Para më shumë se një viti, Gazeta Express kishte raportuar për lidhjet e dyshimta të profesorit e ish-zëdhënësit të komisionit paraprak për Demarkacion, Tomor Çela me Zyrën e Kryeministrit Mustafa.
Raportohej që kompania e tij ishte shpërblyer me një tender prej afro gjysmë milionë euro nga një agjenci që vepronte nën zyrën e Kryeministrit Isa Mustafa.
Lidhur me këtë tender, shqetësime kishte ngritur edhe Auditori i Përgjitshëm.
Tomor Çela, sikur sonte që mbrojti versionin e demarkacionit të komisionit që udhëhiqej nga Murat Meha, edhe atëherë e mbrojti të njëjtin – për çka dyshohej se këtë po e bën pasi që ishte shpërblyer me tenderin prej gjysmë milioni eurosh.
“Tenderi i fituar nga kompania “Data GISConsulting” e regjistruar në vitin 2011 në emrin e Tomor Çelës u shpërblye nga ASK’ja e Zyrës së Kryeministrit Mustafa me tenderin “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në terren”. Për këtë tender dyshime ka shprehur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), duke konstatuar se ASK kishte nënshkruar kontratë kornizë për tre vite në vlerë 497,168€, pa dërguar letër për shpjegim te përfituesi i kontratës “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në teren” edhe pse kishte një artikull më çmim jo-normalisht të ulët dhe mjaft të rëndësishëm””, shkruante gazeta, raporton Periskopi.
Çela ishte sonte musafir në Klan Kosova, ku foli për raportin që komisioni i Bulliqit e prezantoi para Qeverisë.
Ai raportin e vlerësoi të gabuar, duke nënçmuar nivelin profesional të Bulliqit, Florim Isufit, Zejnullah Grudës, e të tjerëve anëtarë të komisionit.
Komisioni prezantoi të gjeturat që precizojnë se me versionin e demarkacionit të komisionit paraprak, Kosova humb territor, duke sjell njëherit edhe dëshmi të shumta mbi këto pretendime. /Periskopi/



