Kryetari i Nismës Social Demokrate të Kosovës, dhe ish-ministër i transportit nga radhët e PDK-së në Qeverinë e vitit 2007, thotë se ishte ai që me punën e tij kishte larguar 97 për qind të fshatrave në Skenderaj nga balta, duke shtruar rrugët.
Të tjerët sipas tij kanë bërë fushatë dhe kanë marrë vota me punën e tij.
Këto komente ai i bëri gjatë fjalimit të tij në hapjen e punimeve të Kuvendit të nismës Social Demokrate në degën e saj në Skenderaj sot.
“Unë ndihem mirë që jam në Skenderaj në një qytet dhe një komunë, që kur kam ardh në qeverisje në 2007-en, si ministër i Transportit, 97 për qind e fshatrave të Skenderajt kanë qenë në lloq. Dhe kur kam dalë në 2008-en, 98 për qind të fshatrave të Skenderajt kanë qenë të asfaltuara. Ka shumë që kanë marrë vota me këto punët e rrugëve masanej…s’ka gajle. Po jemi ardh sepse kemi pasur një vizion të zhvillimit të vendit tonë, jo për vetë, po për Kosovën. Këtu kam qindra bashkëluftëtarë, shokë, që kemi nda pjesët më të vështira të jetës tonë dhe jemi krenarë. Nuk ka fshat dhe pjesë të kësaj ane në të cilën nuk kemi vepruar e bashkëvepruar me shokë të tanë, vizioni ynë atëherë ka qenë çlirimi i Kosovës, zhvillimi i Kosovës, dhe jo i një komunë dhe i një fshati, jo një krahine”, ka thënë Limaj.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-nënkryetari i Skënderajt, Fadil Nura, i cili i ka përkujtuar Limajt se ka qenë ministër i kryemnistrit Thaçi.
”Fatmiri për fat të keq, perpara kesaj “mburrje” paska harruar dy gjëra më të rëndesishme të asaj kohe; E para, se nën çatinë e PDK- së në Skenderaj ka marrë vota tre fishë më shumë se në Malisheven e tij, dhe e dyta, se ka qenë vetem njëri nga ministrat e Kryeministrit, Thaqi”, ka shkruar Nura në Facebook./Drenicapress.info


