Kurti takon ekipin e OKB-së në Kosovë, fokusi te sundimi i ligjit dhe punësimi

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga koordinatori për zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.
Gjatë takimit, Kurti dorëzoi formalisht dokumentin e miratimit të Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, ndërsa u riafirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030.
Ai theksoi se prioritetet e identifikuara në Planin Strategjik, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, llogaridhënia në qeverisje, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përputhen me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Lexo edheTre persona të lënduar në aksident trafiku në Lupq
Kryeministri në detyrë shtoi se synimi është që këto prioritete të shndërrohen në përmirësime konkrete: shërbime më të mira, më shumë vende pune dhe mundësi punësimi, institucione më të forta dhe zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet.
Ai falënderoi ekipin e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen, angazhimin, eksperizën dhe kontributin në rrugën e zhvillimit të Republikës së Kosovës.














