Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sonte në një darkë pune zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker. Takimi është zhvilluar në prani të e Ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, dhe është organizuar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, transmeton lajmi.net
Gjatë takimit, kryeministri Kurti e informoi zyrtarin e lartë amerikan për progresin në vend, përfshirë investimet në mbrojtje gjatë mandatit të tij dhe nismat për të rritur shkëmbimet tregtare e investimet e huaja.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke vënë në pah rolin kyç të SHBA-së për sigurinë dhe paqen në rajon.
Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të raporteve me SHBA-në, me fokus të veçantë në industrinë e mbrojtjes dhe fushat tjera të sigurisë.
Pjesë e darkës ishin edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri Kurti takoi zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sonte zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, të shoqëruar nga e Ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një darkë pune të shtruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kyçe të diskutimit.
Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve. Ai e falënderoi z. Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përgjatë viteve, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen.
Kryeministri gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar edhe më tej raportet me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes.
Në këtë darkë, përkrah kryeministrit, ishin, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti./lajmi.net/