Projekti “Promovimi i Vlerave Humane”, i udhëhequr nga Kryqi i Kuq i Kosovës, po vazhdon të shënojë rritje dhe ndikim të qëndrueshëm në shkollat e mesme në vend. Në kuadër të këtij projekti janë trajnuar 30 nxënës së shkollës së mesme profesionale “Qendra e Kompetencës në Skenderaj, përcjellë Drenica Press.
Kryqi i Kuq i pavarur dhe i ndërtuar mbi aktivitete të rregullta vjetore, projekti synon avancimin e misionit humanitar në arsim, duke promovuar vlera si toleranca, bashkëjetesa dhe qytetaria aktive.
Pas një faze të suksesshme pilotimi, projekti ka zgjeruar vazhdimisht shtrirjen e tij. Gjatë vitit 2024, në vitin e parë të zbatimit, iniciativa përfshiu tetë shkolla të mesme, rreth 20 arsimtarë dhe staf shkollor, si dhe dhjetëra vullnetarë nga degët e Kryqit të Kuq të Kosovës.
Në vazhdimësi, projekti u zgjerua në 15 shkolla të mesme, me angazhimin e 30 arsimtarëve në rolin e diseminatorëve, duke siguruar një përfshirje më të gjerë të të rinjve dhe komunitetit. Përmes mbi 60 projekteve dhe aktiviteteve praktike të realizuara gjatë vitit 2025, 462 nxënës vullnetarë kontribuuan në iniciativa humanitare, ndërkulturore dhe mjedisore, si dhe në fushata kundër dhunës. Këto aktivitete kanë sjellë ndikim të dukshëm pozitiv në ambientin shkollor dhe në komunitetet përkatëse.
Për vitin 2026, parashihet një zgjerim i mëtejmë i projektit, duke përfshirë 40 shkolla të mesme, me angazhimin e 80 diseminatorëve dhe rreth 1,200 nxënësve vullnetarë. Aktivitetet do të fokusohen në katër fusha kryesore: projekte me bazë komunitare me karakter humanitar, projekte ndërkulturore për promovimin e bashkëjetesës dhe tolerancës, fushata kundër dhunës, si dhe iniciativa mjedisore dhe të riciklimit.
Qëllimi kryesor i projektit mbetet forcimi i rolit të të rinjve si promotorë të vlerave humane dhe qytetarisë aktive në shoqëri.
Projekti mbështetet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – Misioni në Prishtinë.




