasjet’’, thuhej në raport.

Për këtë, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson kishte thënë se 9 prej viktimave sa kanë qenë gjallë, për herë të fundit kanë qenë nën ruajtjen e serbëve, e që dëshmitari kishte thënë se ‘‘duke ditur ato që dimë sot, këto fjali do e përpiloja ndryshe’’. Pas kësaj, avokati e kishte njoftuar dëshmitarin se gjykimi për këtë çështje ka mbaruar dhe se personi është i pafajshëm dhe se është vërtetuar se nuk kishte organizatë të përbashkët kriminale dhe as nuk kishte lidhje me asnjë nga komandantët e zonave.

‘‘E pranoj gjithsesi se formulimi duhet të ishte bërë ndryshe’’, tha Abrahams kurse avokati Emmerson tha se çështja shkon përtej sepse vrasjet janë përshkruar si të kryera nga forcat e UÇK-së.

Ndërsa, dëshmitari nënvizoi se pretendimet i kishin marrë nga pala serbe. Kurse, avokati i kishte thënë dëshmitarit se kanë bërë reciklim të lajmeve serbe.

  1. Donglas Young

Gjatë përmbledhjeve të lexuara nga Prokuroria, u tha se Donglas Young ishte nënkolonel i ushtrisë britanike dhe është dislokuar në misionin e vëzhguesve diplomatike dhe pjesë e verifikuesve të OSBE-së në Kosovë më 1998 dhe 1999.

Tutje, u tha se ai ishte larguar nga Kosova në mars 1999 dhe u kthye për të shërbyer me KFOR-in si zëvendëskomandant- zëvendës-koordinues për Malishevën dhe Rahovecin dhe kishte raportuar për qendrën numër 1. Për të, u tha se ka bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për persona të zhdukur dhe të rrëmbyer dhe për të gjetur ku ndodheshin këta persona të rrëmbyer nga UÇK-ja. Ndërsa, për strukturën e UÇK-së, Young kishte thënë se nuk ka pasur detaje konkrete për të.

  1. Nebojsha Radosheviq

Nebojsha Radosheviq është ish-reporter nga Kosova i Agjencisë Shtetërore Serbe të lajmeve, Tanjug i cili dëshmoi si dëshmitari i 28-të i Prokurorisë në këtë rast. Ai erdhi të dëshmojë lidhur me arrestimin e pretenduar që iu ishte bërë atij dhe fotoreporterit, Vladimir Dobriciq nga UÇK-ja.

Radosheviq ka pranuar që në vitin 2019 kur ka dhënë intervistë për ZPS-në i pranishëm ishte edhe një prokuror serb.

Në një moment gjatë pyetjeve të bëra, avokati Gregory Kehoe i tha dëshmitarit Radosheviq se ai dhe Dobriciqi ditën e arrestimit nga UÇK-ja kanë shkuar për të marrë informata për Shërbimin Informativ Serb. Radosheviq kishte thënë se nuk ka ushtruar padi për ato të cilat pretendon se i kanë ndodhur nga UÇK-ja, me arsyetimin se “shteti ishte në luftë me UÇK-në”.

Përveç kësaj, ai kishte thënë se në vendin ku po mbahej i arrestuar, UÇK-ja kishte keqtrajtuar edhe dy policë. Kurse, për Hashim Thaçin, dëshmitari kishte thënë se kishte dëgjuar për të pas lirimit të tij nga UÇK-ja. Ky dëshmitar ishte përballur me deklarata kundërthënëse të vetat e po ashtu edhe të Dobriciqit.

  1. Predrag Dediq

Predrag Dediq ishte dëshmitari serb i cili në gjykimin në Hagë erdhi me pretendimet se katër ushtarë të UÇK-së ia rrëmbyen djalin dhe më s’e ka parë.

Këta ushtarë, tha se kishin shkuar edhe në shtëpinë e dëshmitarit dhe i kishin kërkuar që të dorëzonin të gjitha armët dhe u urdhëruan që të largoheshin nga apartamenti.

“Në qershor të 1999, dëshmitari jetonte në Rahovec bashkë me shoqen edhe djalin. Shkurtimisht, pas tërheqjes së policisë ushtarake serbe, mbërritën ushtarët e UÇK-së. Disa syresh shkuan në banesën e dëshmitarit dhe kërkonin armë. Dëshmitari u keqtrajtua, u kërcënua sepse u pretendua se ai nuk donte të jepte armët. Të nesërmen… komandanti i UÇK-së mbërriti në familjen e dëshmitarit dhe i kërkoi që t’i jepnin të gjitha armët dhe çelësat e apartamentit”, tha prokurori gjatë prezantimit të deklaratave të dëshmitarit.

Tutje, ai tha se dëshmitari dhe bashkëshortja e tij ishin urdhëruar që të largoheshin brenda 15 minutash nga banesa e tyre dhe ata u larguan.

Prokurori tha që sipas deklaratës së dëshmitarit, djali i tij ishte rrëmbyer më 18 qershor 1999 në prani të nënës së tij nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Më 18 qershor 1999 rreth asaj date, djali i dëshmitarit u rrëmbye nga katër ushtarë të UÇK-së, me uniforma të UÇK-së dhe të armatosur në praninë e mamasë të tij. Bashkëshortes së dëshmitarit i thanë se djalin ta merrnin në stacionin e policisë për një intervistë. Pasi mori informacion për rrëmbimin e djalit, dëshmitari shkoi në stacionin e policisë së UÇK-së që ndodhej pranë ndërtesës se zjarrfikësve dhe u kërkoi që të lironin djalin dhe dëshmitarin e kyçën në një dhomë për një orë dhe më pas e liruan pas ndërhyrjes së KFOR-it”, tha prokurori Mihailczuck.

Prokurori tha se dëshmitari kishte deklaruar që pas asaj dite nuk e kishte parë më djalin e tij.

Dëshmitari Predrag Dediq ka pohuar se djali i tij Bobani ishte 37-vjeçar dhe rezervist në ushtri, në kohën kur ishte rrëmbyer.

Përveç kësaj, Dediq kishte thënë se Ismet Tara, i cili ishte komandant i UÇK-së në Rahovec, e dinte për vendndodhjen e tij dhe se këtë ia kishte thënë vetë ai. Dediq tha se shqiptarët a vodhën banesën e më pas e shantazhuan që t’ua shes.

  1. Gjergj Dedaj

Gjergj Dedaj ishte dëshmitari i cili kërkoi që të dëshmojë në seancë të mbyllur për publikun, por kjo nuk iu aprovua nga trupi gjykues. Ai kishte insistuar duke thënë se kundërligjshëm iu inponua seanca publike. Dedaj tha se ka dashur që të konsultohet edhe me avokatë, mirëpo katër prej tyre të cilët i kishte takuar në Prishtinë sipas tij nuk kishin dashur që t’ia sqarojnë procedurat gjyqësor.

Meqë si dëshmitar u përballë me deklarata kundërthënëse, për shumë prej tyre kishte deklaruar se nuk ka qenë në gjendje normale kur i ka bërë.

Përveç kësaj, Dedaj kishte thënë se partitë politike në Prishtinë e kishin parë me xhelozi UÇK-në. Po ashtu, Dedaj kishte thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.

“Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur të gjithë atë guxim, atë nder dhe atë privilegj me qenë anëtar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, tha Dedaj.

Duke folur për një vizitë në Qirez ku më pas pretendohet se Dedaj dhe disa anëtarë të partive politike ishin ndaluar nga UÇK-ja, dëshmitari e kishte mohuar një gjë të tillë duke shtuar se kanë shkuar si në dasme në të cilën nuk ishte parë Thaçi.

Për marrjen e tij në pyetje nga Prokuroria, Dedaj kishte thënë se janë munduar që të nxjerrin elemente fajësuese për UÇK-në.

Pranë ZPS-së kishte deklaruar se ishin nën arrest nga UÇK-ja, në gjykim Dedaj tha se ndoshta deshi ta godiste Thaçin si rival politik.

Ndërsa, lidhur me deklaratat e tij të 2014-ës ku kishte thënë se ishte rrahur nga UÇK-ja, Dedaj refuzoi të i përmendej termi ‘rrahje’ me pretekstin se po iu rrezikohet dhe shkatërrohet jeta.

“Unë protestoj ashpër dhe me lejoni të protestoj, ma ruani dinjitetin tim njerëzor dhe familjar. Unë kam një moshë të shtyrë dhe kam përjetime tepër të shtira të pashpjegueshme prej jush. Me këtë që ma përmendeni rrahjen, ju ma shkatërroni prapë jetën dhe ma rrezikoni edhe jetën fizike”, tha Dedaj duke shtuar se këtë incident e kishte ekzagjeruar.

Pasi ishin dërguar në Baicë, Dedaj thotë se ishte takuar me Thaçin ku kanë biseduar në mënyrë të qetë dhe kolegiale. Ai kishte shtuar se UÇK-ja ka pasur arsye të dyshojë në ata.

Përveç kësaj, Dedaj tha se në kohën kur shkolla e Baicës u sulmua, ishte Thaçi ai i cili i shpëtoi.

Duke u pyetur për konferencën për media të organizuar pas rastit në Baicë, Dedaj kishte thënë se po ia shkatërrojnë jetën pyetjet për këtë pjesë dhe se më përpara do të pranonte burgimin e përjetshëm.

Duke vijuar me dëshminë e tij, Dedaj kishte thënë se institucionet e Kosovës nuk i ofroi bashkëpunimin e duhur UÇK-së.

Lidhur me deklaratat e tij të pasluftës, Dedaj tha se ka hulumtuar dhe e ka kuptuar që lidhur me atë ngjarje Hashim Thaçi është i pafajshëm.

  1. Dragan Ivanisheviq

“Dëshmitarit Dragan Ivanisheviq po vinte nga Prishtina me makinë në mbrëmjen e 9 shkurtit 1999 kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniformë të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë, UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një “Lada” të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin nga UÇK-ja të Velko Markoviq. Dëshmitari e pa Markoviqin atë ditë disa herë dhe kur i mbajtën bashkë mbrapa një makine “Lada”, duke i çuar nga një vend tek tjetri”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes për këtë dëshmitar.

Prokurori tha që sipas deklaratave, dëshmitari kishte arritur që të ikte, ndërsa Markoviq kishte mbetur i ndaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjatë kësaj kohe, Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjerash se ishte polic, por se do t’iu thoshte kidnapuesve se do të punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviq vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha prokurori.

Tutje, ZPS-ja tha se dëshmitari kishte mësuar nga të tjerët se Markoviq ishte parë për herë të fundit më 9 shkurt 1999 dhe se nuk ishte kthyer më në shtëpi.

“Pasi iku, dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer kur i ndali një makinë “Lada” e bardhë. Dëshmitari mësoi se Markoviq punonte si polic për hekurudhën, i njëjti informacion që i kishte treguar vetë Markoviq kur i mbanin bashkë në bagazhin e një makine “Lada”. Dëshmitari mësoi se Markoviq nuk ishte kthyer në shtëpi”, u tha nga ZPS.

Ivanisheviq kishte thënë se ka shërbyer në njësitin “Mbrojtja territoriale” në Vushtrri, kur filloi lufta.

“Jo është herë e parë që e dëgjoj këtë. Është hera e parë që dëgjoj për këta 1 mijë persona”, ishte përgjigjur dëshmitari kur u pyet se a kishte dëgjuar për vrasjen e 1 mijë civilëve me 2 maj 1999-ës në Vushtrri.

  1. Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha ishte dëshmitari për të cilin avokati i atëhershëm i Veselit, Ben Emmerson kishte thënë se është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, e të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Gjatë dëshmisë së tij, Halitjaha kishte thënë se Adem Demaçin e ka pasur idoll dhe se pa lejen e tij asnjëherë nuk kanë dhënë intervista për media.

Ndërsa, duke folur për zingjirin komandues, Halitjaha thotë se nuk kanë pasur urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Sipas tij, nga niveli i zonës deri në skuadra kanë punuar me rregullore të cilat i kanë nxjerrë vetë zonat. Shtabin e ka quajtur thuajse fiktiv duke shtuar se urdhrat nuk vinin as nga Thaçi as nga dikush tjetër.

Për Azem Sylen, ai kishte thënë se ka munguar gjatë tërë kohës dhe ka qëndruar në Shqipëri. Kurse, për Sylejman Selimin ka thënë se nuk e ka realizuar detyrën si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Madje, kur ishte pyetur për akronimet SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës) dhe ZKZ (Zbulim-Kundërzbulimi), Sadik Halitjaha ka thënë se nuk janë të njëjta.

Për ZKZ-në, dëshmitari kishte thënë se ishte shërbim për të zbuluar lëvizjet e armikut dhe qëllimet që ai i kishte ndaj tyre. Ndërsa për SHIK-un, ai kishte thënë se duhej pyetur Veseli.

“Sa i përket Shërbimit Informativ apo si e quani ju SHIK, unë nuk kam lidhje me atë Shërbim, nuk kam pas asnjë qasje. Ajo ka ndodhë mas shpërbërjes së UÇK-së, është folë që ka pas Shërbim Informativ për këtë mund t’ju tregoj më mirë atë që mbroni ju, Kadri Veseli”, tha dëshmitari Halitjaha.

Ndër tjerash, Sadik Halitjaha kishte thënë se ka pasur plane për krijimin e një Gjykatë gjatë luftës, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Kurse, ka shtuar se nuk e din nëse ka pasur objekt ndalimi në Kleçkë apo diku në zonën e tij.

Për Rexhep Selimin, dëshmitari kishe thënë se është njëri ndër ata që nuk ka dalur asnjëherë nga fushëveprimi i luftës. Ai tha se në fund të luftës e ka kuptuar që Selimi ishte Inspektor i Përgjithshëm.

Ndërsa, për Thaçin, ai kishte folur për një vizitë të tij në Batalionin e Budakovës duke shtuar se ai më shumë i ngjante një politikani se sa një luftaraku.

Kur u pyet për Krasniqin, Sadik Halitjaha tha se në rast që ai ka bërë ndonjë faj, do ta mbajë burgun vetë dhe kërkoi që i akuzuari të lirohet në shtëpi.

Duke folur për kolaboracionistet, ai kishte thënë se këshillat e fshatrave sillnin lista emrash të personave që dyshohej se ishin pjesë e sistemit të ish-Jugosllavisë.

Përveç kësaj, me pretendimet se në një audioincizim që ia ka dërguar një familjar i tij, Halitjaha tha se Emmerson e kishte quajtur të shantazhuar dhe dëshminë e tij pa relevancë.

Madje, Halitjaha kishte thënë se si duket kjo ishte bërë me ndikimin e Kadri Veselit.

Zoti Emmerson ka bërë një digresion kundër meje, si duket me ndikimin e Kadri Veselit, se ashtu erdhi ajo asistentja me një letër, ka thënë se unë jam i shantazhum se pasna pas dhanë një urdhër diku se me u vra një burrë e dy gra dhe koka anku se pse unë nuk kam avokat. Kisha dasht shkurt që të iu drejtohem kryetar i gjykatës e jo avokatit se ajo për mua ishte një thikë pas shpine, ai duhet ta sqaroj drejtë dhe të jetë fer dhe jo të jep goditje poshtë brezit. Të jetë le ta tregoj se ku është urdhri, ku e ka pa, ku e ka ni dhe ku e ka atë kopje të urdhrin”, tha Halitjaha.

Ndërsa, Emmerson kishte thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe mund të ketë pasur lëshime në përkthim.

Emmerson tha se klienti i tij i ka kërkuar që të bëjë të qartë publikisht se ai nuk ka bërë dhe nuk bënë asnjë pretendim kundër dëshmitarit Sadik Halitjaha.

Në fund të dëshmisë, Sadik Halitjaha iu kishte uruar liri të akuzuarve duke i quajtur çlirimtarë.

  1. Shefqet Kabashi

Shefqet Kabashi ishte dëshmitari i cili në Hagë tha se nuk mund të bashkëpunonte me Prokurorinë me arsyetimin se ata dëmtojnë shumë njerëz. Madje, ai kishte zgjedhur që të dëshmojë në gjuhë angleze me pretekstin se deklaratat e tij të mëhershme ishin keqkuptuar.

Gjatë dëshmisë së tij, Kabashi gjatë se ka marrë urdhra nga Alush Agushi i njohur me nofkën “Pipi” për të vrarë Rrok Berishën dhe dy persona të tjerë.

Urdhrin për vrasjen e Fadil Gashit dhe Din Berishës, Kabashi kishte thënë se nuk e ka zbatuar.

Gjatë kësaj dëshmie, Prokuroria ka prezantuar një përmbledhje të deklaratës së dëshmitarit Shefqet Kabashi të dhënë më 11 dhe 14 mars 2005, në çështjen gjyqësore ndaj Fatmir Limajt.

Sipas prokurorit, dëshmitari kishte deklaruar se nga prilli deri në korrik të vitit 1998 kishte parë dhe mësuar për persona të cilët kanë qenë të ndaluar në kompleksin e Jabllanicës duke përfshirë Jah Bushatin, Idriz Balajn e Pal Krasniqin.

Kabashi tha se në Jabllanicë nuk kishte burg për të ndaluarit pasi që në të njëjtin vend kanë qëndruar edhe ushtarët.

Ai tha se personat të cilët ishin të ndaluar aty mund të lëviznin dhe se objekti që ishte si shtëpi ishte një lloj baze për ushtarët.

Në Jabllanicë, Kabashi tha se nuk e ka parë Thaçin ndërsa aty e ka parë Selimin me të cilin edhe ka biseduar.

Një pjesë të dëshmisë së tij, Kabashi e ka dhënë në seancë private për publikun.

  1. Sandra Mitchell

Sandra Mitchell, ish-zyrtare e OSBE-së, erdhi për të dëshmuar në këtë proces pasi ka qenë e angazhuar në Misionin Verifikues (MVK) në kuadër të OSBE-së në Kosovë gjatë kohës së luftës. Ajo ka thënë se për punën dhe aktivitetet e saj dhe misionit, i kanë raportuar një përfaqësuesi gjerman dhe ambasadorit Wiliam Walker.

Ajo kishte thënë se OSBE-ja merrte informata nga civilët se UÇK-ja po ndalonte persona.

Por, ajo kishte shtuar se personat e ndaluar nga forcat serbe ishte më i madh se atyre të ndaluar nga UÇK-ja.

Duke folur për masakrën e Reçakut, Mitchell tha se viktimat e masakrës së Reçakut nuk ishin pjesë e UÇK-së, mirëpo ajo thekson se kjo ngjarje çoi në intensifikimin e tensioneve.

Mitchell, pohoi se serbët u përpoqën t’i mbulonin vrasjet në Reçak. Ajo tha se serbët i kishin marrë trupat dhe i kishin dërguar në murgun e Prishtinës, që më pas i kthyen për t’i varrosur.

Ajo pranoi se kishte informacione se policia serbe i detyronte njerëzit apo individë të caktuar që të vishnin uniformat e UCK-së dhe paguanin individë për informacione.

“U gjetën shumë trupa të vdekur rreth mbi 40 trupa të vdekur, mendoj se në mesin e tyre ka qenë edhe një grua e një fëmijë, doemos kishte shumë persona të vdekur. Shumë prej tyre kishin të shtëna më armë në kokë, ishin fshatarë të zakonshëm, nuk është se ishin me uniformat të UÇK-së, ndërkohë me shumë anëtarë të familjes biseduan e konfirmuan faktin se nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së”, tha Mitchell.

Mitchell ka treguar në Hagë se njëherë iu është dhënë mundësia që të takohet me tetë të ndaluar nga UÇK-ja në zonën në të cilën udhëhiqej nga Rrustem Mustafa të cilit i referohet si “Komandant Remi”.

Ndërsa, Ramush Haradinajn kishte thënë se e ka takuar njëherë në Zonën e Prizrenit si dhe UÇK-ja nuk e mohonte se kishte objekte ndalimi.

Mitchell tha se i kujtohet që herën e parë që është takuar me Hashim Thaçin është së bashku me ambasadorin Ëilliam Ëalker. Ai ka thënë se e dinte se Thaçin kishte pozitë në UÇK por nuk e dinte se çfarë.

Duke folur për incidente gjatë luftës, Mitchell kishte thënë se dy ushtarë të UÇK-së i kishin hyrë me forcë në apartament dhe se ajo i kishte gjetur duke ia kontrolluar telefonin.

Mitchell pohoi se apartamenti ku ajo po qëndronte ishte pronë e një serbi, por që theksoi që kishte shenja dalluese në derë.

Ajo ka thënë se këtë incident e ka diskutuar edhe me Thaçin i cili pretendohet se i ka thënë se këta persona nuk ishin pjesë e UÇK-së.

Ndërsa, ka thënë se kanë pasur raporte se anëtarët e LDK-së ishin të shënjestruar nga UÇK-ja dhe shqiptaret që ishin miq me serbët konsideroheshin kolaboracionistë.

Në këtë seancë ishte prezantuar edhe një raporti i OSBE-së ku thuhej se KFOR-i hyri në stacionin e Policisë në Prizren dhe gjeti 15 të ndaluar, një prej tyre i vdekur.

Mitchell tha e deri kur erdhi KFOR-i në Kosovë, UÇK-ja kryente detyrat e policëve të cilat nuk ishin të ligjshme dhe si rezultat i tyre ndodhen rrëmbime.

Ish-zyrtarja e OSBE-se ka pohuar se sipas raportimeve të saj, UÇK-ja kishte rrëmbyer 9 shqiptarë në Reçak.

  1. Dejan Jeftiq

Dejan Jeftiq ishte dëshmitari i cili në sallën e gjyqit pretendonte se ishte arrestuar nga disa shqiptarë të armatosur në Zonën e Suharekës.

“Me apo rreth 4 korrikut 1998, Ë01673 një person me etnicitet serb nga fshati Bulan i Suharekës, u arrestua së bashku me dy të afërm të tij afër… nga dy shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza. Tre serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, ku janë lidhur sytë dhe i kanë pasur duart e lidhura, më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, kishte lexuar përmbledhjen për këtë dëshmitar, prokurori Cezary.

Prokurori Mihailzcuk tha se në vendin ku u dërguan tre serbët, të burgosur ishin edhe dy shqiptarë.

“Ë01763 është marrë në pyetje nga policia në Muvlanë dhe i është thënë që ia kanë vrarë babain. Të dy serbët e tjerë po ashtu ishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë Ë01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. Ë01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë lëshuar më 5 korrik 1998”, tha ai.

Këta persona, Jeftiq pretendon se janë Sokol Kabashi dhe Shukri Gashi. Ai kishte theksuar se kanë menduar arratisjen por u informuan se kishte snajper përball shtëpisë ku ishin ndaluar.

  1. Hajrush Kurtaj

Hajrush Kurtaj ishte dëshmitari i cili kishte shkruar edhe një libër për luftën e UÇK-së, por kur u pyet në Hagë ai tha se ka shkruar se çfarë ka dashur dhe jo siç ka qenë.

Kurtaj kishte ‘kërcënuar’ edhe me ndërprerje të dëshmisë në rast që i përmendej edhe njëherë fjala ‘rren’. Kjo ‘revoltë’ e Kurtaj kishte ardhur pasi prokurori James Pace i tha atij se nën betimin e gjykatësve, informatat që ia ka dhënë ZPS-së në një intervistë në muajin shkurt të vitit 2020, nuk kanë qenë të vërteta, por gënjeshtër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuror, disa herë e përmende fjalën rrenë, rrenë nuk dëshiroj ta dëgjoj. Se ma herët thatë se për profesorin se ka rrejt. Nëse vazhdoni me këtë komunikim unë e ndërpres, pa marrë parasysh pasojat. Nuk mërzitna për pasoja absolut. Fjalën rrenë heke prej fjalorit”, tha Kurtaj.

Në librin e tij, kishte edhe fotografi të Thaçit, Kurtaj ka thënë se e ka bërë këtë për ta bërë librin më të lexuar dhe se me të akuzuarin nuk është takuar gjatë luftës. Ngjashëm tha edhe për Krasniqin kur është pyetur se a e ka takuar.

Kurtaj gjithashtu ka thënë se nuk e ka konsideruar LDK-në kundërshtare të UÇK-së.

  1. Claude Cahn

Claude Cahn ishte dëshmitari i 50-të në këtë proces i cili foli lidhur me shkeljet e dokumentuara të të drejtave të njeriut të romëve në Kosovë gjatë punës së tij në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) në korrik 1999.

Për gjendjen në Kosovë gjatë kësaj periudhe, Cahn kishte thënë se i ngjasonte anarkisë.

“Ishte një situatë anarkie e vërtetë. Ishte situatë e dhunshme. Për shembull shikoje persona të armatosur që ishin në traktor e që vozisnin nëpër lagje. Kishte njerëz që kërkonin mbrojtje. Kishte ndryshuar regjimi dhe kishte një pushtet të ri dhe njerëzit po mundoheshin të përshtateshin… dhuna ishte shumë e prekshme. Shtëpitë sulmoheshin gjatë natës”, tha dëshmitari.

Përveç kësaj, dëshmitari kishte thënë se ka parë edhe civil që digjnin shtëpi dhe deri në vitin 2000 kishte dhunë. Por, Cahn mohoi të ketë dijeni që Thaçi në atë kohë bënte thirrje që t’i jepej fund dhunës ndaj çdo përkatësie etnike.

Për Krushën e Madhe, dëshmitari tha se nuk e dinë nëse aty ka pasur masakër ose shtëpi të djegura.

  1. Shaun Byrnes

Dëshmitari Shaun Byrnes gjatë luftës në Kosovë ka qenë shef i misionit diplomatik vëzhgues në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përpara betimit solemn, dëshmitari tha se nuk ka ardhur të dëshmojë me iniciativën e tij por që këtë ia ka kërkuar Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ZPS-ja për shkak të funksionit të tij në Kosovë gjatë vitit 1998-99.

Ish-diplomati amerikan ka thënë se Gjergj Dedaj i kishte thënë se Sabit Geci i kishte rrahur në vitin 1998, por që Thaçi ishte përgjegjës.

Byrnes kishte folur edhe për një takim që ka pasur me Jakup Krasniqin për lirimin e disa ushtarëve serbë të zënë rob. Sipas Byrnes, Krasniqi kishte urdhëruar lirimin e të burgosurve, vendim me të cilin s’ishte i kënaqur Sami Lushtaku.

Për Kraniqin, Byrnes tha se jetonte sipas parimeve të besës dhe kishin besim të ai.

Byrnes tha se gjatë kohës së luftës ai kishte dëgjuar për Kadri Veselin vetëm si emër e që sipas tij ishte person misterioz. Ai tha se kishte dëgjuar që Veseli ishte person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por që askush nuk fliste për funksionin e tij.

Duke folur për strukturën e UÇK-së, Byrnes kishte pohuar se gjatë luftës Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, kishte bërë përpjekje që të bëheshin reduktime të zonave operative. Ai tha se kishte vështirësi të bëhej një gjë e tillë për shkak të udhëheqësve të pavarur ushtarakë të zonave. Përveç kësaj, ai ka shtuar se UÇK-ja shprehej me e strukturuar se nga që ishte në të vërtetë dhe nuk arrit asnjëherë që të ketë strukturë të unifikuar.

Byrnes kishte thënë se në 1998-ën e perceptonin UÇK-në si organizatë me dy krerë që kishte konflikt për kontrolle.

Byrnes tha se komandantet Rrustem Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Rrahman Rama ishin kundër riorganizmit të zonave të UÇK-së.

Ai tha se ata kishin fuqinë të rezistonin për shkak të burimeve të veta të financimit dhe atyre për të siguruar armatime.

Përveç kësaj, ai ka thënë se zyrtarët e UÇK-së kishin shqetësime që në radhët e tyre kishin bashkëpunëtorë të Serbisë. Ndërsa, për Gjergj Dedajn dhe Agim Krasniqin, Byrnes ka treguar se ata i thanë që ishin akuzuar për tradhti.

Byrnes tha se supozimi i tij është që ndalimet kryeheshin me udhëzime të komandantëve të zonave dhe se ata nuk kishin provave që e dëshmonin se këtë e kishte bërë Shtabi i Përgjithshëm.

Gjatë punës së tij në Kosovë, ish-diplomati amerikan, Shuan Byrnes tha se kishte dëgjuar për ndasitë që i bënin intelektualët e Kosovës në mes Prishtinës dhe Drenicës.

Madje, Byrnes tha se njëri prej këtyre personave i tha se UÇK ishte një grup rebelësh, fshatarësh kundër LDK-së, qytetarëve që përfaqësoheshin nga Ibrahim Rugova.

Sipas tij, atij iu tha se Prishtina ishte qendër e lartë e kulturës së vendit, ndërsa Drenica një zonë e largët që përbëhej me fshatarë.

“Njëri prej tyre më tha në një pikë dhe kjo është diçka që nuk do ta harroj kurrë, e kam ngulitur në mendje; Ata flisnin për ndasitë, dallimet tradicionale, kulturore ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës. Prishtina ishte qendra dhe institucioni qeveritar, aty gjendej edhe Universiteti i Prishtinës. Në njëfarë kuptimi ishte qendra e kulturës së lartë të vendit. Ndërkohë, që sa i takon Drenicës, Drenica ishte një zonë e largët në disa kuptime në atë kohë që sipas mendimit të tyre dominohej ose përbëhej nga fshatar”, deklaroi dëshmitari.

Byrnes tha se politikat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës që nga viti 1998 e tutje, kanë qenë të tmerrshme dhe brutale. Ai tha se parashkohej se që do të kishte hakmarrje pas intervenimit të NATO-s. Byrnes tha se kishte operacione të vazhdueshme sikurse edhe ajo “Patkoi” cili ishte nënshkruar nga Sllobodan Millosheviqi dhe parashihte dëbimin e shqiptarëve.

Ai ka se administrata e Klintonit ishte e shqetësuar se do të përballeshin me një Bosnjë të dytë në Kosovë.

  1. Ramiz Qeriqi

Ramiz Qeriqi dëshmoi si pjesëtar i UÇK-së, konkretisht ai kishte ushtruar pozitën e komandantit të batalionit të dytë të Brigadës 121.

Ai ka thënë se në batalionin e tij ka pasur polici ushtarake, por ka mohuar pjesëmarrjen në ndalime, keqtrajtime, apo arrestime.

“S’jam marrë me ato se unë jam marrë me frontin. Unë kam qenë në front dhe s’kam qenë pjesë e këtyre gjanave”, tha ai.

Duke folur për vijën e raportimit, Qeriqi ka thënë se i ka raportuar Fatmir Limajt dhe jo Rexhep Selimit.

Përveç kësaj, Qeriqi ka thënë se nuk e ka ditur se kush ishte anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm.

Edhe me Thaçin, Qeriqi ka thënë se është takuar vetëm tri herë gjatë luftës por nuk e ka ditur pozitën e tij.

Qeriqi tha se është dëshmitar në këtë rast gjyqësor dhe se nuk e ndien veten si të dyshuar prandaj nuk ka kërkuar as avokat.

Qeriqi tha se ka pasur raste që Fatmir Limaj thoshte se shumë urdhra dhe udhëzime vinin nga Shtabi i Përgjithshëm. Sipas tij, Limaj këtë e bënte që të dukeshin të rëndësishme udhëzimet e tyre dhe të tregonte se kishte autoritet.

Ai tha se hierarkia batalion- brigadë ka qenë në rregull, por ka dyshuar në fjalët e Fatmir Limajt kur ky i fundit i ka përmendur urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm.

i tha se gjatë kohës së luftës, Shukri Buja iu kishte thënë ushtarëve të tërhiqeshin nga Blinaja dhe vendet e tjera kinse se kishte urdhëruar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se pas takimit që kishin pasur me disa persona nga Shtabi i Përgjithshëm e kanë kuptuar se këtë urdhër, Shukri Buja e kishte bërë kokë në vete.

Gjatë kundërpyetjeve, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq i tha dëshmitarit Ramiz Qeriqi se është i dyshuar për krime lufte.

“Dëshmitar a e kuptoni që këtu jeni person i dyshuar?”, pyeti Mishetiq dëshmitarin pasi për pak minuta seanca gjyqësore ishte në sesion privat për të diskutuar lidhur me akuzat që bien mbi dëshmitarin.

“Dëshmitar se s’jam i dyshuar”, tha dëshmitari. Ndërsa, Mishetiq kërkoi të informohet nga dëshmitari nëse ZPS-ja ia kishte thënë shprehimisht që nuk ishte i dyshuar.

Ndërsa, Mishetiq tha se është në interesin e një personi të dyshuar që të shpikë gjëra në mënyrë që të shmangë çdo akuzë që mund të bie mbi të.

Ndërsa, dëshmitari tha se ka prova materiale që policia ushtarake ka qenë në vete dhe nuk ka qenë nën urdhrat e tij.

Gjërat që po i thoshte dëshmitari, sipas Luka Mishetiq po bëheshin që të krijohej përshtypja që ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se çdo gjë ishte përgjegjësi e atyre që ishin më të lartë në pozita.

Më pas, Mishetiq ia kujtoi dëshmitarit se në rastin e Fatmir Limajt, trupi gjykues e kishte cilësuar atë si dëshmitar jo të besueshëm ose me besueshmëri të ulët.

  1. Nuredin Abazi

Nuredin Abazi ishte dëshmitari që sipas Prokurorisë kishte marrë në pyetje Latife dhe Rrushe Kolollin si të ndaluara në Budakovë.

James Pace, përfaqësues i ZPS-së në Hagë ka thënë se dëshmitari Abazi në katër raste ku kishte dhënë dëshmi para autoriteteve kishte thënë se ia kishte kërkuar Sadik Halitjahës lirimin e Rrushe dhe Latife Kolollit. Sipas Pace tani dëshmitari është duke e ndryshuar deklaratën e tij.Për këto dy gra, Abazi tha se janë vrarë nga forcat serbe pasi trupat e tyre janë gjetur në një zonë në të cilën patrullonin ata dhe s’kishte qasje UÇK-ja. Sipas tij, këto gra nuk i ka njohur Sadik Halitjaha.

Duke folur për UÇK-në, Nuredin Abazi ka thënë se kyçja ka qenë vullnetare. Gjithashtu ai ka mohuar kategorikisht se ka pasur gjykatë ushtarake në UÇK.

Për të akuzuarin Thaçi, Abazi ka thënë që e dinë se ka qenë udhëheqës politik por që nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës. Ngjashëm edhe me anëtarët e tjerë të Shtabit.

  1. Dietrich Klaus-Jensch

Dietrich Klaus-Jensch është dëshmitari i 63-të në këtë proces i cili kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së me 1999-ën.

Ai ka thënë në Hagë se gjatë intervenimit kanë parë një person i vdekur, disa të marrë peng. Ai shtoi se e ka konsideruar situatën e atillë si një akt penal.

Dietrich Klaus-Jensch tha se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë, kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje. Përveç kësaj, ai tha se kishte persona edhe nga Shqipëria që vinin të kryenin vjedhje.

  1. Johan Fritsch

Johan Fritsch ishte dëshmitari i radhës pas Dietrich Klaus-Jensch. Ngjashëm si oficeri gjerman, edhe Fritsch shërbeu në Kosovë dhe u përball me ngjarjen që ndodhi në ish-godinën e MUP-it në Prizren.

Për personin e vdekur, dëshmitari ka thënë se me gjasë kishte vdekur përpara se ata të arrinin aty.

Përveç kësaj, ai tha se trupi i viktimës kishte të nxira në trup por që mjeku ka konstatuar se ai ka pasur arrest kardiak. Vdekja sipas mjekut që e ka dëgjuar Fritsch nuk kishte ardhur nga lëndimet.

  1. Jan Kickert

Jan Kickert ka dëshmuar si ish-diplomat austriak në Serbi e që është takuar me katër krerët e UÇK-së, gjatë luftës.

Për Thaçin, diplomati austriak ka thënë se e ka cilësuar më shumë si figurë politike se sa ushtarake.

Duke folur për strukturën e UÇK-së, Kickert kishte thënë se ata nuk dinin asgjë por amerikanët e konsideronin si të shpërndarë.

Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjeronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

Jan Kickert, ka mohuar se ka dëgjuar për formimin e një Gjykate Ushtarake në UÇK dhe se shef i saj të jetë një person i quajtur Sokol Dobruna.

Gjithashtu, dëshmitari mohoi se e dinte që puna e Thaçit ka qenë që të mbikëqyrë funksionimin e kësaj Gjykate Ushtarake. Ai ka shtuar se LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së dhe e shihte si kërcënim të monopolit të tyre politik.

Ai ka pohuar se ishte në dijeni për qëndrimin e Thaçit dhe politikat e tij që etnitë e tjera të jetojnë në Kosovë. Ai gjithashtu, pohoi se Thaçi kishte tentuar që të shkojë të takohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me civilët serbë për t’i bindur ata që të qëndrojnë në Kosovë.

Diplomat austriak ka thënë se përmes rrugëve të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të Millosheviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë.

  1. Nuhi Bytyçi

Nuhi Bytyçi ishte dëshmitar në këtë proces si gazetar që mbuloi ngjarjet e UÇK-së gjatë luftës.

Ai gjithashtu kishte shkruar edhe një libër për të cilin tha se nuk dëshiron që Prokuroria dh gjykata ta përdorin për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë.

Ish-gazetari i Radiotelevizionit të Prishtinës ka thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki strikte. Madje, sipas tij në disa zona e ka pasur të vështirë xhirimin edhe pse ishte prezent edhe Thaçi.

Dëshmitarit iu kishin treguar edhe disa artikuj ndërkombëtarë lidhur me një incident në Bardhin e Madh. Ai tha se një dokument i tillë nuk iu është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.

Ai ka thënë se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vë në lajthitje para trupit gjykues

Bytyçi vazhdimisht ka kritikuar Prokurorinë duke i thënë se janë duke punuar në mënyrë të anshme dhe selektive.

Sipas dëshmitarit, Thaçi dhe Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e UÇK-së. Ndërsa, për Veselin ai ka thënë s’e di saktësisht. Për këtë të fundit tha se i ka ndihmuar të plagosurit në zonat e luftës.

Bytyçi ka thënë se Rugova kishte thënë për UÇK-në se nuk e dinte se kush janë ata që po luftojnë dhe se janë dorë e zgjatur e Serbisë. Veç kësaj, ai ka thënë se lidershipi politik në Prishtinë paraqitej sikur nuk ndodhte asgjë në zonat e luftës dhe se i mungonte gatishmëria për ta mbështetur UÇK-në

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se konsideron që Gjykata Speciale është përpjekje për të minuar shtetin e Kosovës për arsye që sipas tij çlirimtarët ndodhen tashmë aty.

  1. Zoran Stankoviq

Zoran Stankoviq erdhi në Hagë me pretendimet se në qershor të 1999-ës u rrah nga UcK-ja në konviktet e Gjilanit në të cilën ishte i ndaluar së bashku me anëtarë tjerë të familjes.

Gjatë dëshmisë, Stankoviq tha se ka menduar se do t’i vrisnin për shkak se i kanë rrahur me dërrasa dhe zinxhirë.

Veç tjerash ai ka thënë se ka probleme me kujtesën por rikujtohet se çfarë i ka ndodhur. Ndërsa për vëllain dhe kushëriri dhe xhaxhain e tij, ai tha se ishin mobilizuar në ushtrinë serbe. Megjithatë, ai tha se nuk e ka ditur se kush ishte përgjegjës për ndalimin e tij.

  1. Kurtesh Fondaj

Kurtesh Fondaj si ish-ushtar i UÇK-së, kishte thënë se nuk ka dijeni për ndonjë komunikatë të lëshuar nga UÇK-ja, në të cilën përmenden kolaboracionistët.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli kontaktin e parë kur ai ishte emëruar udhëheqës i Zbulim Kundërzbulimit e kishte pasur në prill të vitit 1999.

Fondaj tha se në këtë cilësi, kontaktin e parë me Veselin e kishte pasur në fund të muajit prill dhe se deri atëherë nuk e dinte që është kthyer në Kosovë. Ndërsa me Rexhep Selimin ai ka thënë se u takua vetëm dy herë gjatë luftës dhe se nuk i ka ditur detyrat e tij. Fondaj iu është referuar Selimit me termin “Trim”.

Përveç Selimit dhe Veselit, Fondaj ka thënë se është takuar edhe me Krasniqin, Thaçin.

Gjatë dëshmisë, Fondaj ka kërkuar avokat me pretekstin se është keqpërdorur por kërkesa e tij është refuzuar.

Veç kësaj, ai ka shtuar më pas se është absurde të mendohet se Jakup Krasniqi kishte urdhëruar arrestimin e Blerim Kuçit.

  1. Bislim Zyrapi

Bislim Zyrapi dëshmoi në këtë çështje si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se në kohën kur Veseli ishte jashtë Kosovës, në detyrat e sektorit të ZKZ-së, e kishte caktuar Mensur Kasumin nga i cili kishte marrë informata vetëm për lëvizjen e serbëve.

Zyrapi ka thënë se kur e kishte lëshuar urdhëresën në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm lidhur me masa disiplinore dhe penale për ndërprerjen e dukurive negative, Kadri Veseli nuk ishte në Kosovë.

Zyrapi kishte deklaruar para ZPS-së se Veseli s’i kishte thënë asnjëherë për ndonjë individ se duhej arrestuar.

Veç kësaj, ai tha se çështja e të burgosurve ishte në kompetencën e komandantëve të zonave dhe jo drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Inspektori i Përgjithshëm nuk ka ekzistuar në ‘98-ën derisa është ristrukturuar UÇK-ja. Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për funksionim. Përveç kësaj, ai tha se komandantet e zonave shpesh merrnin veprime të pakoordinuara me Shtabin e Përgjithshëm.

Zyrapi ka thënë Policia Ushtarake nëpër zona e brigada ka qenë nën urdhrat e komandantëve të tyre, jo të Limajt.

Për SHIK-un ai ka thënë s’ka qenë si strukturë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.

Por për deklaratat që Zyrapi ka dhënë për Krasniqin, mbrojtja e tij i ka thënë që ka bërë deklarime të rreme “për ta mbrojtur lëkurën e tij”, pasi sipas saj është dëshmitar i dyshuar.

“Zoti Zyrapi, qëndrimi ynë është që e keni ndryshu dëshminë tuaj në disa fusha. Tani thoni që Jakup Krasniqi ka mbikëqyrur sektorin ligjor, një sugjerim që Sokol Dobruna i ka raportuar Jakup Krasniqit, Drejtoria Informative i ka raportuar Jakup Krasniqit dhe sikurse e thashë më herët që Jakup Kransiqi e ka pas kompetencën për të urdhëruar arrestime. Unë po ju them që ju keni zmadhuar, ekzagjeruar qëllimisht rolin dhe kompetencat e Jakup Krasniqit”, tha mbrojtja e Krasniqit.

Ndërsa, Zyrapi mohoi se e ka ekzagjeruar rolin e Krasniqit gjatë dëshmisë së tij gjatë këtyre 12 ditëve.

  1. Steven Russell

Steven Russell është ish-ushtaraku amerikan i cili është paraqitur në sallën e gjyqit së bashku me tre përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ky dëshmitar ishte pyetur se pse pjesa më e madhe e incidenteve i atribuoheshin UCK-së gjatë 1999-ës në kohën kur ishte pjesë e KFOR-it amerikan.

Për këtë, dëshmitari Russell tha se ka parë vrasje e sulme të cilat kanë ndodhur e që sipas tij kanë qenë të bëra në një nivel organizimi që nuk mund ta bënin njerëzit e zakonshëm.

Më pas, njëri nga gjyqtaret e kishte pyetur dëshmitarin se a ka dëgjuar për pretendime se në verë të 99-ës kanë hyrë persona nga Shqipëria dhe vendet e tjera të cilët kanë ardhur në Kosovë dhe kanë kryer krime të veshur si ushtarë të UÇK-së,

“Kishim raporte nga të dy anët se mund të kishte element kriminal, pra disa quheshin shqiptarë, disa quheshin çetnikë në qoftë se ishin nga ana serbe. Të gjithë flisnin, tregonin që nuk ishin njerëz të tyre, të fshatit të tyre apo nga vendi i tyre. Pra, ne kemi dëgjuar në biseda që ishin në përputhje me këtë që po thoni”, tha dëshmitari.

  1. Skender Zhitia

Skender Zhitia ishte dëshmitari i radhës në këtë gjykim i cili do merrej në pyetje për librin e tij për të cilin tha se fjalë nga ai janë shkoqitur nga avokatë dhe prokurorë që kanë përcjellë mesazh të gabuar.

Ai ka thënë gjithashtu se nuk e ka pasur fatin që t’i takojë asnjë prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm. Veç kësaj, ai kishte thënë se populli i Kosovës mburret me UÇK-në.

  1. Imer Imeri

Imer Imeri ishte dëshmitari i 83-të me radhë në këtë proces për të cilin Prokuroria tha se ai dhe vëllai i tij janë rrëmbyer nga UÇK-ja me arsyetimin se ishte përkrahës i LDK-së.

Imeri gjatë dëshmisë kishte thënë se nuk ishte kundër UÇK-së por që veprat e disa individëve e kanë detyruar që të jetë i pranishëm në Hagë.

Sipas Imerit, në godinën ku ai ishte i ndaluar e kishte dëgjuar edhe një vajzë që kishte ardhur për t’i mjekuar të plagosurit duke thënë se ‘a jemi ardh për të mjekuar vëllezërit apo të dhunohemi në lluga”.

“E kam dëgju një shumë të idhnume, e mërzitur. U kthy prej fronti t’u i sha ‘A jemi ardhë me i mjeku vëllezërit a me na dhunu llugave”, tha Imeri.

Imer Imeri ka rrëfyer për një rast kur një i ndaluar dhe i plagosur ishte sjellë në fshatin Cahan të Shqipërisë. Ai po ashtu tha se personi kryesori që kishte kryer rrahjet ishte Rizah Alija i njohur ndryshe si ‘Komandant Hoxha’. Ai pretendonte se Alija dhe akuzat që Sabit Geci ia ka bërë dëshmitarit ishin të dirigjuara nga dikush.

Imeri kishte thënë se vrasjet e pasluftës e shtynë të jetë i hapur me drejtësinë e t’i shikoj në sy të akuzuarit. Ai veçoi Thaçin duke thënë se kërkoi në media që këto raste të zbulohen.

  1. Rrustem Tetaj

Rrustem Tetaj, dëshmitar në Hagë, tha se gjatë luftës nuk ka ditur çfarë funksioni kishte Hashim Thaçi dhe se sa herë ai shkonte në Prapaqan kishte tensione dhe probleme. E gjithë tema e këtyre takimeve ishte sipas tij rreth FARK-ut dhe Rugovës.

Ai mohoi ekzistencën reale të një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së, duke e cilësuar “fiktiv”, ndërsa theksoi se komandantët vendosnin vetë në nënzonat e tyre.

Tetaj përmendi gjithashtu tensionet mes Ramush Haradinajt e Tahir Zemajt lidhur me portën e Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit ku kishte dëgjuar Thaçin t’i thoshte Zemajt: “Shumë shpejt me ty do ta kryej”.

Për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin, Tetaj tha se mund vetëm të spekuloj sepse nuk i ka parë kurrë.

Tetaj tha se kishte dëgjuar për rrëmbime dhe dërgime në Jabllanicë, por theksoi se vetë nuk kishte parë asgjë.

  1. Halim Berisha

Halim Berisha ishte planifikuar që të dëshmonte me masa mbrojtëse por me krkesen e tij, ato iu ishin hequr.

Berisha, i cili mohoi se kishte përdorur dëshmitë e tij në kërkesën për azil në Francë dhe deklaroi se nuk kishte asgjë kundër të akuzuarve, madje as nuk i njihte. Ai tha se kishte shoqëruar një viktimë të vrasjes në një kompleks në Zllash ku edhe e kishte parë Salih Mustafën, ndërsa më vonë kishte mësuar se viktima kishte vdekur.

  1. Demush Krasniqi

Demush Krasniqi gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se ka marrë porosi që t’i përshëndes të akuzuarit. Krasniqi mohoi se ka qenë pjesëmarrës në arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit. Madje, ai tha se atë ditë nuk e kishte parë as Hashim Thaçin. Madje, ai tha se s’ka informacion as për prezencën e Jakup Krasniqit.

Demush Krasniqi gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se roli i Hashim Thaçit për popullsinë shqiptare është i madh dhe se emrin e të akuzuarit ia vendosin fëmijëve në Kosovë. Ndërsa, për rolin e tij gjatë luftës, Krasniqi tha se është informuar pas saj.

  1. Ahmet Rrahmanaj

Rrahmanaj, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe Policisë Ushtarake në njësitin “Lumi”, dëshmoi për ndalime të kryera në Zonën e Malishevës, përfshirë persona të akuzuar si kolaboracionistë, disa prej të cilëve u gjetën të vrarë. Ai tregoi se kishte dijeni për arrestimin e Fetah Rudit nga UÇK-ja për shkak të aktivitetit politik në LDK.

Sipas tij, Fetah Rudi i ka thënë atij që e kanë dërguar në një gjyq ushtarak, e pastaj e kanë lënë të lirë

Dëshmitari foli për mungesë të hierarkisë në fillim të luftës dhe tha se raportimet ishin të kufizuara vetëm mes Policisë Ushtarake.

Rrahmanaj shprehu shqetësim për trajtimin e tij dhe të dëshmitarëve të tjerë në Hagë, duke kërkuar që kjo të merret parasysh nga trupi gjykues.

  1. Stamena Jeliq

Stamena Jeliq, dëshmitarja e 94-të në këtë proces gjyqësor, ka bashkëshortin, Marko Jeliq, të zhdukur që nga 9 gushti 1999, kur sipas saj u rrëmbye nga persona që ishin prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së.

Në sallë, Jeliq deklaroi disa herë pjesë e fjalëve të shënuara në deklaratat e mëparshme (të nënshkruara prej saj në MUP-in serb) nuk janë të saj dhe se ato janë “improvizuar” nga autoritetet. Ajo theksoi se nuk ka përmendur emrat e disa personave që i atribuohen si të përfshirë në rrëmbimin e burrit të saj.

Në pyetjet nga mbrojtja, Jeliq tha se ka dëgjuar se Ismet Tara ishte përgjegjës për zhdukjen e serbëve në Rahovec, ndërsa mohoi që ajo ose familjarët e saj të kishin dhënë informacion Kishës Ortodokse Serbe. Ajo konfirmoi se disa prej personave që morën burrin e saj ishin fqinjë nga Rahoveci, ndërsa njëri kishte thënë se ishte nga Shqipëria.

  1. Fadil Geci

Fadil Geci ishte dëshmitari që në Hagë erdhi për të dëshmuar lidhur me komunikatën 59 që pretendohet së është lëshuar nga nivele të larta të Shtabit.

Geci tha se kjo komunikatë ishte e rreme dhe dashakeqe, duke e cilësuar si “sherri më i madh” që solli pasoja të rënda për familjen e tij- vdekjen e dy shokëve dhe plagosjen e dy vëllërzërve. Ai e fajësoi Hashim Thaçin si autor të saj, duke thënë se komunikata u përdor për ta goditur familjen Geci, sikurse Serbia kishte tentuar me familjen Jashari.

Sipas Gecit, Selimi publikisht kishte treguar se komunikatën e kishte shkruar Hashim Thaçi. Për këtë arsye ai tha se ia fal Selimit akuzën që e kishte quajtur vëllain e tij tradhtar. Megjithatë, Geci kundërshtoi deklaratat e Selimit në një intervistë të vitit 1999, ku ky i fundit kishte thënë se Abedin Rexhën e vrau Gani Geci, duke e quajtur këtë gënjeshtër.

Sipas Gecit, Shukri Buja i kishte thënë se kishte kundërshtuar publikimin e komunikatës 59, por që nuk ishte dëgjuar dhe se kishte pësuar pasoja sepse kishte mbrojtur vëllezërit Geci.

Geci tha se familja e tij ende vuan nga kjo shpifje dhe se është e domosdoshme që opinioni të dijë se komunikata ishte e rreme.

Geci tregoi një episod gjatë luftës kur Thaçi ia kishte puthur dorën, duke e cilësuar këtë si një gjest i rrezikshëm dhe tregues i karakterit të tij. Sipas Gecit, gjatë luftës ekzistonin dy kampe: një për shtet i udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe LDK dhe një për pushtet me rrënjë marksiste-leniniste, që përfaqësohej nga LPK dhe disa nga të akuzuarit.

Veç kësaj, duke kaluar tek një ngjarje tjetër, Geci ka thënë se Mehdi Bardhi e ka bërë përgjegjës Hashim Thaçin për ngjarjen në Qirez.

  1. Nuredin Ibishi

Gjatë dëshmisë në Hagë, Nuredin Ibishi deklaroi se disa rojtarë të pyjeve në Zonën Operative të Llapit dyshoheshin për bashkëpunim me autoritetet serbe.

Sipas tij, informacionet për kolaboracionistet vinte nga qytetarët e zonës dhe ata mund të mbaheshin të ndaluar por nuk intervistoheshin. Ai tha se vendimin përfundimtar për lirimin ose mbajtjen e tyre e kishin komandantët e zonave. Ai shtoi se nuk kanë pasur organe të drejtësisë ose gjykata.

Ibishi tregoi se me kërkesën e tij, një ushtar u dërgua për tre ditë në mbajtje për shkelje të rregullave gjatë trajnimeve. Vendimi u mor nga zëvendëskomandanti Kadri Kastrati, por kërkesa ishte e Ibishit. Sipas Ibishit, Ushtari mbajti dënimin në një lokal të improvizuar brenda kazermës.

Ibishi theksoi se nuk ka deklaruar kurrë që Jakup Krasniqi ka qenë komandant i UÇK-së me arsyetimin se nuk ka pasur komdant.

Krasniqi nuk ishte prezent si komandant gjatë takimeve dhe Ibishi e dinte se shefi i Shtabit ishte Bislim Zyrapi.

Ibishi deklaroi se gjatë luftës nuk e ka takuar kurrë Kadri Veselin dhe pas luftës e kishte mësuar se ishte udhëheqës i ZKZ-së. Ngjashëm tha se nuk e ka ditur as rolin e Selimit.

Për një qendër ndalimi në Llapashticë, Ibishi ka thënë se e ka vizituar dhe kishte parë ëmbëlsira që iu është thënë se janë për të ndaluarit.

Ibishi në Hagë ishte pyetur edhe për Enver Sekiraqën që tashmë është i arratisur nga drejtësia në Kosovë.

Sipas dosjes paragjyqësore të Prokurorisë, Sekiraqa pretendohet se është viktimë e një krimi- pra e një ndalimi. Për të, Ibishi tha se e ka njohur si një djalë problematik.

  1. Fatmir Sopi

Dëshmitari, Fatmir Sopin si ish-pjesëtar i UÇK-së ishte thirrur për të folur lidhur me vijat e raportimit në ZO të Llapit.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Fatmir Sopi e ka quajtur hero të gjallë tashmë të akuzuarin nga Specialja, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Ndërsa, për UcK-në ai ka thënë se ka qenë ushtri vullnetare e cila nuk ka pasur mundësi të ketë rregulla dhe disiplinë. Ai gjithashtu i ka mohuar përçarjet e pretenduara në mes UÇK-së dhe LDK-së.

  1. Haxhi Mazreku

Dëshmitari Haxhi Mazreku deklaroi se pas sulmit ndaj familjes Jashari krijoi vetë njësitin e UÇK-së, duke u bazuar në fjalën e presidentit Rugova për të ruajtur pragun e shtëpisë. Ai tha se kishte zgjedhur vetë të ishte komandant dhe nuk i jepte llogari askujt. Mazreku theksoi se qëllimi i tij ishte të shpëtonte civilët, jo të krijonte viktima, dhe se dallimi mes tij dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së ishte ky.

  1. Shukri Buja

Shukri Buja në Hagë u paraqit si dëshmitar ndërkohë që e kishte edhe statusin e të dyshuarit dhe pas katër ditësh dëshmi, Prokuroria pushoi hetimet për të.

Por, gjatë kohës sa i bënte pyetje Prokuroria, ai refuzonte çdo përgjigje me arsyetimin se inkriminohet deri sa kryegjyqtari i tha se në rast që refuzon ai do të gjobitet. Atij gjithashtu iu ofruan garanci që nuk do të ndjeket penalisht për ato se çka thotë në Hagë.

Për katër të akuzuarit, Buja kishte thënë që kanë qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm së bashku me vëllain e tij. Ai tha se deri vonë nuk e ka ditur se ka shtab. Veç kësaj, ai tha se struktura, forca dhe përmasa e UÇK-së është rritur pasi që sipas tij asnjë ushtri nuk i pranon humbjet dhe se UÇK -ja ka pasur nevojë për propagandë.

Ai ka mohuar se ka dijeni se në UÇK kanë pasur organe të hetuesisë ose gjykata. Veç kësaj, ai ka mohuar se ka marrë urdhra nga Veseli sa ishte shef i ZKZ-së. Ndërsa, për Krasniqin tha se ka qenë zëdhënës dhe s’ka pasur të bëjë me detyra operative.

Përkundër marrëveshjes, Buja tha se ka pasur ushtarë që nuk janë pajtuar me demilitarizimin e tyre. Ndërsa, ka mohuar se ka keqtrajtuar dikë gjatë luftës.

  1. Nezir Çoçaj

Nezir Çoçaj ka sqaruar se gjatë luftës nuk ka ekzistuar SHIK, por vetëm struktura të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ). Ai tha se në dhjetor të vitit 1998 komandant Drini (Ekrem Rexha) i kishte kërkuar të angazhohej në sektorin e zbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut, fillimisht në logjistikë, por më pas në mbledhjen e informacionit, pa pasur ndonjë emërim me shkrim.

  1. Halil Qadraku

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Qadraku tha se Krasniqi ishte zëdhënës i UCK-së dhe këtë e kishte kuptuar përmes mediave. Ai ka thënë se e ka takuar Thaçin por nuk e ka ditur rolin e tij brenda UÇK-së. Ndërsa, në Hagë ai e quajti gjigand duke e falënderuar për punën që e ka bërë.

Për Veselin ai ka thënë se e ka pasur shef deri me 1 prill të 1999-ës në sektorin e ZKZ-së, por mohoi të ketë marrë urdhra nga Veseli.. Ai tha se Veselin e ka njohur në nëntor të 1998-ës. Megjithatë, ai ka mohuar se është zgjedhur nga Veseli në këtë sektor.

Qadraku ka thënë se asnjëherë nuk ka parë në ndonjë shkrim që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’iu referoheshin si “gjeneral”. Sipas tij, kjo dëshmon që tani të akuzuarit nuk kanë pasur aktivitet ushtarak dhe operacional gjatë luftës.

Kurse, për Rexhep Selmin ai tha se janë takuar vetëm dy herë duke hyrë për Shqipëri. Për të akuzuarin tha se mendon se ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.

Statusin e të dyshuarit e kishte edhe Qadraku por u informua se më pas iu pushuan hetimet pasi përfundoi dëshminë.

  1. Sokol Bashota

Gjatë dëshmisë në Hagë, Bashotës iu dhanë garancitë e njëjta sikur Qadrakut. Pas përfundimit të dëshmisë së tij, ngjashëm pushuan hetimet për të.

Në Hagë, Bashota tha se Azem Syla ishte komandat i UÇK-së. Ai ka thënë se nuk e din që ka pasur ndonjë rast që Shtabi i Përgjithshëm ka vendos për ndëshkimin e personave të perceptuar si kolaboracionist. Ai shtoi se janë lëshuar komunikata si paralajmërim dhe se autoriteti për bashkëpunëtoret ka rënë mbi zonat.

Ai tha se Veseli ka qenë udhëheqës i SHIK-ut gjatë strukturimit të UÇK-së, por shtoi se nuk e di nëse ky ka mbledhur informata ose ka kryer detyra konkrete në terren. Veç kësaj, ai tha se nuk din nëse ka pasur ndonjë zëvendës Veseli. Sipas tij, Thaçi zyrtarisht është bërë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së në fund të vitit 1998.

Duke folur për një sulm në Rahovec, Bashota thotë se është bërë nga njësitet lokale pa urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm.

Ndër tjerash, ai tha se komandantët e zonave janë zgjedhur në zona dhe Shtabi vetëm i ka konfirmuar emrat. Ndërsa për komunikatat e UÇK-së në vitin 1999, Bashota tha se nuk e beson që janë shkrua nga të akuzuarit.

  1. William Goodwin

William Goodwin, foli lidhur me raportet e ADN-së të disa viktimave në këtë proces gjyqësor.

Goodwin tha se nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në analizimin e ADN-së, as në procesin fillestar dhe as në hartimin e raporteve. Sipas tij, përfundimet që prezantoi janë të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), ndërsa ai vetëm i ka rishikuar gjetjet dhe nuk ka pasur kontakte me personat që i hartuan raportet.

  1. Sokol Dobruna

Në Hagë është ndërprerë dëshmia e Sokol Dobrunës, pasi ai pati vështirësi të mëdha me kujtesën gjatë pyetjeve. Atij nuk iu kujtuan detaje nga takimet e fundit me Prokurorinë gjithashtu refuzonte të përgjigjet në seancë private

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se palët kanë rënë dakord që deklaratat e mëparshme me shkrim të Dobrunës të pranohen në tërësi si prova për shkak të vështirësive të tij me kujtesën.

  1. Hansjoerg Strohmeyer

Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjoerg Strohmeyer ka thënë se gjatë kohës kur ka shërbyer në Kosovë, pranonin raporte për krime të kryera nga UÇK-ja.

Ai tha se kishte incidente dhe serbët largoheshin nga Kosova, por shtoi se Thaçi bënte thirrje për një Kosovë multietnike. Ai gjithashtu tha se edhe në rastet e tjera, Thaçi ka luajtur rol të dobishëm në ç’tensionimin e situatave, sidomos për periudha afatshkurta. Megjithatë, sipas përshtypjes së tij, ai tha se kreu i UÇK-së ishte Thaçi dhe se ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

Strohmeyer mohoi të ketë parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, ndërsa për Veselin tha që nuk i kujtohet se e ka takuar dhe se nuk e ka ditur se kush ishte. Edhe për Rexhep Selimin tha se nuk e dinte rolin e tij gjatë 1999-ës.

  1. John Clarke

John Clark ishte patolog i mjekësisë ligjore dhe në Hagë dha dëshmi si ekspert. Për viktimat për të cilat iu prezantuan disa fotografi, ai tha se disa kanë vdekur nga plumbi e disa nga mjetet e forta. Dëshmitari tha se nuk ka bërë asnjë autopsi ndaj vikamave dhe se nuk ka qenë i pranishëm kur janë kryer ato. Madje, ai mohoi se ka pasur ndonjë rol mbikëqyrës kur janë bërë autopsitë.

Veç kësaj, në një rast ai tha se ka diçka të pazakontë në raportet e autopsisë duke shtuar se disa gjurmë të lëndimeve me armë zjarri janë të palogjikshme. Ai tha se është e mundur që këto konstatime të jenë të sakta, megjithëse mund të duken të pazakonta, por ai shtoi se mund të ndodhë edhe e kundërta që ato të jenë të gabuara.

Avokatja Krasniqit, Shyamala Alagendra ka thënë se njëri prej patologëve që ka bërë autopsinë e që dëshmitarit John Clarke i është kërkuar interpretim, ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit për masakrën e Reçakut. Në një rast, Clarke u pajtua që krimi dhe vendngjarja të jetë krijuar qëllimisht për të dal në përfundimet në raportin e patologut serb

  1. Helmut Schreckenbauer

Schreckenbauer ishte dëshmitar në Hagë i cili kishte përgatitur raportin postmortem për personin që u gjet i vdekur në ish-godinën e MUP-it në Prizren me 1999-ën. Gjatë dëshmisë në Hagë, dëshmitari tregoi se çfarë kishte parë tek viktima dhe veç kësaj, ai tha se raporti për ngjarjen në këtë godinë nuk sjellë përfundime se kryerësit e rastit ishin shqiptarë.

  1. Marek Gasior

Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior në Hagë foli për tri raportet e tij lidhur me tri viktima e që për dy prej tyre ai tha se kanë pasur prerje me mjete të prehtë në pjesën e fytit. Ai tha se në vendin ku janë gjetur këto viktima, ka informacion se ishte gjetur edhe një kosë.

Për një viktimë ai ka thënë se më plagët dhe lëndimet që ka pas nuk do të mbijetonte edhe po t’i ofrohej ndihmë mjekësore.

  1. Naser Krasniqi

Naser Krasniqi ishte dëshmitari që ishte planifikuar që të dëshmonte me masa mbrojtëse, por me kërkesën e tij ato u hoqën.

Krasniqi ka konfirmuar në Hagë se në UÇK ka ekzistuar Gjykatë Ushtarake dhe se në Kleçkë ka pasur qendër ndalimi, ku ishte dërguar një i arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës.

Krasniqi pohoi se kishte objekt ndalimi në Kleçkë dhe sipër dhomës së të ndaluarve, Sokol Dobruna kishte një dhomë ku intervistonte të ndaluarit.

Dëshmitari pohoi se në UÇK ka pasur rregullore për mbledhjen e fondeve, përfshirë tarifa që paguanin automjetet me targa serbe, që varionin nga 300 deri në 900 marka. Më tej, ai dëshmoi për dokumentet e hartuar gjatë luftës që lidhen me kontributet financiare të mërgimtarëve për UÇK-në, të cilat varionin nga 1 mijë deri në 2 mijë marka ose franga zvicerane. Sipas tij, nëse këto obligime nuk shlyheshin jashtë vendit, ato duhej të përmbusheshin në Kosovë, madje duke iu marrë pasaportat deri në pagesë.

Për Kadri Veselin, Krasniqi thoshte se gjatë luftës ishte udhëheqës i ZKS-së dhe pas saj i SHIK-ut. Ai mohoi se informacionet që i përkisnin ZKZ-së, ia përcillnin Veselit. Ai tha se nuk e ka parë të akuzuarin në fjalë të ketë qenë i përfshirë në asnjë prej vendimeve për lirimin ose ndalimin e personave të ndaluar në Kleçkë dhe gjithashtu, s’e ka parë duke e dërguar dikë atje.

Për Rexhep Selimin, Naser Krasniqi tha se e vlerëson kontributin e tij për liri dhe liroi të ndaluarit në rastin e Krojmirit. Për të tha se e ka pasur rolin e inspektorit gjeneral.

  1. Sylejman Selimi

Ngjashëm sikurse disa prej dëshmitarëve, edhe Selimit iu jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij. Ai kishte statusin e të dyshuarit e që pas dëshmisë së tij, u njoftua se kanë pushuar hetimet ndaj tij.

Selimi tha se sa ishte komandant i ZO të Drenicës i ka respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur prej Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Por ai tha se nuk e ka ditur se si ka qenë e organizuar kjo strukturë. Ai tha se deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së dhe se në kohën kur ka qenë komandant zone, kjo strukturë ka qenë pothuajse inekzistente.

Gjatë dëshmisë ai ka treguar se pse e ka kundërshtuar emërimin e Sokol Bashotës dhe Jakup Krasniqit si zëvendëskomandantë të UÇK-së. Për Bashotën, dëshmitari tha se nuk e ka asistuar asnjëherë në ndonjë operacion ose për ndonjë plan operacionale Ndërsa, për Krasniqin, ai tha se ka mëndu që nuk është i përshtatshëm për aspekte ushtarake. Ai tha që nuk e ka ditur që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm.

Ndërsa për gjykatën ushtarake, ai tha se ka dëgjuar që është udhëhequr nga Sokol Dobruna të cilin nuk e ka takuar kurrë. Duke folur për Thaçin, ai tha që nuk i kujtohet se ka marrë ndonjëherë urdhra. Sipas tij, ShIK-u u krijua gjatë 1999-ës dhe nuk ekzistonte përpara këtij viti.

  1. Ismet Tara

Ismet Tara ishte dëshmitari i cili kategorikisht refuzoi të përgjigjej në pyetjet e Prokurorisë. Ai dëshminë e tij e filloi duke pretenduar për parregullsi në gjykatë. Ai refuzoi të flas pa iu prezantuar një dokument që sipas tij e kishte parë në seancën përgatitore me Prokurorinë në të cilën deklaratat e tij ishin ndryshuar.

“Nuk i besoj kësaj gjykate dhe nuk flas asgjë. Nëse nuk më paraqitet dokumenti, këtë gjykatë e shpalli që dëshiron të na dënojë neve si popull dhe UÇK. Edhe po të vritem nuk flas më pa u shfaq dokumenti në fjalë”, thoshte vazhdimisht Tara.

Pasi Prokuroria hoqi dorë nga marrja në pyetje, Tara pranoi të iu përgjigjej vetëm mbrojtjes.

Dokumenti që po e kërkonte Tara sipas tij fliste për shumë krime që kinse ai i dinte se i ka bërë UÇK-ja. Sipas tij, një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë.

Duke folur për UCK-në ai tha se nuk ka qenë e rregullt dhe deri në shtator të 1998-ës nuk ka pasur strukturë hierarkike. Ai tha se në ushtri gjithkush ka qenë përgjegjës për veprimet e veta.

Tara mohoi se ka thënë që UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistet dhe të burgosurit.

  1. Naim Maloku

Maloku i cili ishte dëshmitari i fundit që dëshmoi në publik, u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

Ai tha se pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u bë në nëntor të ‘98-ës dhe epror i tij ishte Salih Veseli. Ndërsa për Jakup Krasniqin tha që e ka pas rolin e zëdhënësit dhe vetëm për dy muaj ishte zëvendëskomandant. Sipas tij, dhjetëshi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe se me ketë nofkë ishte e Rexhep Selimit e kishte mësuar mbas lufte.

Maloku tha se dhjetorin e 1998-ës e llogaritë si periudhë të formimit të Shtabi të Përgjithshëm dhe se në këtë muaj Thaçi u emërua drejtor i drejtorisë politike. Ndërsa, as roli i Inspektorit të përgjithshëm nuk ishte përpara kësaj date.

Maloku deklaroi se është e vështirë që të kuptohet funksionimi i një ushtrie që është ngritur nga populli i robëruar siç ka qenë UÇK-ja. Ai tha se UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast. Ndër dëshmitarët që dëshmuan në seancë publike e që ishin thirrur nga Prokuroria në këtë rast kishte shqiptarë, serbë e ndërkombëtarë. Kurse, më 15 shtator 2025 është planifikuar të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht. Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave. Dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave ishin Karin Duhne-Prinsen dhe Dr. Catherine Nicola Black.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz