Muajt e fundit ka patur ftesa të reja nga Gjykata Speciale.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-deputetja e AAK-së Time Kadrijaj si dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA Jakup Krasniqi ishin disa nga personalitetet politike që u thirrën nga kjo gjykatë.
E ftesa erdhën edhe për ish-ushtarë të UÇK-së e komandantë të luftës të cilët u thirrën për të dëshmuar para dhomave të specializuara.
Por a priten ftesa të reja nga kjo gjykatë ?
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) Hysni Gucati ka thënë për Gazeta Blic se në muajt në vijim priten ftesa të reja nga Gjykata Speciale.
“Për momentin janë vetëm këto ftesa që janë bërë publike, por sipas informacioneve që kam priten dhe ftesa të reja. Shumica prej tyre që janë thirrur janë qytetarë të thjeshtë të Republikës së Kosovës ndërsa sa i përket ftesave për persona të rangut të lartë , akoma nuk kam një informacion të tillë “ka thënë shkurt Gucati për Gazeta Blic.
I fundit që ka udhëtuar për në Hagë është ish-ushtari i UÇK-së, tani kandidat për deputet nga AAK, Lulzim Kabashi.
Gjatë ditës së djeshme, Kabashi ka thënë se në Hagë është ftuar në cilësinë e dëshmitarit ndërsa intervista do të bëhet ditën e mërkurë.
Ndërsa ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Bashkim Gashi, i cili kishte marrë ftesë që sot të dalë para Zyrës së Prokurorisë Speciale ka refuzuar të paraqitet para këtij organi.