BallinaLajmeKurti i kërkonte të pagjeturit si parakusht për dialog me Serbinë, sot...

Kurti i kërkonte të pagjeturit si parakusht për dialog me Serbinë, sot ulet në tavolinë me Vuçiqin

Kryeministri Albin Kurti ia kujtoi vetes se si institucione duhet të bëjnë gjithçka për zbardhjen e fatit të 1,617 personave të zhdukur nga lufta.

Dikur, zbardhja e fatit të të pagjeturve, ishte parakushti i Kurtit për t’u ulur në dialog me Serbinë. Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës e arriti një marrëveshje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të tretë mes tyre. Tashmë, të pagjeturit mund të jenë vetëm temë në dialog, pasi Kurti është ulur tashmë në tavolinë me Vuçiqin, shkruan Express.

“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë, që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve, dhe njëkohësisht me faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni, që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë”, tha Kurti sot pasi së bashku me presidenten Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kur ishte në opozitë dhe protestonte në shesh për vetëvendosje, Kurti përmendte disa kushte që sipas tij duhej t’i plotësonte Serbia që të mund të zhvillohej dialogu më pas.

Përveçse thoshte se fillimisht Serbia duhej ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe ta ndryshonte kushtetutën e saj, Kurti fliste edhe për “kushte morale e humanitare”.

“Serbia duhet me na i kthy ata 2750 të pagjetur ose me dhënë informacione se ku ata ndodhen”, shprehej ndër tjerash Kurti.