“Krejt ndryshe!” – Van Dijk për mbrojtjen e Liverpoolit pas debutimeve të Jacquet dhe Araujo

Virgil van Dijk i ka vlerësuar paraqitjet e mbrojtësve të rinj të Liverpoolit, Jeremy Jacquet dhe Ronald Araujo, pas debutimeve të tyre mbresëlënëse në ndeshjen parasezonale ndaj Comos.
Kapiteni i “Reds” e pranoi se do të duhet kohë për ta krijuar një partneritet të fortë në qendër të mbrojtjes, por mbetet optimist përpara startit të sezonit të ri në Premier League ndaj Newcastle United.
Dyshja e re mbrojtëse impresionon në parasezon
Van Dijk i vlerësoi Jacquet dhe Araujo pas paraqitjes së tyre të parë për Liverpoolin në fitoren 2-0 ndaj Comos.
Të dy futbollistët luajtën nga 45 minuta në ndeshjen e fundit përgatitore. Jacquet ishte veçanërisht në qendër të vëmendjes, pasi e shënoi golin e dytë të Liverpoolit në paraqitjen e tij të parë që prej dëmtimit të shpatullës në shkurt.
Araujo, i cili iu bashkua klubit anglez në formë huazimi nga Barcelona për një sezon, e zëvendësoi francezin në pjesën e dytë.
Paraqitjet e tyre i kanë dhënë trajnerit Andoni Iraola një shtysë të rëndësishme në repartin defanziv përpara fillimit të sezonit të ri.
Ndërtimi i një partneriteti të fortë
Pavarësisht sinjaleve pozitive, Van Dijk e pranoi se krijimi i një dysheje të besueshme në qendër të mbrojtjes kërkon kohë dhe durim.
Holandezi e theksoi rëndësinë e fitimit të përvojës së përbashkët përmes ndeshjeve.
“Unë mendoj se Jacquet bëri mirë, njësoj si Ronald”, deklaroi Van Dijk, sipas “ESPN”, përcjell “Gazeta Express”.
“Është një fillim, një fillim i mirë, ndaj shpresoj që të vazhdojë kështu. Marrëdhëniet ndërtohen duke luajtur ndeshje. Nuk do të them se kjo është mënyra e vetme, por ndeshjet janë krejt ndryshe nga stërvitjet.”
“Anglishtja e Jeremy është, do të thoja, pak më e mirë se e Ronaldit, por në fund të ditës të gjithë jemi futbollistë mjaft të mirë. Mund t’i kuptojmë disa momente dhe mënyrën se si duhet të mbrohemi në situata të caktuara.”
“Por është e qartë se duhet ta krijosh një lidhje me njëri-tjetrin dhe kjo kërkon pak kohë. Sipas mendimit tim, kjo është absolutisht normale, por shpresojmë që ta arrijmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur.”
“Siç e thashë, mendoj se Jacquet bëri mirë. Mendoj se doli nga fusha pak i lodhur, por kjo është absolutisht normale kur i luan 45 minutat e para pas një periudhe kaq të gjatë. Tani i takon atij të rikuperohet. Nesër në mëngjes do të rikthehemi në fushë dhe më pas do të punojmë për Newcastle. St James’ Park do të jetë gjithmonë një stadium i vështirë.”

Lexo edheDellova përfshihet në formacionin e javës në Superligën e Turqisë
Menaxhimi i intensitetit dhe gjendjes fizike
Fitorja ndaj Comos e riktheu Liverpoolin te rezultatet pozitive pas dy humbjeve radhazi në ndeshjet parasezonale nga Leeds United dhe Monaco.
Iraola e kishte pranuar më herët se skuadra po kishte vështirësi për ta ruajtur nivelin e kërkuar fizik gjatë gjithë ndeshjes.
Van Dijk beson se kompaktësia taktike e ekipit është përmirësuar ndjeshëm.
Ai theksoi se presioni intensiv duhet të menaxhohet me kujdes, pasi lojtarët në mënyrë të natyrshme lodhen gjatë 90 minutave.
“Unë mendoj se asnjë skuadër në futbollin botëror nuk mund të luajë me intensitet të plotë për 90 minuta”, shpjegoi Van Dijk.
“Natyrisht, në një moment do të keni disa momente kur lojtarët – ose të gjithë ne – do të lodhemi. Atëherë na takon neve të sigurohemi që të jemi kompaktë dhe ta gjejmë momentin e duhur për të ushtruar sërish presion. Mendoj se këtë e bëmë shumë më mirë sesa në ndeshjen e fundit.”
“Natyrisht, të gjithë janë të etur për të dalë përpara, për të ushtruar presion dhe për ta ruajtur intensitetin, por futbolli është lojë ekipore dhe na duhet të bëhemi të gjithë së bashku për ta bërë këtë. Kjo ndodh në faza të ndryshme gjatë ndeshjes.”
Liverpoolin e pret sfida ndaj Newcastle
Pas paraqitjes së suksesshme ndaj Comos së Cesc Fabregasit, Liverpooli tashmë do ta kthejë të gjithë vëmendjen te ndeshjet zyrtare.
“Reds” do ta nisin sezonin 2026/27 në Premier League me një udhëtim të vështirë ndaj Newcastle United.
Jacquet do t’i përdorë ditët në vazhdim për t’u rikuperuar pas 45 minutave të para në gjashtë muaj, ndërsa Van Dijk dhe pjesa tjetër e skuadrës do të rikthehen në stërvitje për t’i finalizuar përgatitjet taktike.
Liverpooli do të përballet me Newcastle më 23 gusht në stadiumin “St James’ Park”. /Gazeta Express














