Kur shtëpia jote bëhet yll televiziv: Banorët rrëfejnë jetën me qindra turistë në derë

Si është të jetosh në një shtëpi që miliona njerëz e njohin nga televizori? Apo mbi lokalin e preferuar të Ted Lasso-s? Banorët e disa prej adresave më të famshme të serialeve televizive kanë treguar anën e bukur, por edhe problemet që sjell fama e papritur.
Gjysma e botës e njeh apartamentin ku jetonte Carrie Bradshaw në “Sex and the City”. Po aq i njohur është rezidenca në New Jersey ku Tony Soprano hante, flinte dhe kalonte kohë duke vëzhguar rosat në pishinën e tij. Ndërsa në vitet ’90, mjaftonte të përmendej Will Smith që shumë njerëz ta imagjinonin menjëherë vilën e madhe të bardhë në Bel Air.
Por për njerëzit që jetojnë realisht në këto adresa, fama televizive mund të jetë edhe problem.

“Njerëzit thjesht hyjnë brenda shtëpisë”
Kate Fox jeton në një shtëpi që u shfaq për vite me radhë në serialin britanik “Emmerdale”, gjatë periudhës kur xhirimet zhvilloheshin në fshatin Esholt, në West Yorkshire.
“Gjatë Covid-it patëm shumë probleme me njerëz që thjesht hynin brenda”, tregon ajo.
Në një rast, një person hapi derën dhe futi kokën brenda shtëpisë.
“Pothuajse çdo muaj ndodh që dikush të hapë derën ose të bëjë diçka të papërshtatshme, si të shikojë nga dritaret. Njerëzit nuk e kanë problem të pushtojnë plotësisht privatësinë tënde. Por me kalimin e kohës mësohesh”, thotë Fox.
Probleme të tilla nuk janë të pazakonta për banorët e shtëpive të famshme televizive.
Në vitin 2015, krijuesi i “Breaking Bad”, Vince Gilligan, u detyrua t’u kërkonte fansave të ndalonin së rikrijuari skenën e famshme ku një picë e tërë hidhet mbi çatinë e shtëpisë së Walter White.
Fansat udhëtonin deri te shtëpia reale e përdorur për xhirimet e jashtme dhe hidhnin pica mbi çatinë e saj.
Në fund, pronarët vendosën një gardh hekuri rreth dy metra të lartë. Por edhe kjo nuk i ndaloi të gjithë.
“Ende përpiqen të hedhin pica, edhe pse ka gardh dhe tabela paralajmëruese. Madje përpiqen edhe të ngjiten mbi gardh”, tregoi Frank Sandoval, i cili organizon ture turistike të “Breaking Bad”.

Edhe shtëpia e Carrie Bradshaw u detyrua të vendoste gardh
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me ndërtesën e famshme të “Sex and the City”.
Pronari i apartamentit të lidhur me personazhin Carrie Bradshaw vendosi një portë për shkak të fluksit të vazhdueshëm të vizitorëve.
Sipas pronarit, në çdo orë të ditës dhe natës grupe njerëzish mblidheshin para shtëpisë, bënin fotografi me blic, flisnin me zë të lartë, realizonin video për TikTok dhe festonin sikur të ndodheshin në një atraksion turistik.
Megjithatë, jo të gjithë pronarët e shohin këtë vëmendje si problem.

Shtëpia e “Gavin and Stacey” u kthye në atraksion turistik
Glenda Kenyon jeton në Barry, në jug të Uellsit, në shtëpinë që në komedinë e BBC-së “Gavin and Stacey” paraqitet si banesa e Gwen, nënës së Stacey-t.
Në fillim, ajo nuk e kuptonte pse njerëzit dëshironin të hynin brenda.
“Thosha: jo, më falni, nuk mundem. Por vitin e dytë mendova se duhej ta ndryshoja këtë dhe fillova ta hap shtëpinë për vizitorët”, tregon ajo.
Sot banesa e saj është kthyer në një lloj muzeu të vogël kushtuar serialit.
Brenda gjenden magnetë frigoriferi, varëse çelësash, peshqirë kuzhine dhe pothuajse çdo bluzë që lidhet me “Gavin and Stacey”.
Në kuzhinë është krijuar edhe një kënd fotografimi me tiganin që personazhi Gwen përdorte për omëletat e saj të famshme.
Vizitorët madje mund të vendosin një maskë me fytyrën e personazhit.
Glenda bashkëpunoi edhe me kompani autobusësh që organizojnë ture të lidhura me serialin. Vetëm vitin e kaluar, ajo priti 168 autobusë me turistë në shtëpinë e saj.

“Më ndryshoi jetën”
Për Glendën, turistët nuk sollën vetëm të ardhura apo vëmendje, por edhe një ndryshim të madh personal.
Ajo jeton vetëm dhe ka kaluar periudha depresioni.
“Përpara isha shumë e vetmuar. Jashtëzakonisht e vetmuar”, rrëfen ajo.
“Ky gjë ma ndryshoi jetën. Përpara isha shumë e mbyllur, ndërsa tani mund të hapem. Jam shumë më mirë se më parë. Kur takon njerëz, nuk mendon për depresionin. Dikur nuk kisha miq, tani kam të gjithë.”

“Ted Lasso” transformoi një pjesë të Richmond-it
Kur një serial bëhet mjaftueshëm i famshëm, ndikimi nuk kufizohet vetëm te një shtëpi.
“Ted Lasso” ndryshoi një pjesë të Richmond-it në Londër.
Zona ku zhvillohet seriali tani është e mbushur me biznese që shfrytëzojnë popullaritetin e tij.
Në një rrugicë ku më parë gjendeshin argjendari dhe dyqane elegante, sot ndodhet edhe “Ted Lasso Store”, ku është rikrijuar dhoma e zhveshjes së ekipit, me posterin e famshëm “Believe” dhe fanella të personazheve të ndryshme.
Përballë, një restorant italian ofron një paketë “Eat like Ted”, ku klientët mund të blejnë biskotat e preferuara të personazhit.
“Marrim deri në 200 turistë në ditë”
Reece Kent jeton mbi lokalin The Prince’s Head, i cili në serial shfaqet si pub-i i preferuar i Ted Lasso-s. Ai është gjithashtu menaxheri i lokalit.
“Nuk e kuptoja se do të bëhej kaq e madhe”, thotë Kent.
“Në fillim mendova se mund të vinin disa turistë. Por tani kemi 150 deri në 200 në ditë.”
Fillimisht pjesa më e madhe e vizitorëve vinin nga Shtetet e Bashkuara.
“Tani vijnë nga Gjermania, Australia, Japonia. Para disa ditësh pata edhe një çift nga Xhamajka”, tregon ai.
Lokali ka krijuar tashmë një hapësirë të posaçme për fansat, pranë një logoje të madhe të AFC Richmond, një fanellë kopje dhe fotografive të firmosura të aktorëve.
Turistët konkurrojnë veçanërisht për t’u ulur në tavolinën ku Ted Lasso zhvillonte bisedat me ndihmësin e tij, Coach Beard.
Turistët mendonin se Roy Kent ishte bazuar te menaxheri i pub-it
Emri i Reece Kent krijoi edhe një situatë të pazakontë.

Lexo edhePesë libra nga nobelistët që ia vlen të lexohen, sipas Akademisë Suedeze
Një nga personazhet më të njohur të serialit quhet Roy Kent.
“Vetëm disa javë pasi fillova punën, erdhi një turist që kishte parë emrin tim në faqen e internetit dhe kishte krijuar gjithë këtë teori se Roy Kent ishte bazuar tek unë”, tregon ai duke qeshur.
“Më në fund e bindëm se personazhi ishte frymëzuar nga Roy Keane. Do të më pëlqente shumë të isha Roy Keane, por nuk jam.”

Kur shtëpia reale kopjohet në studio
Për Kate Fox, fama e shtëpisë së saj mori edhe një kthesë tjetër të çuditshme.
Kur ishte fëmijë, një pjesë e shtëpisë përdorej si dhomë pritjeje dhe klinikë veterinare në “Emmerdale”.
Ajo kujton se duhej të kalonte mes kabllove, dritave dhe pajisjeve të xhirimit dhe shpesh i kërkohej të qëndronte në heshtje gjatë skenave.
Më pas “Emmerdale” u zhvendos në një set të posaçëm.
Producentët krijuan një kopje thuajse identike të dhomës së përparme të shtëpisë së saj për atraksionin turistik të Granada Studios.
“Unë dhe mamaja shkuam ta shihnim. Ishte jashtëzakonisht e çuditshme të ndodheshe në një kopje të shtëpisë tënde”, thotë Fox.
Fëmijët u shisnin turistëve ture të shtëpisë
Turistët sollën edhe mundësi të vogla biznesi.
“Kur ishim fëmijë, u shisnim ture të shtëpisë njerëzve kur prindërit nuk ishin aty”, kujton Fox.
“U merrnim rreth 50 pence dhe i lejonim të shikonin brenda. Mendoj se turistëve u pëlqente që turin ua bënte një fëmijë. Nuk mora kurrë ankesa.”
Shtëpitë televizive shiten shumë më shtrenjtë
Fama televizive mund të rrisë ndjeshëm edhe vlerën e një prone.
Kur pronarët e shtëpisë së Walter White në “Breaking Bad” më në fund u lodhën nga turistët dhe vendosën ta shisnin, prona u shit për 1.3 milionë dollarë.
Shtëpitë fqinje vlerësohen vetëm rreth 350 deri në 400 mijë dollarë.
Sipas raportimeve, blerësi i ri synon ta trajtojë shtëpinë “si një monument”.
Edhe në Esholt ka pasur superfansa të “Emmerdale” që janë zhvendosur aty posaçërisht për shkak të lidhjes së fshatit me serialin.
Ndërkohë, dy prej shtëpive të përdorura në “Gavin and Stacey” janë blerë së fundmi nga fansa të mëdhenj të serialit.
Njëri prej çifteve bleu madje edhe mobiliet origjinale.
“Të kishim mundësinë të zotëronim mobiliet origjinale ishte qershia mbi tortë”, thanë ata.
Një aktore e “Emmerdale” ndihmoi familjen të ruante shtëpinë
Në rastin e familjes Fox, lidhja me serialin ndihmoi që ata të mos humbnin shtëpinë.
Në një periudhë, prindërit e Kate rrezikonin që banesa t’u merrej nga këshilli lokal.
Aktorja Leah Bracknell, e cila luante Zoe Tate në “Emmerdale”, kontaktoi mediat dhe kërkoi që historia e tyre të publikohej.
Ajo madje u shfaq në fotografi me familjen për ta mbështetur fushatën.
Në fund, familja mori të drejtën për ta blerë shtëpinë nga këshilli.
“Ende i kemi të gjitha shkrimet e gazetave. Ajo ishte vërtet, vërtet e mirë”, kujton Fox.
Aktorët e “Ted Lasso” ktheheshin edhe kur nuk xhironin
Edhe disa prej aktorëve të “Ted Lasso” krijuan lidhje me vendet ku xhironin.
Sipas Kent, ata herë pas here shkonin në pub edhe kur nuk kishin xhirime.
“Vinin për drekë ose thjesht për të pirë diçka”, thotë ai.
Jason Sudeikis, i cili luan Ted Lasso-n, hyri vetëm një herë.
“Coach Beard erdhi disa herë. Dani Rojas ishte ai që vinte më shpesh. Hante drekë dhe sillte miqtë. Ishin shumë të sjellshëm.”
Jo të gjithë mund ta përballojnë famën e shtëpisë së tyre
Pavarësisht momenteve pozitive, jeta në një vend të famshëm televiziv nuk është për të gjithë.
Kate Fox thotë se banorët që u zhvendosën në Esholt gjatë ose pas periudhës së xhirimeve e kanë shumë më të vështirë ta tolerojnë sjelljen e turistëve.
“Atyre u duket jashtëzakonisht e pasjellshme dhe tronditëse që njerëzit thjesht hyjnë në shtëpinë tënde”, thotë ajo.
Por për disa, fama televizive ka sjellë një ndjenjë krenarie dhe lumturie që nuk do ta ndërronin me asgjë.
Glenda Kenyon kujton emocionin e herës së parë kur pa shtëpinë e saj në televizor.
“Isha në qiell nga gëzimi. Sa herë që e shoh serialin, them: ‘Ajo është e imja! Ajo është e imja!’”
Ajo thotë se vizitorët i kanë ardhur nga pothuajse çdo cep i botës.
“Kam pasur njerëz nga India, Afrika, Zelanda e Re, Swindon – thuaje një vend dhe me siguri kam pasur dikë prej andej.”
Dhe për të, kjo ka një domethënie shumë më të madhe sesa thjesht fama televizive.
“Njerëzit më thonë se e kam vendosur Barry-n në hartë dhe mendoj se është e vërtetë. Jam shumë krenare. Kam bërë diçka në jetën time për të cilën mund të ndihem e lumtur.” /GazetaExpress/














