Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi po qëndron në Mitrovicë bashkë me qytetarët dhe votuesit e PDK-së në këtë komunë.
Ai ka falënderuar të gjithë që janë mbledhur për t’i dhënë mbështetje PDK-së, Arian Tahirit dhe Bedri Hamzës.
“Fuqia e PDK-së është në zemrat e njerëzve të mirë të Mitrovicës. Faleminderit shumë të gjithëve, për një fushatë të jashtëzakonshme, madhështore, të qytetëruar me të cilën duke i dhënë mbështetje Arianit, ju i treguat të gjithë Kosovës që Mitrovica mundet më mirë dhe bënë më mirë. Unë jam sonte pas përfundimit të një dite të gjatë të zgjedhjeve, pikërisht në Mitrovicë. Kam zgjedh që t’i adresohem juve dhe qytetarëve të Kosovës pikërisht nga kjo marrëveshje për ti falënderuar për besimin dhe mbështetjen e madhe që na kanë dhënë si parti, duke na bërë partinë fituese të zgjedhjeve lokale. Kemi fituar numrin më të madh të komunave pa balotazh, numrin më të madh të votave për parti, kemi fitu për të vazhdu garën në numrin më të madh të komunave dhe ju na keni bërë partinë fituese, faleminderit nga zemra. Tash dua t’iu them disa fjalë për garën në Mitrovicë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se pavarësisht mundimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe qeverisë në detyrë për të marrë votën e mitrovicasve, nuk ia kanë dal dot.
“I madh e i vogël, nga kryeministri në detyrë e deri te i fundit në atë qeveri që ende nuk po i lëshon zyrat ku nuk i kanë vendet, kanë ardhur në Mitrovicë duke dashur t’i marrin votën e mitrovicalive. Por, jo! Ju keni tregu që vota e mitrovicalive nuk merret me mashtrim, nuk merret me arrogancë, nuk blihet e as nuk shitet, por është votë e njerëzve të ndershëm, që ju kanë besu punës, dinjitetit dhe rezultateve konkrete të mandatit 4 vjeçar të Bedri Hamzës dhe Arian Tahirit. Dhe për këtë arsye duke iu falënderuar nga zemra për garën jashtëzakonisht të mirë, fushatën jashtëzakonisht të mirë, ditën e sotme që keni dhënë shembull si bëhet, unë ju ftoj të jemi bashkë deri në numërimin e votës së fundit e cila jam i bindur që e nxjerr kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin. Ju falënderoj nga zemra për këtë energji e këtë atmosferë, duke iu ftuar të gjithëve të jenë me ne edhe në garën për rundin e dytë aty ku do ta kemi këtë garë”, ka thënë Krasniqi. /Lajmi.net/