Është shënuar 27-vjetori i masakrimit të 106 qytetarëve në Pastasel të Komunës së Rahovecit. Në përkujtimin e viktimave të një nga krimet më të rënda të luftës së Kosovës ishte edhe kryeministri, Albin Kurti.
Ai tha se 106 civilët në Pastasel u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Kurti shtoi se kujtesa për këto viktima nuk mjafton vetëm në kujtime, por duhet të bëhet drejtësi.
Sipas tij, është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza.
“Ne në vend kujtese rikthehemi për të mos harruar kurrë ditën kur 106 civilë u vranë vetëm se ishin shqiptarë. Pasi që i ndanë nga familjet, i rreshtuan në katër grupe dhe i ekzekutuan me gjakftohtësi. Krim i paramenduar ndaj njerëzimit. I vranë pa mëshirë duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Në atë ditë u goditën rrënjët e trashëgimisë. Kujtesa nuk mjafton vetëm në kujtime, ajo duhet të bëhet edhe drejtësi. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza. Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”, tha Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ajo çka ndodhi 27 vjet më parë në këtë fshat është krim kundër njerëzimit.
“I vranë me urdhër e plan ushtarak 106, as më shumë e as më pak burra të rënë, të rinj e djem ende që s’ju kishin dalë mustaqet. Pushtuesit serbë, të etur për gjak shqiptari, i plaçkitën e pastaj i dogjën shtëpitë e tyre. Rrahën e torturuan njerëz që nuk mundeshin të mbroheshin. I ndanë në grupe të vogla dhe me urdhër i ekzekutuan nga afërsia. Krim kundër njerëzimit nuk ka emër tjetër për operacione të tilla ushtarake”, tha Latifi.
Fjalën e mori edhe i mbijetuari i kësaj masakre, Tahir Krasniqi, i cili rrëfeu momentin e plagosjes së tij dhe sesi forcat serbe i kanë pushkatuar civilët shqiptarë.
“Sot e kemi 27-vjetorin e masakrës më barbare tek ne. Më 31 mars po më kujtohet ajo ditë sikur sot kur erdhën forcat serbe e na rrethuan. I ndanë gratë prej burrave. Na vinin plumbat e pushkatimit me autoblinda. I kanë pasur çuar disa shenja të bardha se janë dorëzuar, por ata kishin qenë njerëz që as nuk i morën parasysh. Na rrahën dhe na kanë thënë: ulni kryet poshtë. Unë e kam marrë vesh se ka pasur paramilitarë serbë në ato grupe. M’i kanë marrë sendet nga xhepi dhe na kanë ndarë për pushkatim në katër grupe. Unë kam qenë në grupin e tretë. Kur na kanë bërë rresht aty, na jepnin rafal përmas këndej. Kam qenë i plagosur lehtë dhe e kam ndjerë veten keq dhe mendova se nuk do të shpëtoj. Kur jam rënë në përrua, takova dy veta dhe u qetësova. Mbas dy ditësh kemi ardhur me i bërë varret. Sa vinin forcat serbe, ne iknim e përcilleshim, ashtu që katër ditë ka zgjatur varrimi i viktimave”, tha ai.
Më 31 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 106 persona nga ky fshat dhe zonat përreth. Pastasella u sulmua nga forcat serbe, të cilat vendosën tanke në kodra dhe depërtuan brenda fshatit. Civilët që u përpoqën të gjenin strehë u rrethuan dhe u detyruan të dorëzoheshin. Gratë dhe fëmijët u dëbuan me urdhrin “shkoni në Shqipëri”, ndërsa burrat u ndanë në grupe dhe u ekzekutuan me armë automatike.