back to top
Monday, November 3, 2025
BallinaLajmeKQZ: Tërheqja e kandidatit nuk ndikon në mbajtjen e balotazhit në Kllokot

KQZ: Tërheqja e kandidatit nuk ndikon në mbajtjen e balotazhit në Kllokot

Të ngjajshme

Picula: Qëndrimi i KE-së ndaj autoriteteve në Serbi ka qenë padrejtësisht i butë

Radio Evropa e Lirë – Raportuesi në Parlamentit Evropian për...

”Si je”, publikohet nga Olsi Bylyku

Këngëtari Olsi Bylyku ka publikuar projektin e tij më...

Shaqir Totaj: Fitorja e 9 Nëntorit do ta çojë Prizrenin drejt transformimit të plotë

Në një atmosferë entuziazmi dhe bashkimi, është mbajtur tubimi...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht se një nga kandidatët për kryetar komune të Kllokotit ka njoftuar për tërheqjen nga gara, në këtë komunë do të mbahet rundi i balotazhit.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” njoftoi më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij në zgjedhjet lokale në Kllokot dhe është tërhequr nga gara e 9 nëntorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë “nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore”.

“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi në një përgjigje me shkrim.

Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Sipas rezultateve preliminare, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale Spasiq do të përballet me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq.

Spasiq tha se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe, që tha se është “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.

“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që ta kontaktojë Spasiqin për koment, por deri më tani ai nuk është përgjigjur.
Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe që ka shkuar në balotazh, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe ka fituar qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 12 tetor.

Sipas rezultateve, në rundin e parë në Kllokit, Bozhidar Dejanoviq fitoi 893 vota apo 41.38 për qind të votave, ndërkaq Sreqko Spasiq 674 vota apo 31.23 për qind.

Lidhja e Kosovës më 28 tetor tha se në rundin e dytë do të mbështeste Spasiqin. Kjo parti në rundin e parë mori 73 vota. Po të njëjtën ditë, nga nisma e Spasiqit thanë se 9 nëntori “është datë që do të hyjë në histori”, me parullën “Të gjithë së bashku për një fitore”.

Lista Serbe e ka mirëpritur vendimin e Spasiqit për tërheqje nga gara dhe bashkim në këtë subjekt, duke e cilësuar si “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.

Cakolli: Tërheqja e Spasiqit, me ndikim domethënës politik
Për Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës, tërheqja nga gara e Spasiqit është një lëvizje elektorale “me ndikim domethënës politik”.

“Kur një kandidat i pavarur, që përfaqësonte një alternativë ndaj Listës Serbe, i bashkohet asaj në prag të raundit të dytë, mesazhi mund të interpretohet se si forcat e pavarura po zhbëhen për t’i hapur rrugë kontrollit të plotë të një partie të vetme”, tha Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ky zhvillim e dobëson “idenë e garës reale” dhe bën që rundi i balotazhit të shndërrohet në një formalitet, ku rezultati duket i paracaktuar. Ai shton se situata duket e “dyshimtë” dhe do të duhej “të hetohej”.

“Më thellë se kaq, ky veprim e ekspozon nivelin e ndikimit politik nga jashtë dhe mungesën e autonomisë politike të komuniteteve lokale serbe. Për më tepër, duke qenë e çuditshme, situata është absolutisht edhe e dyshimtë, andaj do të duhej të hetohej”, tha ai.

Situatë e ngjashme në Kllokot edhe në të kaluarën
Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, iniciativa e Spasiqit gjithashtu kishte arritur të futej në rundin e dytë në Kllokot, por në fund fitoi Lista Serbe.

Atë botë, para rundit të dytë Nisma Qytetare “Bashkimi Popullor” e Sasa Mirkoviqit e mbështeti Listën Serbe, ndonëse Sreqko Spasiq pretendonte se kishte “marrëveshje parimore” me të.

Sreqko Spasiq ka qenë më parë kryetar i komunës së Kllokotit nga radhët e Listës Serbe, por e kishte braktisur këtë parti në vitin 2017, kur i biri i tij, Strahinja Spasiq, kandidat për kryetar komune, mbeti pa mbështetjen e partisë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Në atë kohë, Lista Serbe njoftoi se kandidati i saj për rundin e dytë ishte Bozhidar Dejanoviq, i cili në rundin e parë kishte garuar në emër të Iniciativës Qytetare “Kllokot–Vërbovc”, dhe jo me Sreqko Spasiqin.

Më pas u njoftua se Dejanoviq, bashkë me të gjithë anëtarët e nismës së tij, i ishte bashkuar Listës Serbe dhe u bënë thirrje qytetarëve ta mbështesin në rundin e dytë të zgjedhjeve.

Më pas, Dejanoviq fitoi me 50.24 për qind të votave, ndërsa Strahinja Spasiq mori 49.76 për qind. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Dejanoviq fitoi si kandidat i Nismës Qytetare “Kllokot–Vërboc”, ndërsa Strahinja Spasiq garoi në emër të Listës Serbe.

Megjithatë, Dejanoviq deri më tani e ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kllokoti si përfaqësues i Listës Serbe.

Kllokoti është një nga katër komunat me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës, ku jetojnë rreth 30 mijë serbë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz