Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim bilateral me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale dhe fushat me interes të përbashkët, ku u theksua bashkëpunimi në mbrojtje dhe rritja e shkëmbimeve tregtare.
Kurti vlerësoi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve, përfshirë vendimin e Brukselit për të mirëpritur atasheun e mbrojtjes së Kosovës dhe nënshkrimin e Deklaratës së Qëllimit të Përbashkët ndërmjet ministrive të mbrojtjes në korrik. Ai i cilësoi këto hapa si të rëndësishëm jo vetëm për raportet mes Kosovës dhe Belgjikës, por edhe për paqen e sigurinë, duke pasur parasysh situatën e ndërlikuar gjeopolitike.
Gjatë takimit, Kurti falënderoi kryeministrin De Wever për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, si dhe për angazhimin në procesin e integrimit evropian dhe atë në NATO.
Ky ishte takimi i parë bilateral mes dy krerëve të qeverive, i zhvilluar në hapësirat e Misionit të Përhershëm të Belgjikës në OKB.