Monday, July 21, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit​Kurti: Kërcënimet nxitëse të Vuçiqit rrezikojnë stabilitetin, BE dhe NATO të reagojnë...

​Kurti: Kërcënimet nxitëse të Vuçiqit rrezikojnë stabilitetin, BE dhe NATO të reagojnë me vendosmëri

Të ngjajshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha të hënën se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Ai theksoi se Beogradi zyrtar po tregon qartazi që mbështet nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon.

Kështu tha Kurti për deklarimet e Aleksandër Vuçiq, kur kërcënoi me “pasoja të paparashikueshme” pas arrestimit të zyrtarit serb në Kosovë, Igor Popoviq, i cili u arrestua javën e kaluar për deklaratat e tij nxitëse të dhëna në Hoçë të Rahovecit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar mbi bazën e dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mos durimit etnik me 18 korrik sivjet nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të bëra me 20 korrik sivjet janë kërcënuese, destabiluzuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual por si politikë shtetërore. Në këtë mënyrë Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon si dhe tregon që deklarimet e Igor Pupoviqit po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”, deklaroi Kurti.

Ai tha nuk është hera e parë që “Serbia e Vuçiqit përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës nëpërmjet strukturave ilegale dhe veprimeve hibride”.
“Deri më sot falë punës profesionale të inteligjencës, policisë dhe institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për harkun kohor prej pak më shumë se një viti, gjashtë persona janë arrestuar në Kosovë për spiunazh në shërbim të strukturave të sigurisë së Serbisë. Këto raste për të cilat institucionet kanë siguruar dëshmi nuk janë të izoluara por pjesë e një strategjie të vazhdueshme destabilizuese dhe kundër institucioneve shtetërore të Kosovës nga të cilat kanë marrë dhe do të marrin përherë çdo kund përgjigjen e merituar. Kreu i shtetit verior fqinj të Republikës së Kosovës, jo vetëm që po organizon e po mbështet veprime të tilla, por edhe po vazhdon me instrumentalizimin e grupeve kriminale dhe terroriste për qëllime politike dhe shtetërore”, tha ai.

Tutje, në konferencë për media Kurti tha se Kosova nuk do të tolerojë asnjë formë të përfshirjes së grupeve kriminale në jetën publike.

“Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë tonë. Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi, por ka kaluar një herë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më. Për mendësinë e pushtetit autoritar e pro rus në Serbi, sundimi i rendit dhe ligjit nga institucionet e pavarura dhe legjitime mund të ketë pasoja të pa parashikueshme siç thonë ata. Pra për të kërcënuar një shtet fqinj ku ka rend dhe ligj, si puna e Republikës së Kosovës, dërgohet një zyrtar shtetëror, si puna e Igor Popoviqit për të nxitur përçarje dhe mos durim e më pas kërcënohet për pasoja”, përfundoi Kurti.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, pasi tha se ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet e Serbisë.

Kryeministri në detyrë i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të “reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit”.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropain, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë çartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit të cilët nuk janë pjesë deklarime politike, por pjesë e një fushate të mirë organizuara për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimorë. Serbia po tregon se jo vetëm që nuk është e interesuar për normalizim por është aktive në provokime të rrezikshme dhe në përpjekjen e ndërhyrjeve në shtete të tjera”, tha Kurti.

Kurti tha se strukturat ilegale i kanë zëvendësuar me institucione të Republikës së Kosovës, kurse në vend të grupeve kriminale ka sundim të ligjit dhe rend publik.

“Që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, 208 policë kadetë të rinj nga komuniteti serb i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve pa dallim, për çdo ditë, gjithandej. Që nga prilli i vitit 2024 rreth 800 qytetarë nga katër komunat në veri të vendit kanë gjetur punë nëpërmjet ndërmjetësimit të qeverisë, si rezultat i masës për punësim qeveri për familjen. Mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në këto katër komunat veriore të Republikës sonë për një vit e gjysmë ”, tha ai.

- Advertisement -

Të Fundit