back to top
Friday, March 13, 2026
BallinaLajmeKurti fton opozitën për takim për presidentin, PDK dhe LDK kërkojnë të...

Kurti fton opozitën për takim për presidentin, PDK dhe LDK kërkojnë të pritet vendimi i Kushtetueses, AAK e sheh si tentativë të çorientojë opozitën

Të ngjajshme

Kryeministri i Albin Kurti ka bërë të ditur se do t’u dërgojë ftesa liderëve të partive opozitare për një takim në fillim të javës së ardhshme, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Deklarata e tij erdhi pas përurimit të hapësirave të rinovuara të Institutit të Anatomisë Patologjike në Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Kurti theksoi se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për stabilitet institucional.

“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti.

PDK refuzon takimin tani

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë falënderuar Kurtin për ftesën, por kanë bërë të ditur se në rrethanat aktuale nuk mund të zhvillohet një takim i tillë, për shkak të vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës për masë të përkohshme lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Megjithatë, PDK thekson se duhet pritur vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës”, thuhet më tej në reagim.

Abdixhiku: Takimi pas verdiktit të Kushtetueses

Edhe kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se e pranon ftesën e Kurtit, por vetëm pasi të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se përderisa çështja e zgjedhjes së presidentit është në shqyrtim nga Kushtetuesja, proceset politike duhet të ndalen përkohësisht.

“Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund”, ka shtuar ai.

Në fund, Abdixhiku ka theksuar se takimi mund të zhvillohet menjëherë pas vendimit të Gjykatës.

“Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar ai.

AAK kritikon Kurtin

Në këtë kontekst, nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka kritikuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim me liderët e opozitës, duke e cilësuar atë si përpjekje për të ndryshuar narrativën politike.

Tahiri ka thënë se ftesa është “përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas tij, edhe pse në pamje të parë mund të duket si një hap konstruktiv, në thelb synon të zhvendosë përgjegjësinë në rast se procesi nuk përfundon sipas pritjeve të kryeministrit.

“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka shtuar gjithashtu se Kurti po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga përplasja me presidenten Vjosa Osmani dhe të çorientojë opozitën.

“Pa agjendë dhe parakushte të qarta nga opozita, ai mund ta përdorë edhe këtë proces për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike”, ka theksuar Tahiri./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz