Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët në masakrën e Pastaselit, në 27-vjetorin e vrasjes makabre të tyre.
Përpara të pranishmëve, Kurti u shpreh se sakrifica e martirëve dhe e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit e i shtetit tonë, që nuk u dorëzua e nuk u nënshtrua, transmeton IndeksOnline.
“Republika jonë po zhvillohet dhe po përparon për çdo ditë, me rritje ekonomike ndër më të lartat jo vetëm në rajon, me ushtri të fortë e të pajisur, me demokraci funksionale, me respekt për të drejtat e njeriut dhe me transparencë institucionale që renditin ndër vendet e para. Nga hiri i luftës bashkë kemi ngritur një republikë dinjitoze dhe kjo është fitorja jonë më e madhe: që jetojmë, që përparojmë dhe që nuk harrojmë”, tha Kurti.
Ky është postimi i tij, pas akademisë përkujtimore:
Në përvjetorin e masakrës së Pastaselit, bashkë me familjarët e të mbijetuarit, nderuam kujtimin e civilëve të vrarë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë më 31 mars 1999. 106 burra e djem, të ndarë nga familjet dhe të ekzekutuar vetëm pse ishin shqiptarë. Ndër ta kishte edhe fëmijë, të moshës 13 deri në 17 vjeç.
Po sot, kujtojmë edhe 42 shqiptarë, nga 10 deri në 99 vjeç, të vrarë te “Vrella e Mëhillit” në fshatin Burim të Malishevës.
Kujtojmë me dhimbje se në ditët e fundit të marsit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Serbia intensifikoi planin kriminal “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve.
Masakrat në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, në Izbicë, Podujevë, në lagjen “Dardania” të Pejës, në Klladernicë, Suharekë, Landovicë, Gjakovë, Mamushë, Bellacërkë, Celinë, Brestoc, Beleg, në Abri të Epërme të Drenicës dhe në shumë vendbanime të tjera, dëshmojnë karakterin sistematik të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në mbarë Kosovën.
Ata që na vranë menduan se do të na zhdukin, por ata ikën, ndërsa ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Ata u vendosën në faqet e errëta të historisë së njerëzimit, e ne jemi në dritë, në tokën tonë, në liri.
Sakrifica e martirëve dhe e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit e i shtetit tonë, që nuk u dorëzua e nuk u nënshtrua. Emrat e tyre janë ripërtërirë me brezat e rinj, që po rriten bashkë me jetën e re.
Republika jonë po zhvillohet dhe po përparon për çdo ditë, me rritje ekonomike ndër më të lartat jo vetëm në rajon, me ushtri të fortë e të pajisur, me demokraci funksionale, me respekt për të drejtat e njeriut dhe me transparencë institucionale që renditin ndër vendet e para. Nga hiri i luftës bashkë kemi ngritur një republikë dinjitoze dhe kjo është fitorja jonë më e madhe: që jetojmë, që përparojmë dhe që nuk harrojmë.
Kujtesa jonë është përgjegjësi morale e kombëtare, ndërsa drejtësia mbetet obligim i vazhdueshëm i institucioneve të drejtësisë.
Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!