Personi i paraburgosur që vdiq sot në QKUK është Ramiz Bardoniq. Ai pritej që të ekstradohej në SHBA, nën akuzat për detyrim në prostitucion, si dhe shpërndarje e blerje të narkotikëve, shkruan Gazeta Metro.
82 vjeçari ndërroi jetë sot në Klinikën e Neurologjisë, pasi që vuante nga disa sëmundje.
“R. B, me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë me datë 30 qershor rreth orës 23:00 është udhëzuar të dërgohet në Spitalin Rajonal të Pejës, dhe nga aty për shkak të gjendje jo të mirë shëndetësore është dërguar në Kliniken e Neurologjisë të SHSKUK-së, ku si pasojë e komplikimeve shëndetësore ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Bardoniq ndodhej në paraburgim lidhur me akuzat për veprën penale keqpërdorim seksual. I dyshuari pritej që të ekstradohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi dyshohej se gjatë qëndrimit atje kishte kryer veprën penale mundësim apo detyrim në prostitucion dhe për drogë.
I njëjti pas një kërkese të SHBA‘së, që u përcoll nga INTERPOL-i, u arrestua në shtëpinë e tij, nën dyshimet për mundësim ose detyrim në prostitucion, blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.
Për këto tre vite, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.