Ismet Kryziu nga KDI ka kritikuar ashpër partitë opozitare për ‘mosbërjen’ e opozitarizmit të mjaftueshëm karshi situatave politike e në veçanti ndaj partisë më të madhe në vend Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeziu tha se prej vitesh, opozita rrallëherë ose pothuajse asnjëherë, nuk është mobilizuar për të ushtruar presion real ndaj VV-së si parti në pushtet, në mënyrë që të kërkojë llogaridhënie.
Ai shton se në praktikë, pothuajse i gjithë aktiviteti opozitar është reduktuar në ankesa dhe në raste të dërguara në Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo tkurrje e rolit opozitar në një betejë kryesisht juridike e ka zhveshur atë nga dimensioni politik dhe mobilizues që pritet nga një opozitë funksionale”, ka hkruar ai ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
Kanë kaluar tashmë një vit nga gushti i vitit 2024, kur Presidentja e Kosovës i pat shpallur zgjedhjet parlamentare. Që nga ajo kohë, partitë politike janë përfshirë në aktivitete e fushatë zgjedhore të pandërprerë, pa arritur të krijojnë institucionet dhe të përmbushin obligimet që burojnë nga zgjedhjet.
Prej vitesh, opozita rrallëherë ose pothuajse asnjëherë, nuk është mobilizuar për të ushtruar presion real ndaj VV-së si parti në pushtet, në mënyrë që të kërkojë llogaridhënie. Në praktikë, pothuajse i gjithë aktiviteti opozitar është reduktuar në ankesa dhe në raste të dërguara në Gjykatën Kushtetuese. Kjo tkurrje e rolit opozitar në një betejë kryesisht juridike e ka zhveshur atë nga dimensioni politik dhe mobilizues që pritet nga një opozitë funksionale.
Për më tepër, gjatë vitit të fundit, partitë opozitare janë përfshirë dhe janë bërë pjesë e gjenerimit të krizave politike e institucionale, duke u bërë kështu bashkëpërgjegjëse me VV-në për bllokimin e funksionimit të institucioneve. Ngërçi aktual politik dhe institucional nuk është vetëm përgjegjësi e një subjekti politik, por e të gjitha subjekteve parlamentare, të cilat, me votimet, mosvotimet apo barrikadimet e tyre, kanë ndihmuar partinë më të madhe të zbatojë politika bllokuese që kanë penguar formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Edhe sot, partitë opozitare ende nuk janë duke e zhvilluar një betejë politike me partinë më të madhe.