Kryeministri belg i dërgon mesazh Kurtit: Synojmë lidhje më të forta ekonomike me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga homologu i tij belg, Bart De Wever, me rastin e marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Kosovës.
Në letrën e tij, De Wever ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, veçanërisht në fushën ekonomike, të sigurisë dhe të drejtësisë.
Kryeministri belg ka vlerësuar shtimin e kontakteve politike ndërmjet dy qeverive gjatë viteve të fundit, duke i cilësuar ato si dëshmi të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.
“Këto shkëmbime reflektojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar De Wever në letrën drejtuar Kurtit.
Një vëmendje të veçantë në mesazhin e tij, De Wever i ka kushtuar bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, me theks në luftimin e krimit të organizuar.
“Ju lutem, më lejoni të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona në fushat e policisë dhe gjyqësisë, sikurse përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar, një çështje që përbën shqetësim të madh për të dyja, Belgjikën dhe Kosovën”, thuhet në letrën e kryeministrit belg.

Lexo edheProtestat në Francë, dëme të shumta e plaçkitje dyqanesh
De Wever ka shprehur gjithashtu shpresën që bashkëpunimi të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë, përfshirë mbrojtjen dhe sistemin e burgjeve.
Ai ka theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ekonomike, duke përmendur edhe rolin e diasporës kosovare në Belgjikë në krijimin e lidhjeve të forta mes qytetarëve të të dyja vendeve.
“Shpresoj që do të kemi mundësi të zgjerojmë bashkëpunimin tonë më tej në fusha të tjera, përfshirë mbrojtjen dhe burgjet, gjithashtu duke thelluar lidhjet tona ekonomike, posaçërisht duke ndërtuar mbi lidhjet e forta njerëzore të krijuara nga diaspora”, ka shkruar De Wever.
Ndërkohë, Kurti ka nisur mandatin e tij të tretë si kryeministër, pas një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale në Kosovë.
Formimi i institucioneve të reja ka shënuar fundin e ngërçit institucional, duke krijuar mundësi për funksionalizimin e plotë të tyre dhe vazhdimin e angazhimeve të Kosovës në politikën e jashtme.












