Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se mënyra e vetme për të shmangur zgjedhjet e parakohshme është që deputetët të japin votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së propozuar nga mandatar Albin Kurti.
Në një prononcim për Ekonomia Online, ajo theksoi se nëse Kurti arrin të sigurojë 61 vota, atëherë mund të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues për votimin e qeverisë.
“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues. Kjo është e vetmja formë, por jam e bindur se nëse nuk ka ndryshim të qasjes apo të pozicioneve, zgjedhjet, siç po shihet, po shkojnë drejt atij drejtimi,” tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se deputetët kanë ende kohë për të reflektuar, por theksoi se procesi zgjedhor tashmë po shihet si zgjidhja e vetme e qëndrueshme për situatën politike aktuale.
“Unë besoj që brenda këtij 24 orëshi deputetët e kanë pasur mundësinë, nëse do ta kenë edhe në ditët dhe orët në vijim hapësirën për të reflektuar. Procesi zgjedhor është proces zgjedhor dhe ne natyrisht përgatitemi, edhe prej më herët e kemi ditur se zgjedhjet, siç e kam deklaruar publikisht, janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme duke marrë parasysh edhe proceset tjera, zgjedhjen e presidentit,” shtoi ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes vuri në dukje se mundësia për një qeveri me mandat të shkurtër ka ekzistuar vetëm nëse do të ishte pranuar Qeveria Kurti e propozuar më herët, për të tejkaluar bllokadën që po ndikon në miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“E vetmja mënyrë për një qeveri që të ketë një afat më të shkurtër ka qenë votimi ose pranimi i Qeverisë Kurti të propozuar dje, në mënyrë që të tejkalohet kjo bllokadë me çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare,” përfundoi Kusari-Lila.