Një incident dyshohet se ka ndodhur dje në Vetërnik të Prishtinës.
Atje disa persona dyshohet se provuan të qëronin hesapet me armë zjarri me kryetarin e Federatës së Peshkatarëve, Milaim Vitia.
Vitia për Klankosova tha se arsye e kësaj përplasjeje ishte se ky i kishte larguar nga puna pesë personat që tentuan ta sulmonin.
“Ishin pesë persona që tentuan të na sulmonin me armë. Dy persona i kanë nxjerrë armët, kanë qenë dy armë të shkurta, pistoleta, e kanë fut plumbin në tytë, dhe sapo i kanë dëgjuar alarmet e policisë, menjëherë kanë hip në kombi dhe kanë ikur. Dy persona janë marrë prej policisë në stacion. Nuk e di ende se a janë arrestu”, deklaroi Vitia
Tutje, ai thotë se pesë personat në fjalë i ka larguar nga puna pasi, siç u shpreh, “nuk ishin të përshtatshëm të punonin si roje në Federatë”.
“Ata i kam larguar nga puna para tre muajsh. E kam konsideru se nuk janë të përshtatshëm të punojnë si roje në federatF, sepse merren edhe me punë të këqija. Ata kanë shkuar edhe tek zyrat, më kanë kërkuar por s’kam qenë aty. Sot, prej orës 11:00 e deri në ora 15:00, më kanë thirrë nja gjashtë herë deri kur përfundimisht jemi takuar”, theksoi ai.
Vitia thotë se me të marrë vesh se po ndiqet nga ata, e ka telefonuar vëllain e vet pasi thotë se “e pamë që puna nuk është mirë”.
“E kam thirrë edhe një vëlla timin, i cili ka qenë afër vendtakimit. Ne e pamë që puna nuk është mirë. Ata kanë filluar me sharje, e kur e panë që edhe ne nuk po tërhiqemi, i kanë nxjerrë armët”, shtoi kreu i Federatës së Peshkatarëve.
Milaim Vitia mohon të ketë qenë ai apo vëllai i tij të armatosur.
“Jo, ne nuk kemi pasur armë. Nuk kemi pse me i mbajtë, kur i kemi policinë 24 orë”, tha kryetari i Federatës së Peshkatarëve.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me policinë për ta konfirmuar rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. /Klankosova