Shkruan Imer MUSHKOLAJ
Shembja e bastioneve nisi me zgjedhjet lokale në Drenas dhe vazhdoi gjithandej vendit më 11 qershor. Me vetëdije të lartë dhe vullnet për ndryshim, qytetarët votuan për zhbërjen e monopoleve dhe politikës klienteliste. Votuan për çlirimin nga mitet. Nga mitet që po shemben
Për vite të tëra janë sjellë me votuesit e tyre thua se ata ua kanë borxh votën. I kanë pasur të sigurta votat e tyre, pa marrë parasysh nëse iu kanë shërbyer si duhet, pa marrë parasysh nëse ua kanë kthyer si duhet besimin e dhënë. Por, tashmë bastionet partiake janë lëkundur më të madhe, e disa edhe janë shembur thuajse tërësisht. Kjo është e mira më e madhe që kanë prodhuar zgjedhjet e 11 qershorit.
Ndër vite, bastionet kanë shërbyer si hambarë votash për partitë dhe kandidatët e caktuar për deputetë, duke i bërë kështu të gjithë përfituesit të ndihen rehat dhe të mos çajnë kokën për vota.
Por, planet u prishën. Gjithçka nisi nga Drenica, përkatësisht Drenasi në zgjedhjet e vitit të kaluar, kur kandidati i PDK’së nuk mundi ta fitojë pa balotazh postin e të parit të komunës. Drenica, që e kishte lindur PDK’në, ia dha PDK’së leksionin e parë. Ky ishte një paralajmërim se në zgjedhjet e ardhshme do të kishte ndryshime edhe më të mëdha. Ashtu edhe ndodhi.
Rajoni i Drenicës, i njohur për nisma të rëndësishme gjatë historisë, priu edhe kësaj here në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e votës së tyre dhe për vendosmërinë se nuk do ta japin më kot.
Gati të gjitha bastionet e partive që kanë qenë pjesë e pushtetit në periudha të ndryshme pas luftës në Kosovë janë shembur nga vota e 11 qershorit. PDK’së thuajse i është përgjysmuar fuqia politike në Drenicë, por edhe në pjesë të tjera, madje edhe në Mitrovicë, vendlindjen e liderit të saj. Në Drenicë kjo parti kishte përkrahje pothuajse absolute.
LDK’ja, ndërkaq, ose e ka humbur primatin për herë të parë ose është dobësuar dukshëm në komuna tradicionalisht përkrahëse absolute të saj, madje edhe në Podujevë e Istog.
* * *
Qoftë për arsye të prejardhjes së liderit partiak, qoftë për arsye të tjera që mund të mos jenë edhe fort bindëse, qytetarët kanë mbajtur e ushqyer me vite bastione të caktuara. Si shpërblim, ata shpesh kanë marrë mospërfilljen, përçmimin e arrogancën, e jo vlerësimin e falënderimin.
Pretendimet për Drenicën e zhvilluar e “të asfaltuar” nuk qëndrojnë. Tekefundit, edhe po të jenë të sakta, njerëzve nuk iu nevojitet vetëm asfalti. Ata kanë nevojë edhe të hanë bukë. Të gjithë ata që iu ka rastisur rruga andejpari e dinë se ky rajon ka probleme të mëdha, mbase edhe më mëdha se në shumë pjesë të tjera të Kosovës.
Partitë politike në bastionet e tyre janë ndier rehat dhe rehatia se votat i kanë të sigurta përjetë ka bërë që të mos shqetësohen fort se mund të ndëshkohen. Asnjëra nga komunat bastione të partive politike nuk është model i qeverisjes. Udhëheqësit e asnjërës nga to nuk mund të mburren se kanë bërë sa duhet për qytetarët që u kanë besuar verbërisht. Madje, në disa raste, pikërisht këto komuna shquhen për ngecje e moszhvillim.
Përveç që kanë prodhuar stagnim, komunat bastione kanë prodhuar edhe kryetarë dembelë e të papërgjegjshëm, të atillë që komunat që i udhëheqin i konsiderojnë prona private të tyre, e jo të qytetarëve. Kanë prodhuar kryetarë që kanë shtuar pasurinë për vete dhe të vetët, por jo edhe mirëqenien e të tjerëve.
Andaj, vota e 11 qershorit është një mësim i mirë për ta, është ndëshkim për qasjen e padrejtë qeverisëse. Kjo votë është sinjal i qartë për zgjedhjet lokale të këtij viti – sinjal për të gjitha ata që për një dekadë e gjysmë janë rehatuar në poste, të rrethuar nga privilegjet e shumta, pa e çarë kokën se mund të vijë një dita që do të ndëshkohen.
* * *
Bastionet partiake janë shprehje e konformizmit karshi një personi a ideologjie. Me votën e tyre në zgjedhjet e 11 qershorit, qytetarët shprehën vetëdijen e lartë dhe vullnetin e tyre për zhbërjen e monopoleve dhe politikës klienteliste. Me votën e tyre ata ndëshkuan keqqeverisjen dhe papërgjegjshmërinë, si dhe treguan se vota e tyre vlen shumë më shumë se një premtim i papërmbushur, disa metra asfalt dhe respekti për liderin e dashur të partisë.
Qytetarët nuk janë klientë të askujt, të asnjë udhëheqësi partiak, të asnjë kryetari komune. Ata nuk janë makina për prodhim votash, sipas tekave të partive të caktuara politike. Ata edhe mund të jenë pa zë në ngritjen e problemeve që i shqetësojnë, por zërin e ngrenë para kutive të votimit.
Demokratizimi që ka filluar në Drenicë dhe ka vazhduar në pjesë tjera të vendit nuk duhet të ndalet. Dhe vështirë se do të ndalet. Të paktën jo deri atëherë kur qytetarët të çlirohen nga zgjedha e bastioneve. Nga monopolet dhe klientelizmi. Deri atëherë kur të çlirohen nga mitet. Nga mitet që po shemben. /gazetaexpress/