back to top
Tuesday, February 17, 2026
BallinaLajmeKurti e përdor përvjetorin e Pavarësisë për t’i bërë reklamë vetës: Qytetarët...

Kurti e përdor përvjetorin e Pavarësisë për t’i bërë reklamë vetës: Qytetarët e Kosovës sot gëzojnë më shumë mbrojtje, demokraci e begati

Të ngjajshme

Albulena Haxhiu pret Rifat Jasharin: “Dalsh faqebardhë”, urimi që përcjell përgjegjësi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë...

Osmani: Rrofsh për jetë e mot, Kosova jonë e dashur!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbledhur...

Osmani: Flamuri i Kosovës simbolizon sakrificën e brezave, le ta mbajmë lart atë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar sot në...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë ka theksuar arritjet e shtetit dhe rrugëtimin e tij drejt konsolidimit demokratik.

Në një postim publik, Kurti u shpreh se “në këtë ditë të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, qytetarët tanë gëzojnë më shumë mbrojtje, demokraci e begati”, duke shtuar se Kosova “nuk është vetëm një shtet i ri në hartën e Evropës, por është një partner i besueshëm i vendeve demokratike”.

Ai theksoi se rruga e Kosovës “mbetet e njëjtë”, pasi sipas tij ajo është përcaktuar nga “historia e kombit shqiptar, historia e afërt e lëvizjeve paqësore, lufta çlirimtare, proceset demokratizuese në Evropë dhe vullneti i popullit të Kosovës për liri e mirëqenie”.

Kurti vlerësoi sakrificën për liri, duke deklaruar se “sakrifica e njerëzve tanë për liri ka qenë e përkryer”, ndërsa shtoi se “puna jonë për republikën duhet të jetë po aq e përkryer”.

Ai e ka publikuar poashtu fjalimin e plotë që e mbajti në seancën solemne sot në Kuvend.

Postimi i plotë:

Në këtë ditë të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, qytetarët tanë gëzojnë më shumë mbrojtje, demokraci e begati. Kosova nuk është vetëm një shtet i ri në hartën e Evropës, por është një partner i besueshëm i vendeve demokratike. Rruga jonë mbetet e njëjtë, sepse atë e kanë përcaktuar historia e kombit shqiptar, historia e afërt e lëvizjeve paqësore, lufta çlirimtare, proceset demokratizuese në Evropë dhe vullneti i popullit të Kosovës për liri e mirëqenie. Sakrifica e njerëzve tanë për liri ka qenë e përkryer. Puna jonë për republikën duhet të jetë po aq e përkryer.
Fjala ime e plotë në seancën solemne të Kuvendit në 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës:
Shkëlqesia juaj znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia juaj z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë,
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Baca Rifat,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së legjislaturës së 10-të,
Zëvendëskryeministër dhe ministra të qeverisë,
Të nderuar ambasadorë dhe miq të tjerë ndërkombëtarë,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
Drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit, klerikë fetarë,
Të dashur qytetarë të republikës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
18 vjet më parë, data e sotme iu shtua kalendarit tonë kombëtar, krahas 2 Marsit të Kuvendit të Lezhës, 5, 6 e 7 Marsit të Betejës heroike të familjes Jashari, 11 Marsit të demonstratave të studentëve, 10 Qershorit të Lidhjes së Prizrenit, 12 Qershorit të çlirimit të Kosovës, 2 Korrikut të deklaratës kushtetuese, 7 Shtatorit të Kushtetutës së Kaçanikut, 22 Nëntorit të Kongresit të Alfabetit, dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Kjo, sepse më 17 Shkurt, me shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe në Evropë.
Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e republikës, së paku që nga viti 1968 e këtej, ndoshta nuk kanë pasur të gjithë të njëjtën përfytyrim e vizion se si do të ishte republika, por ata kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika, në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur vjen fjala te republika dhe sovraniteti, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve dhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do të kishim shtetin tonë dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë.
Ne kujtojmë sot, qëndresën paqësore të viteve 1990, dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi që ta ruajmë dhe ta lartësojmë republikën tonë, edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës, po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e prokurorisë speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne.
Të nderuar të pranishëm,
Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalitë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhjet demokratike, në institucione zyrtare dhe në jetesën e përbashkët, duke respektuar ligjin dhe të drejtat e njëri-tjetrit. Zgjedhjet e fundit demokratike, pas një ngërçi disamujor në Kuvend, treguan edhe një herë vlerën e demokracisë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Republika nuk detyrohet së jashtmi, me imponim e dhunë, por ndërtohet së brendshmi me punën tonë të përbashkët.
Qeveria e re do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin ekonomik, për fuqizimin e sigurisë dhe për thellimin e arsimit e të kulturës. Ekonomi do të thotë prodhim e mirëqenie shoqërore, siguri do të thotë mbrojtje e rend publik, arsim e kulturë do të thotë inteligjencë e kapital njerëzor. Për ta thënë me një formulë: ne do të mbrojmë prodhimin inteligjent. Kështu do të konsolidojmë rritjen ekonomike dhe do të jemi më konkurrues në rajon e më gjerë, e kjo doemos e shoqëruar me rritjen e mirëqenies shoqërore dhe me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pas liberalizimit të vizave me Zonën Schengen, tani pasaporta e shtetit tonë është më e fortë se kurrë më parë. Po renditemi gjithnjë e më lart në listimin ndërkombëtar, për sa i përket sigurisë, demokracisë, të drejtave e lirive, sundimit të ligjit, mirëqenies, klimës për investime të huaja direkte etj.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kur u miratua Plani i Ahtisaarit, në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, bota kishte tjetër pamje dhe kufizimet që na viheshin për të drejtën tonë për vetëvendosje mendohej se do të kompensoheshin sa me transformimin evropian të Serbisë aq edhe me përfshirjen e shtetit tonë në sistemin kolektiv euro-atlantik. Mirëpo sot ne shohim se pasiguria në botë është rritur dhe se bllokut perëndimor i nevojitet koherenca e brendshme për ta mbajtur sistemin e sigurisë në Evropë dhe për ta udhëhequr botën drejt vlerave të lirisë, të demokracisë, të solidaritetit, të barazisë dhe sidomos të të drejtave të njeriut. Ndryshimet në mjedisin ndërkombëtar janë të pashmangshme dhe ndonjëherë të paparashikueshme. Në anën tjetër, fqinji ynë verior Serbia i do veçse eurot nga Evropa porse orientimin e ka te Kremlini. Prandaj, nevojitet që të forcojmë edhe më tej shtetësinë e Kosovës, demokracinë dhe aleancat me shtetet perëndimore dhe me ato shtete fqinje që kanë të njëjtat vlera e interesa sikurse ne. Për fat të mirë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih para pak ditësh, ku mora pjesë si përfaqësues i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane konfirmuan se vlerat euro-atlantike mbeten të njëjta, po ato vlera që ne i kemi të shkruara në kushtetutën tonë.
Ne jemi të vendosur të vijojmë rrugën tonë të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin që na takon për fuqizimin dhe reformimin e sigurisë kolektive në rajonin tonë dhe në Evropë, siç kemi bërë dhe më parë. Për këtë do të vijojmë, të mbështetemi te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te Gjermania, te Britania e Madhe, te Turqia, Franca e Italia, Kanadaja e Japonia, sikurse që do të kultivojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin edhe me shtete të tjera. Do të bashkëpunojmë edhe me shtetet evropiane që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sikurse do të përpiqemi që t’i sigurojmë Kosovës njohje të reja anembanë botës, në mënyrë që të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, siç na takon si shtet sovran e demokratik që jemi.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet kyç bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë, si dhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe me Republikën e Malit të Zi, shtete ku jetojnë pjesë të kombit shqiptar. Aleanca e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë është një element më shumë në sigurinë dhe paqen rajonale demokratike, përballë faktorëve destabilizues.
Në këtë ditë të shpalljes së pavarësisë, qytetarët tanë gëzojnë më shumë mbrojtje, demokraci e begati. Kosova nuk është vetëm një shtet i ri në hartën e Evropës, por është një partner i besueshëm i vendeve demokratike. Rruga jonë mbetet e njëjtë, sepse atë e kanë përcaktuar historia e kombit shqiptar, historia e afërt e lëvizjeve paqësore, lufta çlirimtare, proceset demokratizuese në Evropë dhe vullneti i popullit të Kosovës për liri e mirëqenie. Sakrifica e njerëzve tanë për liri ka qenë e përkryer. Puna jonë për republikën duhet të jetë po aq e përkryer.
Ju faleminderit!/lajmi.net/

Të Fundit

Sport

ShowBiz