back to top
Sunday, February 1, 2026
BallinaLajmeKurtishi: Në rritje rastet e kancerit të qafës së mitrës në Kosovë

Kurtishi: Në rritje rastet e kancerit të qafës së mitrës në Kosovë

Të ngjajshme

S’i zgjat rikthimi te Chelsea, Anselmino huazohet sërish

Aaron Anselmino do të huazohet sërish këtë sezon. Argjentinasi, këtë...

Tronditëse: Një i burgosur gjendet i v*rur në Burgun e Sigurisë së Lartë

Një i burgosur ka humbur jetën mbrëmjen e sotme...

Gazmend Muhaxheri: Sot i dhamë një shansë të re Abdixhikut

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se konfirmimi...

Numri i rasteve me kancer të qafës së mitrës në Kosovë është në rritje, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e pacientëve po diagnostikohen në stade të avancuara të sëmundjes, ka deklaruar për Ekonomia Online, Drejtori i Klinikës Onkologjike në QKUK, Ilir Kurtishi.

Gjatë vitit që lamë pas (2025) janë trajtuar mbi 100 raste vetëm të këtij lloji të kancerit, ndërsa për organet gjenitale në përgjithësi numri ka arritur në 170–180 raste, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.Kurtishi ka thënë se Klinika Onkologjike në bashkëpunim me Klinikën e Gjinekologjisë aplikon trajtime moderne për këtë sëmundje.

“Po, kanceri i qafës së mitrës është një problematikë e veçantë në Kosovë, meqenëse sot bëjmë trajtime shumë moderne të kësaj sëmundjeje, edhe Klinika Onkologjike së bashku me Klinikën e Gjinekologjisë, e cila bën trajtimin fillestar do të thotë në aspektin operativ. Klinika Onkologjike prandaj ka një bashkëpunim shumë të mirë dhe të ngushtë dhe bën trajtimin e këtyre rasteve ose femrave të cilat vuajnë me kancer të qafës së mitrës. Edhe numri i pacientëve me këtë sëmundje nga viti në vit ka një tendencë rritjeje. Vitin 2025 ne kemi të dhëna që ky numër sillet mbi rreth 100, vetëm të qafës së mitrës, kurse të organeve gjenitale në përgjithësi numri është edhe më i lartë, shkon deri në 170-180. Dhe është pak më i lartë se vitin 2024”, tha ai.

Tutje Kurtishi ka shprehur shqetësimin se një pjesë e konsiderueshme e grave paraqiten për trajtim në faza të avancuara, kur sëmundja nuk mund të operohet dhe kërkohet kombinim i radioterapisë me kimioterapi, gjë që, sipas tij, ndikon negativisht në prognozën e përgjithshme të pacienteve.

“Ajo që neve na shqetëson dhe duhet të bëjmë edhe më shumë, jemi shumë të duhet të jemi shumë të kujdesshëm në trajtimin e tyre, është se gjejmë pacientë akoma, pra, të cilët janë në stade të avancuara të sëmundjes, kur sëmundja është e paoperueshme dhe kur fillimisht duhet bërë trajtim radioterapeutik dhe onkologjik, pra kombinim i rrezatimit me kimioterapi. Dhe kjo pastaj e zvogëlon, edhe pse trajtimi është korrekt, adekuat, meqenëse sëmundja nuk mund të operohet, atëherë normalisht që edhe prognoza e saj është jo e mirë. Pra kjo është shqetësim i ekspertëve të cilët merren me trajtimin e sëmundjeve malinje të qafës së mitrës, pra numër i konsiderueshëm i femrave të cilat kanë stade të avancuara të sëmundjes”, tha ai.

Kurtishi ka theksuar se raste të kësaj sëmundjeje po evidentohen edhe te gratë e moshës 40 deri në 50 vjeç dhe se shumë prej tyre rezultojnë HPV pozitive, duke shtuar se programi i vaksinimit i nisur nga Ministria e Shëndetësisë pritet të japë rezultate pas një dekade apo më shumë.

“Po në anën tjetër edhe moshat e reja, pra femrat të cilat janë ndërmjet moshës 50-vjeçare apo 40-vjeçare të cilat vuajnë nga kjo sëmundje. Dhe një numër i konsiderueshëm prapë, për fat të keq jo të mirë, janë HPV pozitivë ose të infektuara me një lloj virusi, për të cilin virus ne, Ministria e Shëndetësisë nga dy vite përpara ka filluar vaksinimin e vajzave qysh nga klasa e shtatë-tetë. Dhe në këtë mënyrë mendojmë që pas 10-15 viteve ne do të kemi, do të thotë si rezultat i vaksinimit të rregullt të popullatës, do të kemi një situatë më të mirë, më të favorshme në kuptim të sëmundjeve malinje të qafës së mitrës dhe mitrës dhe organeve gjenitale në përgjithësi të femrave”, tha ai.

Ai ka shpjeguar se infeksioni me HPV është ndër shkaqet kryesore të zhvillimit të sëmundjes, ndërsa faktorë të tjerë përfshijnë moslindjen, martesën e vonshme, ndërrimin e shpeshtë të partnerëve, sëmundjet shoqëruese, ndikimet mjedisore, pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit dhe predispozitat gjenetike.

“Pra shkaku kryesor që e përmenda është pra një nga shkaqet kryesore virusi me HPV. Shkaqet e tjera janë të ndryshme do të thotë te femrat të cilat nuk lindin ose femrat të cilat martohen vonë, të cilat ndërrojnë partnerë shumë edhe kanë komorbiditete të tjera, faktorë të tjerë të ambientit të jashtëm ose faktorë siç janë shprehitë e dëmshme siç është konsumimi i duhanit ose abuzimi me alkool dhe disa predispozita gjenetike bëjnë që kjo sëmundje të jetë pak më e shprehur te ato femra të cilat kanë këta faktorë”, tha ai.

Kurtishi ka bërë thirrje që gratë, sidomos pas moshës 34-vjeçare, të kryejnë rregullisht PAP-testin, një ekzaminim të thjeshtë të qafës së mitrës, një herë në vit ose më shpesh sipas rekomandimit të mjekut, me qëllim zbulimin e hershëm të ndryshimeve të mundshme patologjike.

“Kjo është e dyanshme do të thotë: e para të kemi një vaksinim të mirë të popullatës, që është duke u bërë dhe kjo është për t’u përgëzuar, dhe e dyta të bëjmë kontrolle, sidomos femrat të cilat nuk kanë lindur, por edhe ato të cilat kanë lindur, do të thotë femrat të cilat kanë një moshë të caktuar pra qysh nga mosha 34 vjeçare, do të thotë ato të cilat nuk janë të martuara ose ato të cilat nuk kanë lindur, rekomandohet që të bëhet një PAP-test, një ekzaminim shumë i thjeshtë i qafës së mitrës, një herë në vit ose në gjashtë muaj sipas rekomandimeve të mjekut, dhe në këtë mënyrë të kemi do të thotë një pasqyrë të saktë se çfarë po ndodh me organizmin e një femre dhe në këtë mënyrë të zbulojmë ndryshimet eventuale të cilat mund të jenë prezentë”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se rritja e rasteve agresive lidhet me nivelin ende të pamjaftueshëm të edukimit shëndetësor dhe me funksionimin jo të plotë të programeve kombëtare të skriningut, duke theksuar se institucionet duhet të intensifikojnë përpjekjet për depistimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

“Po, meqë kjo sëmundje është zakonisht e moshës mbi 50-vjeçare, por e shqetësuese dhe problematike është femrat të cilat janë ndërmoshën 50-vjeçare dhe janë në forma agresive të sëmundjes. E numri i rasteve të tilla këto dy-tri vitet e fundit është në rritje. Pra kemi do të thotë përqindje të vogël, por megjithatë ne identifikojmë dhe trajtojmë do të thotë femra të cilat kanë sëmundjen në stadet tre-katër, kur është inoperabile, zakonisht HPV pozitive, dhe ato të moshave prej 30 deri 50 vjeç. Dhe ky numër do të thotë, meqenëse mund të variojë prej 15-20 personave në vit, çdo vit një-dy më shumë, tre, dhe kjo është shqetësuese. Sepse kjo tregon se edukimi shëndetësor i popullatës sonë akoma është në nivel jo të mjaftueshëm. Por në anën tjetër edhe programet nacionale të skriningut, të cilat shpresojmë që këtë vit ndoshta do të funksionalizohen, duhet të jenë më strikte dhe përmes programeve të depistimit të kësaj sëmundjeje. Pra programet nacionale të skriningut ne nuk i kemi në nivelin e duhur të sëmundjeve malinje të qafës së mitrës dhe mund të bëjmë edhe më shumë në kuptim të zgjidhjes dhe të hulumtimit të hershëm”, tha ai.

Të Fundit

Sport

ShowBiz